E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, bien me 10.6 për qind eksportet

 

Kriza globale ka nisur t’i japë efektet e saj negative edhe në ekonominë vendase. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë nga ekspertë të ndryshëm të ekonomisë, eksportet vendase kanë nisur të bien. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, deri në fund të muajit tetor u eksportuan 9.574 milionë lekë mallra, duke pësuar një ulje 10.6 për qind në krahasim me muajin shtator të 2008-ës dhe rritje me 16.4 për qind në krahasim me muajin tetor 2007. Gjatë kësaj periudhe janë importuar 42.552 milionë lekë mallra me rritje 14.7 për qind në krahasim me muajin shtator 2008 dhe rritje 25.8 për qind në krahasim me muajin tetor të 2007-ës. E ndërkohë të dhënat zyrtare tregojnë sërish se hendeku mes importeve dhe eksporteve vazhdon të rritet. Sipas INSTAT-it deficiti tregtar i këtij muaji është 32.978 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 25 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 28.8 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007.
Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 64.1 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 60.6 për qind dhe importi 24.8 për qind, kurse me Greqinë eksporti është 7.3 për qind dhe importi 14.5 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›