E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2011, ja harta e shpenzimeve

“Harta” e shpenzimeve për vitin 2011 kryesohet nga pensionet, të cilat vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të parave të shqiptarëve. Sipas kalkulimeve të “Open Data”, 105.7 miliardë lekë ka qenë shuma e akorduar për skemën e pensioneve e thënë ndryshe, 25.84% të gjithë buxhetit. Krahasuar me vitin 2010, ky funksion ka pësuar një rritje prej 7%. Në vend të dytë pas saj, por me një diferencë të theksuar, është funksioni i “Transportit” me 48.8 miliardë lekë ose 11.85% të Buxhetit. Krahasuar me një viti më parë, ky funksion ka pasur një rritje fare të lehtë, me rreth 500 milionë lekë, ndërsa krahasuar me 2009-n, ka pësuar një rënie me 36% të fondeve, nga 75.6 miliardë lekë në 48.8 miliardë. Funksioni i tretë, i cili financohet më shumë nga Buxheti i Shtetit, është “Kosto e Borxhit”. Shumat e interesave të paguara për borxhin e brendshëm apo të jashtëm të marrë nga Shteti Shqiptar, për vitin 2011 janë parashikuar plot 47.8 miliardë lekë. Kjo do të thotë se shqiptarët po paguajnë më shumë për interesa se sa për investime në rrugë, apo sistemin arsimor, shëndetësor e kështu me radhë. Ky zë thith 11.7% të shpenzimeve totale dhe ka ardhur në rritje të vazhdueshme prej vitit 2007 me të paktën 5 miliardë lekë çdo vit. “Arsimi” dhe “Shëndetësia” vazhdojnë të qëndrojnë në një konstante përkatësisht me rreth 10% dhe 8-9% të buxhetit, ndërkohë që “Mbrojtja” është në nivelin 5.2%, duke thelluar akoma më tej diferencën me “Rendin dhe Sigurinë”. Kjo do të thotë më shumë para për sigurinë kombëtare e ushtrinë sesa për rregullin e brendshëm e policinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›