E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i bën thirrje opozitës të mos ndjellë pesimizëm për procesin e kartave

Berisha ka sulmuar nga rrethi i Pogradecit opozitën për zhdekurajimin që po i bën procesit të kartave të identitetit. Kryeministri Berisha ftoi opozitën që të ndihmojë në procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime dhe i ka bërë thirrje asaj që të mos ndjellë pesimizëm dhe dëshpërim kur gjërat ecin normalisht, por të shprehë çdo shqetësim që lind. Qeveritarët vendorë të opozitës, të cilët e kanë në dorë procesin në qytetet e mëdha të vendit le të shprehen për çdo shqetësim që lind dhe në këtë mënyrë ne mund të korrigjojmë me shpejtësi procesin, ka vijuar Berisha, duke i cilësuar deklaratat e opozitës për dështimin e këtij procesi, deklarata në kuadër të përpjekjes shkuarjuese. Sipas tij, në një seri komunash, të gjithë qytetarët pa pasaporta, të cilët i përkasin të gjitha spektrave politike, kanë aplikuar. Ftoj opozitën ti bashkëngjitet këtij procesi. Do të ishte mirë që deklaratat e tyre të përditshme të shndërroheshin me kontrolle në kuadrin e Komisionit Parlamentar, qeveritarët vendorë të opozitës nuk duhet të politizojnë gjërat, të cilat mendoj se nuk janë as interes i opozitës, u shpreh kryeministri Berisha duke shtuar se numri i qytetarëve në mbarë vendin, që aplikojnë për karta identiteti është i madh. Sipas tij, në Tiranë nga 80 mijë qytetarë pa pasaporta, para datës 1 prill 60 mijë prej tyre kishin aplikuar dhe pas kësaj date vendimi i qeverisë ka ndaluar aplikimet për personat që kanë pasaporta. Gjithashtu, Berisha ka garantuar se në 28 qershor, shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje me kartat e identitetit e duke theksuar angazhimin për zgjedhje të lira e të ndershme, kreu i qeverisë tha se shumë shpejt do të lejohet aplikimi edhe për qytetaret me pasaportë. Në ditën e tij të dytë të qëndrimit në qarkun e Korçës kryeministri Sali Berisha është ndaluar në rrethin e Pogradecit, në komunën Çërravë dhe në fshatin me të njëjtin emër për të parë nga afër procesin e aplikimit për kartat identitetit. Duke u bërë thirrje banorëve që të aplikojnë për kartat e identitetit, ai ka siguruar se javën e ardhshme do të nisë në shkallë vendi shpallja e skemës së rimbursimit të çmimit për ata që përfitojnë. Unë ju siguroj se qeveria do ti përmbahet pikë për pikë zotimit të saj për rimbursimin e çmimit për kartat e identitetit. Pra, nuk do t'ju mbetemi borxh, por qeveria në një kohë shumë të shkurtër do tua rimbursoje atë vlerë, ashtu sikurse ajo ka premtuar. Po merren të gjitha masat me qëllim që javën që vjen ne të shpallim skemën e përshpejtimit të plotë të procesit të rimbursimit të shumave që qytetarët meritojnë nga aplikimi i tyre, ka veçuar, kreu i qeverisë. Ashtu siç është thënë edhe më parë, në bazë të kritereve të përcaktuara do të rimbursohen pensionistët, për qytetarët me ndihmë ekonomike me 2 mijë lekë, për studentët me 2 mijë lekë, ndërsa për komunitetin rom, egjiptian dhe tetraplegjikët do të jenë falas.
Berisha: Hyrja në BE në mandatin e dytë të mazhorancës
Kryeministri Berisha ka ndryshuar premtimin për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian, pasi nuk përmendi më afatin e deridjeshëm të gjashtëmujorit të fundit të këtij viti ose 6 muajt e parë të mandatit të dytë, që përkthehet brenda vitit 2009. Duke iu drejtuar të rinjve, kreu i qeverisë ka shprehur bindjen se hyrja në BE do të realizohet brenda mandatit të dytë të mazhorancës. Për çdo shqiptar është moment solemn sepse pasioni juaj i lirisë do të jetë uragani i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Jam këtu për tu zotuar se ne së bashku, në kohën më të parë të mandatit tonë të dytë do të realizojmë liberalizimin e vizave. Ju do të shëtisni në mbarë Evropën si qytetare të lirë të saj, ka theksuar kreu i qeverisë, gjatë një takimi të zhvilluar me rininë e Korçës. Të njëjtin qëndrim kanë përsëritur edhe kryetarja e kuvendit Topalli si dhe ministri Basha. Kryeministri Berisha duke vlerësuar rolin e rinisë tek e ardhmja, ka deklaruar se në mandatin e dytë qeverisës, prioritet absolut do të kenë projektet për rininë, dhe e cilësoi atë uragan që do të mundësojë integrimin. Të gjithë së bashku jemi të bindur, se ne meritojmë atë që na grabitën padrejtësitë e kohërave, diktaturat dhe pushtimet. Ne e meritojmë të ardhmen, por unë jam i bindur se investimi më i shkëlqyer për të ardhmen është investimi tek ju, tek mendja juaj, tek shkollimi dhe punësimi juaj, ka vijuar kreu i qeverisë. Pak përpara përfundimit të takimit, Berisha prezantoi Gerti Bogdanin si liderin e ri të të rinjve demokratë. Një student i shkëlqyer i shkolluar në SHBA sikundër theksoi kryeministri. Takimi me të rinjtë korçarë ka mbyllur axhendën zyrtare në këtë qytet të kryetarit të qeverisë, Sali Berisha si pjesë e turit Shqipëria po Ndryshon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›