Projekti i bregdetit, qeveria: E financojmë vetë
"Nëse Banka Botërore e zgjat pa arsye kohën për qëndrimin rreth projektit, atëherë i gjejmë vetë fondet"
Qeveria u dërgon letër zyrtarëve të BB-së, ku e konsideron raportin e Panelit të Inspektimit të njëanshëm dhe pa fakte
Qeveria shqiptare i ka dërguar dje sinjale të forta Bankës Botërore, kur ka konsideruar pretendimet e raportit të bërë nga Paneli i Inspektimit, të manipuluara dhe të ndikuara nga qarqe të caktuara në Shqipëri. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se qeveria do t'i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, për të gjetur përgjegjësit. Ndërkohë, shtoi se qeveria është e vendosur ta financojë edhe vetë këtë projekt, nëse Banka kërkon kohë për të dalë me një qëndrim rreth tij. "Qeveria është shumë e angazhuar për të vazhduar projektin. Banka Botërore, shumë shpejt duhet të dalë me një qëndrim të sajin. Nëse ajo kërkon zgjatjen e kohës për të mbajtur qëndrimin e saj në raport me projektin, qeveria është e gatshme të shtojë fondet e saj për ta bërë atë",- tha dje gjatë një daljeje për shtyp ministri Bode. Ai bëri publike një letër dërguar zyrarëve më të lartë të Bankës Botërore në emër të qeverisë shqiptare, në të cilën, ky raport konsiderohet i njëanshëm dhe i pambështetur në faktet e mbledhura në terren. "Në respekt të raportit të Panelit të Inspektimit, do të donim të deklaronim se ky raport është i njëanshëm dhe i pambështetur në fakte në terren. Ne besojmë se reputacioni i Bankës Botërore do të dëmtohet thelbësisht me pranimin dhe marrjen e masave, bazuar mbi raportin e PI-së, të pambështetur nga faktet në terren dhe që përmban deklarata, të cilat mund të konsiderohen si shpifje për qeverinë. Përveç lapsuseve dhe keqinterpretimit të fakteve, në raportin e PI-së ka të paktën tri çështje, që janë krejt të papranueshme për qeverinë. Në vëmë re se ky raport shkon përtej lirive të veprimit të tij, duke u marrë me çështje të qeverisë dhe bërjen e deklaratave pa fakte", - citohet në letrën e dërguar nga qeveria shqiptare, zyrtarëve më të lartë të BB-së. Por, pak ditë me parë, raporti i Panelit të Inspektimit u pranua si i drejtë nga Grupi i Menaxherëve, të cilët përgatitën një raport dhe rekomandime të vetat. Shembja e prishjeve të ndërtimeve pa leje në Jalë, është bërë një argument për akuza për korrupsion mes qeverisë dhe opozitës. Bode tha se Paneli i Inspektimit është departament krejt i pavarur, dhe se marrëdhëniet e qeverisë me Bankën Botërore janë të shkëlqyera. Paneli i Inspektimit bëri një raport, i cili kritikonte mënyrën e procedurave të ndjekura me projektin e bregdetit të jugut, dhe ky raport, me vërejtjet e tij, u pranua si i tillë nga Grupi Menaxherëve. Projekti, prej 38.6 milionë dollarësh, financohet në masën 17.5 milionë nga Banka Botërore, e cila e ka pezulluar përkohësisht financimin e tij. Por, ka garantuar se projektet e tjera, në masën 300 milionë dollarë, do të vazhdojnë normalisht.
"Shembjet në bregdet, projektuar që në 2004-ën"
Prishjet në Jalë nuk kanë qenë të vetmet dhe nuk kanë nisur në vitin 2007, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se në raportin e Panelit të Inspektimit, thuhet se nuk ka pasur prishje të ndërtimeve pa leje para fillimit të këtij projekti, në pranverë të vitit 2007 dhe se këto përbëjnë prishjet e para në zonën e studimit që mbulon projekti. "Në të vërtetë, qeveria i ka ofruar dokumente dhe fakte BB -së, ku vërtetohet e kundërta dhe, sipas këtyre dokumenteve që i janë prezantuar edhe Panelit të Inspektimit dhe menaxhimit të Bankës, në vitin 2004 janë prishur 200 ndërtime pa leje; në vitin 2006 janë prishur 110 ndërtime, dhe në vitin 2007 janë prishur 90 ndërtime pa leje, në zonën bregdetare". Sipas Bodes, në Jalë, ku bëhet edhe epiqendra e debatit, në vitin 2004 është autorizuar prishja e 8 ndërtimeve pa leje, nga 12 që janë prishur në vitin 2007, dhe se autorizimi është marrë nga drejtuesit e atëhershëm të Policisë Ndërtimore. "Prishja e ndërtimeve pa leje është pjesë e detyrimit të qeverisë, cila duhet të zbatojë në mënyrë rigoroze ligjin dhe, ndërtimet pa leje, janë prishur jo vetëm në zonën e mbuluar nga projekti i BB -së, por në të gjithë bregdetin shqiptar, nga Durrësi në Velipojë. Kjo përbën një detyrim për qeverinë shqiptare dhe askush nuk mund të kërkojë moszbatimin e ligjit, por zbatimin e tij",- tha Bode. Ai tha se, aktualisht, në Sarandë dhe Ksamil po vazhdon një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje.