E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Hipoteka, tani edhe për pallatet e papërfunduara

Drafti i përfunduar i Ministrisë së Drejtësisë parashikon që nga janari 2012, të gjithë qytetarët që kanë blerë apartamente të reja do të pajisen me hipotekë. Drafti parashikon që edhe objektet që sapo kanë nisur të ndërtohen, pasi kanë marrë lejen nga Bashkia, do të pajisen me hipotekë.

Sabina Veizaj

Ministria e Drejtësisë zbardh draftin e ri për hipotekimin e pallateve, ndërsa ndërtuesit kërkojnë që të hipotekohen edhe shtesat e pallateve që janë ende tek ALUIZNI të palegalizuara. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi është shprehur dje se, drafti i sapopërfunduar për të cilin ka punuar institucioni që ai drejton, parashikon që duke filluar nga 1 janari 2012, të gjitha ndërtimet e qytetarëve mund të regjistrohen në zyrat e hipotekave edhe kur objektet janë të papërfunduara, thjesht në themel. Pra, sipas draftit në fjalë, qytetarët do të bëhen pronarë edhe kur objekti është në ndërtim e sipër. Drafti në fjalë parashikon gjithashtu edhe shmangien e të gjitha abuzimeve me shitjen më shumë se një herë të objekteve. “Përmes kësaj procedure mënjanohet konflikti mes ndërtuesve dhe pronarëve të truallit. Që në momentin që merr lejen nga Bashkia, menjëherë merr një kartelë të re për regjistrimin e një godine që do të ndërtojë. Kjo do të thotë që të nesërmen kur ai do të nënshkruajë kontratat për shitjen e apartamenteve, qytetarët do të shkojnë menjëherë në hipotekë për të regjistruar apartamentin e tyre. Ky draft shmang gjithashtu abuzimet që mund të ndodhin me shitjen dy ose tri herë të apartamentit dhe çdo konflikt që mund të haset në të ardhmen mes ndërtuesit, investitorit me pronarin e truallit”, - u shpreh ministri Halimi. Ai gjithashtu bëri me dije se hipotekat do të ristrukturohen dhe do të funksionojnë me vetëfinancim që prej 1 janarit 2012. Në të njëjtën kohë, i gjithë shërbimi i qytetarit do të dixhitalizohet duke u shmangur burokracirat nëpërmjet institucionit të noterit. Kjo do të ndihmojë, sipas tij edhe në përshpejtimin e kredive. Sot në një tryezë me pjesëmarrës Ministrinë e Drejtësisë, ndërtuesit dhe bankat, do të zbardhet drafti i hartuar nga Ministria e Drejtësisë për hipotekimin e pallateve të reja në kryeqytet, projekt i cili do të shtrihet më pas në gjithë vendin. Ashtu siç kishin kërkuar edhe ndërtuesit, objektet do të pajisen me hipotekë që në fillesat e ndërtimit, duke i bërë pronarë të pasurive të tyre të paluajtshme si de juro dhe de fakto ata që do të paguajnë për të blerë apartamentet. Ndërkohë që ndërtuesit gjatë zbardhjes së draftit do të njohin ministrinë dhe grupet e tjera të interesit me informacionet lidhur me objektet e ndërtuar duke prezantuar dosjet me gjithë të dhënat. Nga ana e tyre, ndërtuesit kërkojnë që gjatë procesit të hipotekimit të përfshihen edhe shtesat e pallateve që presin tek ALUIZNI të palegalizuara. Sipas ndërtuesve, ata gjykojnë se në draft duhet të parashikohet që ata të paguajnë për shtesat e pallateve, dosjet e të cilave janë ende tek ALUIZNI dhe nuk janë legalizuar, dhe të hipotekohen. Zv/kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika shprehet për MAPO-n se sot, ata do të marrin pjesë në tryezën ku do të zbardhet drafti i Ministrisë së Drejtësisë për hipotekimin e pallateve dhe do të bëjnë gjithashtu propozimet e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›