E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushtimi i Irakut “Gjyqi” britanik, farsë për ti hedhur hi syve botës

Autori i Lajmit: Nga Richard Norton-Taylor
Hetimi i shumëpritur mbi një nga vendimet më të diskutuara të marra nga një qeveri britanike në kohët moderne, filloi pak ditë më parë me detyrën për të zbuluar si dhe përse shteti mori pjesë në luftën në Irak. Ish-drejtuesi i “Uajtholl”-it, Sër Xhon Shilkot, i duhet të përballet me një kontroll si kryetari i ekipit prej pesë anëtarësh të caktuar nga kryeministri. Qeveria nuk dëshironte që hetimi të kryhej, dhe Gordon Braun pranoi që ai të bëhej kur trupat e fundit britanike të ishin larguar nga Iraku, por e gjitha jo zyrtarisht. E megjithatë hetimi do të kryhet zyrtarisht, edhe pse do ti kushtohet një kujdes i veçantë. "Informacioni i ndjeshëm” do të dëgjohet në mënyrë sekrete. Ai nuk do të bëhet publik nëse përcaktohet që “mund të dëmtojë interesin publik, sigurinë kombëtare, interesat e mbrojtjes dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”. Nuk do të bëhet publik nëse do të “paragjykojë ...pozicionin e HMG (qeverisë) në lidhje me çështjet ligjore në të cilat ajo është e përfshirë dhe që janë akoma në procedim” dhe thyerjet e ligjit duke mbrojtur sekretet e MI5, MI6, dhe GCHQ. "Asnjë dokument britanik dhe asnjë dëshmitar britanik nuk do të kursehet për këtë hetim”, - u shpreh Braun për deputetët në verë. Shilkot tha se që kur kryeministri i kishte dhënë komisionit “akses të plotë në të gjithë dokumentet qeveritare”, çështja qëndron tek fakti se sa do të zbulohen këto dokumente. Qëllimi i hetimit, - shprehet Shilkot, është të “përcaktojë përfshirjen e Britanisë së Madhe në Irak, duke përfshirë mënyrën në të cilën janë ndërmarrë aksionet dhe vendimet, për të vendosur sa më saktë që të jetë e mundur dhe për të identifikuar mësimet që mund të mësohen. Sipas uebsajtit të hetimit, komisioni gjithashtu “do të konsiderojë rolin kryesor të dëshmitarëve, dhe arsye të tjera origjinale si shëndeti ose siguria, të cilat do të ndikojnë në sinqeritetin dhe paraqitjen e tyre në publik”. Shilkot përforcon idenë se hetimi nuk është një gjyq. “Nuk i takon komisionit të gjejë fajtorët apo të pafajshmit”, - thotë Shilkot. Ai shton se komisioni “nuk do të kursejë kritikat për individët dhe sistemet, atëherë kur duhet”. Qeveria ka dhënë imunitet për të mos marrë masa ndëshkimore ndaj zyrtarëve në shërbim dhe personelit ushtarak që do të dëshmojnë. Kjo, shprehet komisioni, “do të ndihmojë për të siguruar që dëshmitarët të japin dëshmi të ndershme”. Nëse një dëshmitar shqetësohet për vetinkriminimin në një vepër penale, atëherë komisioni do tu kërkojë zyrtarëve të ligjit që dëshmia të mos përdoret për ndjekje penale ndaj tyre”. Nëse hetimi merr prova të mjaftueshme për vepra penale të kryera dhe që nuk u ishin bërë të njohura autoriteteve investigative”, atëherë ai është i detyruar për tia referuar provat autoriteteve investigative”, - thotë komisioni. Dëshmitarët e parë përfshijnë Sër Piter Rikets, një ish-kryetar i komisionit të shërbimeve sekrete të “Uajtholl” dhe drejtor politikash në Zyrën e Jashtme. Sipas dokumenteve të bëra publike pesë vjet më parë, ai e përshkroi SHBA-në "në përpjekje për të vendosur një lidhje midis Irakut dhe Al Kaedës" – një lidhje e cila ishte "ndershmërisht deri më sot, jo fort bindëse". Sër Majkëll Ud, këshilltari kryesor ligjor në FO në periudhën e pushtimit, dha dëshminë e tij ditën e martë. Pak para pushtimit atij iu dërgua një letër dorëheqjeje nga deputetja e tij, Elizabeth Uilmshurst, e cila paralajmëronte se në mungesë të një rezolute të Kombeve të Bashkuara që autorizonte fillimin e luftës”, përdorimi i paligjshëm i forcës në një shkallë të tillë konsiderohet një krim agresioni”. Toni Blerit i duhet të japë prova vitin e ardhshëm, përpara se hetimi të pushojë e derisa të kryhen zgjedhjet e përgjithshme përpara 3 qershorit 2010. Hetimi do të shqyrtojë ngjarjet që prej sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, të cilat sollën pushtimin e Irakut, dhe deri në përfundimin e prezencës ushtarake britanike në korrik të këtij viti. I pyetur për parashikimet që raporti i tij do të fshehë faktet problematike, Shilkot u përgjigj: "Nuk do të jetë kështu, por gjykimi i njerëzve do të varet nga fakti se si do të interpretohet kur të bëhet publik”. "Të pestë anëtarët e komisionit, përfshirë dhe mua, janë totalisht të pavarur, me pikëpamje të ndryshme dhe eksperienca të ndryshme”, - deklaroi ai.

Pesë pyetjeve që do tu japë përgjigje hetimi

1. Çfarë sigurie i dha Toni Bler Xhorxh Bushit rreth përfshirjes së Britanisë së Madhe në luftën në Irak?

Faktori më i rëndësishëm që çoi Britaninë në luftë është një sekret kyç që hetimi Shilkot mund të zbulojë. Çelësi mund të jenë garancitë që Toni Bler i dha Xhorxh Bushit në një seri takimesh bilaterale, si ato në fermën e presidentit në Krauford, Teksas në prill 2002. Një dokument i klasifikuar, i bërë publik, zbulon se dy muaj më vonë zyrtarët e Uajthall vërejtën: “Kur kryeministri diskutoi Irakun me presidentin Bush në Krauford në prill, ai tha se Britania e Madhe do të mbështeste ndërhyrjen ushtarake për të ndryshuar sistemin qeverisës në Irak”. Por i pyetur në korrik 2002, nëse qeveria po përgatitej për ndërhyrje ushtarake, Bler u shpreh: “Jo. Nuk kemi marrë vendime për të ndërmarrë ndërhyrje ushtarake”.

2. A u paralajmërua Toni Bler nga Lordi Goldsmith, prokurori i Përgjithshëm dhe Xhek Strou, sekretari i Jashtëm, që ndryshimi i regjimit nuk ishte një justifikim i ligjshëm për të pushtuar Irakun? Dhe çfarë ndodhi midis 7 marsit dhe 17 marsit 2003 për ta bindur Goldsmith të ndryshonte pikëpamjet e tij rreth ligjshmërisë së pushtimit?

Bleri i mori vendimet me një grup të vogël këshilltarësh të ngushtë, të përshkruar nga Batler si “divani i qeverisë”. Roli i këtyre këshilltarëve, respektivisht Lord Falkoner dhe Lady Selli Morgan, në bindjen e Blerit që pushtimi ishte i ligjshëm, duhet akoma të zgjidhet dhe qartësohet. A iu desh qeverisë të krijonte një alibi për të pushtuar Irakun, për shembull deklarimin që Sadami refuzoi të hiqte dorë nga armët e shkatërrimit në masë?

3. Përse shërbimet sekrete e lejuan veten që të shfrytëzoheshin?

Pavarësisht shqyrtimit të kryer nga ish-sekretari i kabinetit, Lordi Batler, i cili analizoi si ishin përdorur dhe abuzuar shërbimet sekrete, akoma nuk ka një përgjigje të plotë për pyetjen. Sër Riçard Diërlov, drejtuesi i MI6, u shpreh përpara ministrave në korrik 2002 se në SHBA “shërbimet sekrete dhe faktet rregulloheshin sipas politikës”. Analiza e Batlerit nuk u bazua në shërbimet sekrete britanike, por më shumë në ato çka Riçard Diërlov tha mbi shërbimet sekrete amerikane.

4. A i vonoi qeveria përgatitjet ushtarake?

Një pyetje e rëndësishme është se në çfarë mase për arsye politike dhe diplomatike qeveria vonoi përgatitjet ushtarake. A çoi kjo, siç deklarojnë komandantët ushtarakë, në pakësimin e logjistikës, duke përfshirë veshjet e blinduara për trupat britanike dhe nevojën për tu mbështetur në shpenzime të panevojshme për “nevoja urgjente operacionale”?

5. Çfarë planesh ishin ndërtuar për Irakun pas pushtimit?

Në janar të vitit 2003, Bush i tha Blerit se ai “nuk
mendonte që do të kishte një luftë shkatërrimtare ndërmjet grupeve fetare dhe etnike” pas pushtimit në Irak. Por përgjigjja e Blerit nuk bëhet e ditur. Zyrtarët e Zyrës së Kabinetit u shprehën para ministrave në korrik 2002 se “një pushtim pas lufte i Irakut mund të sjellë një ushtrim të tejzgjatur dhe të kushtueshëm të procesit të ndërtimit të shtetit.
(The Guardian)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›