Ruli: Politika e re e Ramës, Uri e re
Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli njëkohësisht deputeti i Gjirokastrës, ka marrë dje takime me banorë të komunave Qesarat dhe Kurvelesh të rrethit Tepelenë. Duke folur për politikën e re, Ruli ka sulmuar Edi Ramën që sipas tij mbetet një ambicioz i ri, një karrierist i ri por kurrsesi një politikan i ri. Politika e re, sipas Rulit, është ajo që i shërben më mirë qytetarit për shkolla, arsimimin e fëmijëve dhe që e afron më shpejt me Evropën. Politika e Ramës nuk është politikë e re, por "Uri e re" për të ndarë pasurinë e vendit.
Gjithë bizneset nga veriu në jug, Rama do ti kthejë në nënkontraktore të bizneseve të veta. Rama në grazhdin e së majtës ka ngrënë, ndërkohë që tani nuk njeh askënd por po na bën politike të re, ka veçuar ministri Ruli. Sipas tij, lejet e ndërtimit në Tiranë, ashtu sikurse të gjithë e dinë, nuk mund të merren pa Mano Kaleshin, sekserin e Ramës. Më tej Ruli ka folur për politikat qeverisëse, pagat pensionet dhe grumbullimin e tatimeve. Një rëndësi të veçantë, ministri i kushtoi investimeve të realizuara në këto 4 vjet, veçanërisht në fshat për rrugë, ujësjellës dhe kanalizime. Takimet e emërtuara paraelektorale, synojnë të realizojnë një ballafaqim konkret me komunitetin për atë çka u premtua dhe në fakt u realizua këto 4 vjet. Sipas Rulit është krejt normale që qeveria të bëjë një rezyme të punëve të saj në përfundim të mandatit. Ky është një standard i ri i komunikimit me ata, që na dhanë votën. Kemi bërë shumë në këto 4 vjet, ndërkohë që të tjerët nuk i bënë dot në 8 vjet, ka theksuar ministri i Ekonomisë dhe deputeti demokrat i Gjirokastrës, i cili është njohur më nga afër me shqetësimet e banorëve të komunës së Qesaratit për masën e zhdëmtimit të tokave, që zë liqeni i Kalivaçit. Në lidhje me këtë problem, ai siguroi banorët se asnjë vepër sado e rëndësishme, nuk mund të ngrihet duke abuzuar mbi pronën e tjetrit. Gjithashtu, ftoi në një takim përfaqësuesit e pushtetit lokal, shoqatën për probleme të shpronësimit në tokat që zë liqeni i Kalivaçit dhe përfaqësues të firmës së ndërtimit të hidrocentralit për të harmonizuar punën. Liqeni i Kalivaçit pritet të krijohet në vitin 2011, por banorët gjithmonë kanë qenë të shqetësuar për shtëpitë që humbasin tokat dhe objektet social-kulturore. Çmimi i tokës sipas Rulit diktohet nga çmimet e tregut dhe nuk vendosen apriori. Ruli ka zhvilluar një takim edhe në Komunën e Kurveleshit ku është përqendruar kryesisht në problematikën që hasin zonat e thella si në infrastrukturën rrugore, ashtu edhe në shërbimet që ju afrohen si në arsim dhe shëndetësi. Një theks të veçantë ai i kushtoi punës që po bën qeveria në drejtim të rritjes së pensioneve të fshatit.