E Shtunë, 31 Tetor 2026

Licenca e avokatit, nga 1 milion bëhet 100 lekë

Liberalizohet tregu i noterëve dhe ulet tarifa për të marrë licencën e avokatit. Sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, Shqipëria nuk do të ketë më një numër të kufizuar noterësh. Nga 500 noterë, ky numër do të rritet pa limit në varësi të kërkesave dhe kritereve që duhet të përmbushin kandidatët për të kryer profesionin e noterit. Sipas ndryshimeve që u bënë dje në mbledhjen e qeverisë në ligjin për "avokaturën e shtetit", licenca për të ushtruar profesionin e avokatit nuk do të kushtojë më 100 mijë lekë të reja por vetëm 100 lekë. Do të mjaftojë një diplomë juridiku dhe stazhi njëvjeçar në ndonjë studio avokatie, për të kërkuar më pas të drejtën e licencës së avokatit kundrejt pagesës 100 lekëshe, ndërsa për noterët përcaktohen kritere të reja. Ky ndryshim në vlerë synon të shmangë të gjitha pengesat e karakterit ekonomiko-financiar që mund të kenë kandidatët, duke u siguruar atyre të drejtën për të ushtuar profesionin e avokatit, pavarësisht gjendjes ekonomike. Përcaktimi i kësaj tarife përbën një masë e cila është në përputhje me politikat liberalizuese që kanë ndërmarrë shtetet evropiane në fushën e shërbimeve ligjore, nëpërmjet heqjes ose reduktimit të barrierave të tepërta e të panevojshme ligjore, apo ato vetërregulluese që pengojnë hyrjen në tregun e shërbimeve ligjore. Noterët duhet të kenë mbi 5 vjet përvojë pune si jurist dhe të mos jenë më shumë se 55 vjeç në çastin e dhënies së provimit. Profesioni i noterit mbaron kur ai mbush 65 vjeç. Vula e avokatëve do të jetë unike për të gjithë dhe do të mbajë titullin "avokat" dhe identitetin e avokatit ose të zyrës së tij avokatore. Këshilli Drejtues i Dhomës së Tregtisë përcakton formën, përmbajtjen, procedurën e përgatitjes dhe shpërndarjes së tyre. Në kuadër të reformës ligjore që ka përfshirë sistemin e drejtësisë dhe në funksion të krijimit të një kuadri rregullator bashkëkohor për sa i takon profesioneve të lira, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, ka ndërmarrë nismën për rishikimin e Ligjit nr. 9109, datë 17.07.2003 "Për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë". Ndër projektligjet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë, Kryeministri veçoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave projektligjin "Për Avokaturën e Shtetit". Kryeministri shpjegoi se tashmë Avokatura e Shtetit merr funksione të reja, duke pësuar një riorganizim të ri të të gjithë procesit të avokatimit të shtetit. Kryeministri falënderoi qeverinë spanjolle për ndihmesën e dhënë në zbatimin e modelit spanjoll për këtë ligj. "Avokatura e shtetit tani merr funksione të reja. Nuk qëndron më siç ka qenë e shpërndarë në Ministri të Drejtësisë, në Ministrinë e Jashtme, tjetër e Brendshme dhe tjetër ndërkombëtare, por bëhet një trup i veçantë. Është marrë këtu modeli spanjoll, për të cilën na ka ndihmuar dhe qeveria spanjolle dhe ne i jemi shumë mirënjohës për këtë", theksoi Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›