Bode; Projekti i Jugut do vazhdojë edhe pa financimin e BB-së
Qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë realizimin e projektit të Jugut. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se ky projekt do të përfundojë edhe me fondet e qeverisë shqiptare. Bode tha se nëse BB do të kërkojë zgjatje kohe të paarsyeshme, për të mbajtur qëndrimin e saj në raport me projektin, qeveria shqiptare është e gatshme që të shtojë fondet e veta për ta bërë funksional projektin. Bode ka sqaruar opinion publik lidhur me të vërtetën e prishjes së ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare në Jug të vendit. Bode sqaroi se qeveria shqiptare, përmes një letre drejtuar Panelit të Inspektimit, si dhe menaxhimit të BB–së, ka kërkuar konfrontimin e fakteve, dokumenteve dhe konsideratave jokorrekte të raportit të inspektimit
Projekti i Jugut do të vazhdojë. Qeveria shqiptare është e gatshme të vijojë projektin e Jugut, i cili është financiar nga Banka Botërore. Nëse do të jetë nevoja, qeveria shqiptare do të përdorë fondet e veta për ta çuar deri në fund këtë projekt. Kjo është deklaruar dje nga ministri i Financave, Ridvan Bode, në një konferencë shtypi, i cili ka hedhur dritë mbi të vërteten e prishjes së ndërtimeve pa leje në bregdetin e Jugut. “Nëse Banka Botërore do të kërkojë zgjatje kohe të paarsyeshme për të mbajtur qëndrimin e saj në raport me projektin, qeveria shqiptare është e gatshme që të shtojë fondet e veta për ta bërë funksional projektin”, - ka theksuar Bode. Ministri theksoi se për Shqipërinë bregdeti shqiptar përbën një pasuri të vetme, e cila duhet vendosur në eficencë, sipas parametrave dhe standardeve më të mira evropiane. "Ne shprehim gatishmërinë tonë për të vijuar zbatimin e këtij projekti sa më shpejt, pasi me këtë projekt lidhen jo vetëm fondet e BB-së, por edhe fonde të donatorëve të tjerë, nga të cilët vjen edhe pjesa dërmuese e fondeve", - tha Bode. Sipas tij, edhe donatorët e tjerë kanë kërkuar vijimin e projektit dhe nëse banka do të kërkojë zgjatje kohe të paarsyeshme për të mbajtur qëndrimin e saj në raport me projektin, qeveria shqiptare është e gatshme që të shtojë fondet e veta për ta bërë funksional projektin. Duke u ndalur në disa prej detajeve të projektit, Bode tha se i gjithë projekti është 17.5 milionë euro, ndërsa pjesa e Bankës është shumë pak. Ai tha se projekti ka shtatë komponentë, njëri prej tyre ka qenë ai i planifikimit të territorit, ndërsa komponentët e tjerë përfshijnë portin e Himarës, zonën e Orikumit, infrastrukturën rrugore të fshatrave, furnizimin me ujë të pijshëm, kolektorin e ujërave të ndotura etj. "Më shumë se gjysma janë disbursuar, një pjesë janë të akorduara për këtë vit dhe nëse do të vijohet në mënyrë normale, fondet ekzistojnë që të shpenzohen, por sidoqoftë ne kërkojmë të mos ndërpritet dhe që donatorët e tjerë të gjejnë fondet e tyre të realizuara sipas projektit", - vuri theksin ministri Bode. Ministri Bode tha se çështja e projektit të menaxhimit të integruar të bregdetit shqiptar është një çështje e brendshme e BB-së dhe që nuk afekton aspak veprimtarinë e qeverisë në zbatimin konform të marrëveshjes të këtij projekti. "Qeveria shqiptare do të vazhdojë të insistojë përpara Panelit të Inspektimit, për të marrë një përgjigje rreth pasaktësive që ka pasur Paneli i Inspektimit, aq më tepër që ka pasur një raport nga një kompani e paguar prej BB-së dhe ky raport asnjëherë as nuk u publikua dhe as nuk u mor në konsideratë nga Paneli i Inspektimit", nënvizoi ministri i Financave. Ministri i Financave tha se ditët e fundit edhe shefja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, znj. Naumah, në vijim të qëndrimit të deklaruar nga Bordi i Guvernatorëve të Bankës Botërore konfirmoi faktin se çështja e projektit të menaxhimit të integruar të bregdetit shqiptar, është një çështje e brendshme e BB–së dhe që nuk afekton aspak veprimtarinë e qeverisë në zbatimin konform të marrëveshjes të këtij projekti. "Kohët e fundit, opozita, nën influencën e disa grupeve mediatike, të cilat humbën njollat e tyre të ndërtimit, të reflektuara në mënyrë korruptive në zonën bregdetare ku zhvillohet ky projekt, të cilat kishin filluar t’i marketonin këto njolla, si dhe nën ethet e shpifjeve ndaj qeverisë, kërkonin me çdo kusht të përfshinin qeverinë shqiptare në një çështje të brendshme të BB-së", - vijoi Bode. Ai shtoi se Bordi i Guvernatorëve të Bankës, si dhe zyra e saj në Tiranë, përmes deklaratave që distancojnë Bankën nga konsideratat e pabazuara të Panelit të Inspektimit në raport me qeverinë shqiptare, mori në mbrojtje dhe konfirmoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis qeverisë dhe Bankës, duke e cilësuar rastin e Shqipërisë në vijimësi si një histori të suksesshme bashkëpunimi. Ai tha se qeveria shqiptare, përmes një letre të Guvernatorit të saj drejtuar Panelit të Inspektimit si dhe menaxhimit të BB–së, ka kërkuar konfrontimin e fakteve, dokumenteve dhe konsideratave jokorrekte të raportit të inspektimit.
Bode: Prishja e ndërtimeve pa leje është detyrim i qeverisë
Ministri Bode tha dje se plani i njollave ndërtimore, i vendosur nga qeveria e mëparshme, përpiqet t’i atribuohet qeverisë aktuale. "Plani i miratuar përfundimisht dhe i hedhur për zbatim nuk përcakton njolla, madje i heq të gjitha njollat ndërtimore të vendosura në projektin e vitit 2005 nga qeveria e mëparshme. Ky ka qenë dhe elementi që ka prekur interesa të caktuara me Shqipërinë dhe që ka ndërhyrë në përgatitjen ose në tentativat për të mbrojtur vendosjen e njollave në këtë zonë ndërtimore”, - theksoi Bode. Ministri i Financave tha dje se qeveria i ka ofruar dokumente dhe fakte BB-së, ku vërtetohet se edhe para vitit 2007 ka pasur prishje të ndërtimeve pa leje, të cilat i janë prezantuar edhe Panelit të Inspektimit dhe Menaxhimit të Bankës. "Autorizimi për këto prishje është marrë nga z. Mark Nikolli, i cili ka qenë drejtor i Policisë Ndërtimore në atë periudhë", - u shpreh ministri Bode. Ministri argumentoi se prishja e ndërtimeve pa leje ka qenë një proces, i cili është konsideruar nga vetë projekti që në dhjetor 2004. "Banka kërkon dhe ekziston dokumenti për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonë, e cila do të mbulohet nga projekti dhe po ashtu, gjatë përpilimit të projektit, ka një komponent për Policinë Ndërtimore, që synon blerjen e mjeteve për prishjen e ndërtimeve pa leje, sepse ka qenë i konceptuar si i tillë", - sqaroi ministri. Por sipas tij, kjo nuk do të thotë që Banka ka dhënë urdhrin për prishjen e ndërtimeve pa leje, por që absolutisht ka qenë një proces i konsideruar prej saj.
“Prishja e ndërtimeve pa leje është pjesë e detyrimit të qeverisë, e cila duhet të zbatojë në mënyrë rigoroze ligjin. Ndërtimet pa leje janë prishur jo vetëm në zonën e mbuluar nga projekti i BB-së, por në të gjithë bregdetin shqiptar, nga Durrësi në Velipojë. Kjo përbën një detyrim për qeverinë shqiptare dhe askush nuk mund të kërkojë moszbatimin e ligjit, por zbatimin e tij", - deklaroi ai.