E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Reforma, realiste dhe konkuruese

Ministri i Financave: Një reformë e suksesshme financiare duhet të garantojë me çdo kusht konkurrueshmërinë

Reforma në arsimin e lartë duhet të sigurojë konkurrueshmërinë, si dhe të bazohet në kushtet reale të vendit tonë. Ndryshe nga kërkesat e universiteteve për një model perëndimor, kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, i pranishëm në konferencën për financimin e arsimit të lartë deklaroi se reforma është realiste për Shqipërinë. Sipas tij, referoma e financimit të universiteteve duhet të jetë realiste, si dhe të bazohet në mundësi reale dhe jo presupozim fondesh të paqena. Në këtë mënyrë, ministri Bode u ka kthyer përgjigje drejtuesve të universiteteve që presin reforma moderne në arsimin e lartë se ato nuk mund të realizohen pa marrë në konsideratë kostot dhe mundësitë ekonomike të vendit. “Reforma e financimit të universiteteve duhet të jetë realiste, duhet të bazohet në mundësi reale dhe jo presupozim fondesh të paqena. Shpeshherë debatet rreth reformimit dhe modernizimit të arsimit të lartë çojnë në diskutime dhe krahasime pa asnjë lloj baze dhe sensi”, - është shprehur ministri i Financave. Ai ka vlerësuar se stadi aktual i reformës në arsimin e lartë është tepër i rëndësishëm, duke u shprehur se “përtej pasioneve të debateve ne duhet të pranojnë se në thelb kemi nevojë të ndryshojmë mekanizmin e këtij sistemi, duke përdorur instrumentet që kanë dëshmuar eficiencë dhe qëndrueshmëri në kohë në vende të tjera”. “Masivizimi i arsimit të lartë përbën një sukses të madh, por që të gjithë jemi të vetëdijshëm se shndërrimi i këtij avantazhi sasior numerik në mall për tregun me avantazhe konkurruese për një treg rajonale global të punës kërkon në mënyrë thelbësore rritjen e cilësisë së shkollimit. Padyshim që stadi aktual i reformimit të arsimit të lartë, diskutimi për skemën e financimit ka në thelb skemën e rritjes së cilësisë dhe formimit universitar. Si çdo gjë tjetër, si në çdo veprimtari tjetër ekonomike e shoqërore dhe në koherencë të plotë me sistemin tonë shoqëror e ekonomik do të ishte naivitet që të shpresojmë përmirësime rrënjësore e cilësore pa ndihmën e konkurrencës. Prandaj, një reformë e suksesshme financiare duhet të garantojë me çdo kusht konkurrueshmërinë, pavarësisht debateve interesante për ritmet, shkallëzimin dhe kohën”, - ka pohuar më tej ministri Bode. Duke mos i anashkaluar aspak akuzat edhe për skemën e re të financimit të universiteteve, kreu i Financave është shprehur se me gjithë këto kundërshtime, liberalizimi i tregut në arsimin e lartë do të jetë pozitiv për qytetarët, universitetet dhe vendin. “Ne kemi zgjedhur një model ekonomik duke zgjedhur një model të funksionimit shoqëror, çka do të thotë se reforma duhet të jetë realiste. Por, kjo nuk do të thotë se do të kemi ulje të fondeve që do të destinohen për arsimin, por përkundrazi ato do të merren, duhet të merren në konsideratë sipas kontekstit të zhvillimit tonë ekonomik. Debati rreth kësaj çështjeje do të vijojë, por e rëndësishme është që ne guxojmë. Shpesh reformat liberalizuese që i kanë hapur të gjitha mundësitë e konkurrencës dhe tregut kanë ndodhur që në momentet e para të tyre të kenë reflektime jo fort të arsyeshme. Ne jemi vendi që kemi tentuar në kohë të vështira të tilla reforma liberalizuese dhe kemi marrë akuza për çmimin e bukës e vajgurit apo dhjetëra shërbime të tjera që po liberalizohen. Por të jeni të bindur që, nëse liberalizohen do të jetë shumë më mirë për të gjithë qytetarët, për universitetet dhe vendin”, - ka pohuar ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas tij, reformimi i mekanizmit të financimit universitar duke e konsideruar atë si një shërbim publik, por jo domosdoshmërisht si një aktivitet të mirëfilltë ekonomik shtetëror, duhet të sigurojë lirinë për të zgjedhur dhe mundësinë e plotë të aksesit për të zgjedhur. Ndaj sipas tij, reformimi i mekanizmit të financimit universitar duhet të vendosë në qendër studentin, produktin e këtij shërbimi, i cili do të jetë njëkohësisht edhe përfituesi i tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›