Bode: Raporti vlerëson progresin që ka pasur ekonomia shqiptare

Ministri i Financave, Ridvan Bode përshëndeti gjate ditës së djeshme në Kuvend raportin e fundit të Komisionit Evropian lidhur me progresin e Shqipërisë në procesin e përafrimit dhe të anëtarësimit në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për vitin 2008.
Në fjalën e tij Bode nënvizoi se “Ky raport, edhe një herë, konfirmon progresin e konsiderueshëm të bërë nga Qeveria shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptar në procesin e anëtarësimit dhe përafrimit në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, si dhe është një inkurajim për Qeverinë, për dikasteret, institucionet, në angazhimin e madh politik të ndërmarrë për t’ju bashkëngjitur familjes evropiane”.
Duke iu referuar raportit në lidhje me aspektet ekonomike Bode pohoi se “Do të doja të vlerësoja dhe do të falënderoja Komisionin Evropian lidhur me aspektet ekonomike dhe zhvillimet që ka pasur ekonomia shqiptare, financat publike, sistemi monetar, sistemi bankar në harkun e vitit të fundit, vlerësime këto të cilat në tërësinë e tyre inkurajojnë më tej administratën, Qeverinë shqiptare për të intensifikuar reformat e deklaruara, për të materializuar dhe zbatuar programet e ndërmarra”.
Lidhur me vlerësimin që raporti i bën ekonomisë shqiptare Bode deklaroi se “Në këtë raport evidentohet progresi i bërë në harkun e një viti nga institucionet e shtetit shqiptar, në mënyrë të veçantë nga Qeveria, nga administrata fiskale në procesin e tenderimeve dhe në të gjitha shërbimet publike, për uljen e nivelit të korrupsionit”.
Lidhur me luftën kundër korrupsionit Bode vuri në pah faktin se “Në raport theksohet se janë bërë hapa të konsiderueshëm përpara në luftën kundër korrupsionit dhe ky, sigurisht, është një konstatim krejt ndryshe nga ai i disa viteve më parë, kur korrupsioni konsiderohej si një pjesë strukturale e qeverisjes, si një fenomen mbizotërues në administratën publike”.
...