Topalli: Rama kundër të varfërve se vetë ka mbi 1 milionë lekë rrogë dhe 15 përqindshat e lejeve të ndërtimit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nga komuna Postribë, Shkodër duke u ndaluar në alternativat që ofron e majta, kritikoi qëndrimet e shfaqura së fundi nga kryetari socialist Edi Rama, për heqjen e asistencës sociale, familjeve në nevojë. I them kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili u shpreh se ata që marrin ndihmë sociale, ndihma nga shteti, janë parazitë dhe nuk do ua japë më. E para, nuk do të të votojnë ty. E dyta, Partia Demokratike nuk të lejon ty, që për ata njerëz që kanë nevojë, të mos marrin ndihmë sociale, sepse ai e di mirë se e ke rrogën 1 milion e gjysmë, shto edhe 15 përqindëshat e lejeve të ndërtimit.
As e çoj nëpërmend, që kryetari i bashkisë të mos e japë ndihmën sociale për familjet që janë në nevojë, që kanë probleme shëndetësore dhe kjo mbështetje e shtetit do të shumëfishohet në mandatin e ardhshëm, ka bërë të ditur kryetarja Topalli. Gjatë vazhdës së akuzave të saj, ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, ajo e ka akuzuar këtë të fundit për mospasje ideje dhe koncepti. A mbani mend gjatë gjithë dialogut të Edi Ramës në Shqipëri apo nga inciklikat e Edi Ramës, mbani mend ju të ketë thënë ndonjë koncept, një frazë, të ketë dhënë një ide, të ketë thënë një fjalë që ka mbetur në mendjen tuaj? Dhe a dini pse nuk mbani mend asnjë frazë? Sepse ai nuk ka asnjë koncept dhe asnjë ide. Me përjashtim të një koncepti, të konceptit të lejeve të ndërtimit, ka veçuar ajo. Duke qëndruar në linjën e kritikave ndaj kundërshtarëve politik, kryetarja e kuvendit ka sjellë shembuj të realizimeve konkrete në këtë zonë nga qeveria shqiptare. Partia Socialiste gjatë qeverisjes së saj nuk ka dhënë as 1 milion lekë për komunën e Postribës. Tani investimet janë 2 milionë dollarë. Unë këtu premtoj se këto projekte që ju keni filluar, parashikuar për vitin 2009, Sali Berisha do ti plotësojë, do ti realizojë dhe në fund të vitit të parë të mandatit të ardhshëm, ato do të kthehen në një realitet të prekshëm, tha kryetarja e Kuvendit. Ndër të tjera, gjatë fjalës së saj, Topalli ka konfirmuar sërish se mazhoranca e djathtë në fundin e vitit të parë të mandatit të ardhshëm do të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të lëvizin pa viza dhe se në mandatin e ardhshëm maxhoranca e djathtë do të thellojë luftën kundër varfërisë dhe do të vazhdojë më rritjen e pagave dhe pensioneve. Prioriteti ynë në mandatin e ardhshëm është që të pasurit jo të pasurohen, por të varfrit të dalin nga varfëria, duke bërë të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve, ka theksuar ajo. Në vijim të takimeve, të saj, kryetarja e Kuvendit ka qenë edhe në komunën e Grudës dhe Guri Zi, ku ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen që banorët e këtyre komunave u japin reformave për ndryshim