E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uniformat; Nxënësit kërkojnë të hiqen



Kishte vendosur që atë ditë të mos e vendoste uniformën, pasi nuk i pëlqente. Me një palë bluxhinse dhe një bluzë të bardhë me një stampë në pjesën e përparme, shkoi në shkollë, përfundoi mësimin, pasi kishte lënë nja dy orë për kafe, dhe doli për të na takuar. Algerti është ndër ata “rebelë”, që siç na thotë, më shumë nuk e veshin sesa e veshin uniformën e imponuar nga Ministria e Arsimit dhe në shumicën e rasteve nxjerr pretekste të çfarëdollojshme për të mos qenë i detyruar të “uniformizohet” me të tjerët.

Vazhdon studimet në vit të tretë të shkollës së mesme, por që në fillim e ka kundërshtuar veshjen e uniformës. “Faktikisht, atëherë e morëm vesh nga televizori që do vendoseshin uniformat dhe se senatet e nxënësve do të vendosnin vetë nëse donin të mbanin uniformë apo jo në secilën shkollë, – na thotë, – por pak ditë më vonë na thanë se senatet do të përzgjidhnin vetëm ngjyrën dhe modelin e uniformës dhe se të gjitha shkollat do ta kishin diçka të tillë”.

Kundërshtitë

Që në fillim, së bashku me një grup tjetër nxënësish, ai e kundërshtoi vendosjen e uniformave. “S`kisha ç’të bëja, se nuk na pranonin në mësim ditët e para”, – na thotë, duke shtuar se iu desh të paguante lekët për të marrë dy bluzat “e shpifura”, siç i cilëson, që ishin përcaktuar për shkollën e tij.

Kërkon që të mos e emërtojmë shkollën, që është një ndër më të mëdhatë të kryeqytetit, sepse ka frikë se mos i dalin probleme, por pranon të bëjë të ditur se si doli jashtë mode uniforma që do të hiqte dallimet nga nxënësit shqiptarë. “Të them të vërtetën, nuk kishim si t’ia bënim në fillim, por kur filloi dimri dhe i ftohti, s`kishin ç’të na bënin mësuesit, – rrëfen. – Atëherë filluam të visheshim më trashë, duke mos mbajtur më bluzat, se s’kishte sens, do dukeshim si idiotë”.

Prej asaj kohe rëndësia e uniformave gjithnjë fillonte të binte në shkollën e tij, aq sa ajo u bë me zgjedhje. “Tani, kur të dua mund të mos e vesh, po duhet ta mbaj nganjëherë, që të mos më çmendin në shkollë. Po, pa problem, edhe nesër pa uniformë do shkoj në shkollë”, – na thotë. Sipas tij, një pjesë e nxënësve vazhdojnë ta kundërshtojnë mbajtjen e uniformave, pasi sipas tyre, ajo është një mbetje e kotë e sistemit të kaluar, që u risoll me vrull pas 20 vjet harrese.

Për më tepër, gjatë verës situata kthehet kahkundërt. Në verën e vitit të kaluar, gjatë një vëzhgimi që kishte kryer gazeta, kishte dalë në përfundimin se shumë nxënës bënin “modifikime” në uniforma ose i braktisnin tërësisht ato, pasi ishin të papërshtatshme.

Atëherë, një prej nxënëseve të vitit të dytë të shkollës “Petro Nini Luarasi” kishte thënë se “uniforma nuk është e përshtatshme sepse është me mëngë të gjata” dhe se “kjo gjë duhet rregulluar sa më parë”. Në një orë mësimi me nxënësit e vitit të II b pjesa më e madhe e tyre ishte pa uniforma. Këto të fundit ato i kishin në çantat e tyre. Shkaku i mosveshjes së uniformave ishte mospërshtatja e tyre me stinën. “Ne nuk i kemi veshur uniformat se bën shumë vapë dhe ngjyra e errët e bluzave thith rrezet e diellit dhe të shton më shumë vapën”, - sqaronin ata.

Në këtë mënyrë, uniforma që dikur u fut vrullshëm nga Ministria e Arsimit në një mënyrë apo në tjetrën po humbet terren. Krejt ndryshe shfaqet situata në disa shkolla, si “Qemal Stafa”, ku drejtuesit e stafit pedagogjik kanë vendosur “dorë të hekurt”, duke mos lejuar që të bëhet asnjë dredhi ndaj rregullit. Por në shkollat e tjera, nxënësit, me miratimin e heshtur të mësuesve, kanë nisur t`i bëjnë bisht uniformës së imponuar nga ministria.

Debat... ideologjik

Pas këtij qëndrimi, nxënësit kanë filluar që atë që po bëjnë heshtur, ta kërkojnë edhe zyrtarisht. “Shpeshherë në diskutim me mësuesit e hedhim idenë e heqjes së uniformave, por na thonë se ky është një vendim i marrë nga ministria dhe se nuk kemi ç’të bëjnë”, – na thotë Algerti.

Në debatin e uniformave, gjithnjë në mes është futur edhe ideologjia. Por në kundërshtim nga sa pritej, ministri i atëhershëm i Arsimit, z. Genc Pollo, nuk i mëshoi një filozofie të djathtë, atij të konservatorizmit, në vendosjen e uniformës, por një mendësie të majtë, asaj të barazisë. Atëherë, ai kishte deklaruar se “nxënësit pavarësisht se nga vijnë, duhet të duken njësoj dhe uniforma e jep këtë mundësi. Nuk duhet që disa nxënës, vetëm se nuk kanë rroba të mira të ndihen inferiorë ndaj të tjerëve që i kanë këto rroba”.

Këtij qëndrimi vazhdojnë t’i atashohen edhe një sërë nxënësish. “Ne duhet të dallojmë nga ata që nuk janë në shkollë dhe uniforma është një mjet i mirë për këtë”, – na thotë një maturante e shkollës “Qemal Stafa”, që sipas saj, pak rëndësi ka për prejardhjen e nxënësve brenda shkollës, mjafton që ata të jenë në shkollë.

Por, zëra të tjerë i mëshojnë individualizmit dhe të drejtës për të qenë ndryshe nga të tjerët. “Unë nuk mund të pranoj që diçka të më imponohet kot, pa asnjë arsye, sikur të ishte uniformë burgu. S`jam as i punësuar në një institucion që duhet të më dallojnë të tjerët, si policët, as i burgosur që të dalloj nga të tjerët se kam ndonjë damkë”, – thotë Algerti.

Të tjerë marrin si argument të drejtat e individit. “Me sa di unë, ka një Konventë për të Drejtat e Njeriut, – na thotë Adela, bashkëmoshatare e Algertit, – ku thuhet qartazi se ndër të tjera njerëzit kanë të drejtë të kenë paraqitje të ndryshme dhe të vishen ndryshe. Kur atij që merr vendimin nuk i prish punë veshja ime ndryshe nga të tjerët, pse do të duhet që unë të jem e uniformizuar me ta?”

Uniformat

Në 15 shtator të vitit 2006, ministri i atëhershëm i Arsimit dhe i Shkencës kishte nënshkruar një udhëzim, që detyronte të gjitha shkollat e mesme dhe nëntëvjeçare që të vendosnin uniformë dhe se senatet e nxënësve të shkollave do të përcaktonin modelin e uniformës. Më pas, ministri zhvilloi një vizitë në shkollën “Qemal Stafa”, ku ishte parapërcaktuar se do të vendoseshin uniformat.

“Do të doja që fillimisht të hapnim një debat midis nxënësve, prindërve e mësuesve dhe kujtdo tjetër që mund të jetë i interesuar”, – kishte deklaruar ministri, pas miratimit të këtij udhëzimi. Më pas, ai deklaroi se nuk do të donte “që veshjen standarde ta vendosnim me urdhër nga lart, me dekret”, por se duhet të ishin nxënësit ata që do të përzgjidhnin uniformat.

Në fakt, bëhej fjalë vetëm për ngjyrën dhe modelin e uniformës, pasi ndërkohë ishte paravendosur me anë të udhëzimit, që nxënësit ishin të detyruar të pranonin këtë uniformë. Në disa shkolla të vendit, mësuesit me rreptësi nuk lejojnë askënd që nuk ka uniformë të hyjë nëpër klasa. Në shkolla të tjera, ata mbajnë një sy mbyllur, për të mos krijuar konflikte, pa marrë asnjë penalizim.

Disa janë të detyruar të mbajnë uniformën, për shkak të qëndrimit të nxënësve që ishin tri vite më parë në shkollë dhe “vendosën” diçka të tillë, të tjerë e mbajnë për shkak të vendimit që vetë morën atëherë. Në çdo rast, uniforma nuk është më një mjet i padiskutueshëm në shkollat dhe zërat për heqjen e saj sa vijnë e shtohen, së bashku me argumentet pro dhe kundër mbajtjes së një mjeti, të rikthyer, për uniformizimin e nxënësve shqiptarë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›