Bode: Paratë e ARMO do të përdoren vitin tjetër
Fabiola Çela
Qeveria ka vendosur që të rishpërndajë fondet e pashpenzuara të buxhetit të shtetit. Në këtë mënyrë, qeveria ka vendosur të zbatojë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar në lidhje me buxhetin e këtij viti. Kreu i Financave, Ridvan Bode, prezantoi dje përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë aktin normativ për rishpërndarjen e fondeve. Por diskutimet për aktin normativ u shoqëruan me debate mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Financave. Ndërkohë po dje ministri Bode deklaroi se të ardhurat nga privatizimi i ARMO–s prej 125 milionë euro, do të përdoren në 2009-ën për të mbështetur financimin e investimeve apo çdo lloj nevoje tjetër shtesë që mund të ketë buxheti i shtetit.
Akti normativ
Gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, deputetë të opozitës u shprehën kundër aktit normativ të qeverisë. Për deputetin socialist Arben Malaj ky akt normativ përbën në vetvete ndryshim të buxhetit nga ana e qeverisë. Sipas socialistëve, qeveria po bën përpjekje për të fshehur trendin në rënie të ekonomisë. Madje, sipas tij, rënia e të ardhurave është me 5% të GDP. Por sipas ministrit Bode, “ndërmarrja e këtij akti normativ, vjen pas një periudhe kur të ardhurat fiskale kanë performuar sipas programit me një ritëm, në krahasim me vitin e kaluar, prej 16% më të larta, ku sigurisht kontributin kryesor të këtij niveli të realizimit e kanë dhënë të ardhurat nga tatimet dhe doganat”. Janë gati 12 miliardë lekë që qeveria ka vendosur t’i rishpërndajë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka shpjeguar dje në detaje se si do të rishpërndahen këto para. “Së pari, kemi një rialokim të investimeve në vlerën 4 miliardë lekë, nga objekte dhe programe të cilat kanë pasur një ecuri jo të mirë drejt programeve dhe projekteve që kanë patur ecuri shumë të mirë”, ka ai. Gjithashtu qeveria ka vendosur që nga ky akt normativ t’i japë KESH-it 2.7 miliardë lekë, në mënyrë që të vijojë programi i miratuar nga qeveria për sigurimin e energjisë elektrike përmes importeve. Po ashtu do jepen edhe 600 milionë lekë për OSSH–në për shlyerje të faturave, që kanë të bëjnë me ujësjellësit e Tiranës dhe Durrësit, të cilët nuk kanë bërë pagesën në kohë të energjisë së përdorur për shpërndarjen e ujit. “Ky buxhet rialokon shpenzimet e kursyera, shpenzime operative dhe të mirëmbajtjes si dhe financimi i borxhit, kostoja e shërbimit të borxhit publik prej rreth 2.7 miliardë lekë, të cilat destinohen për t’u përdorur për shpërblimin e fundvitit për të gjithë pensionistët në masën 5 mijë lekë për çdo pensionist”, ka shpjeguar ministri.