E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Reformat e ndërmarra ulën krimin ekonomik dhe evazionin fiskal

Ministri i Financave Ridvan Bode vlerësoi të mërkurën punën e Task Forcës për luftën kundër krimit ekonomik dhe evazionit fiskal, ndërsa theksoi se veprimtaria në këtë komision të përbashkët hetimor, përputhet tërësisht me angazhimin dhe prioritetet e qeverisë për një tolerancë zero ndaj krimit ekonomik, korrupsionit e evazionit fiskal. Gjatë konferencës së organizuar në Tiranë, me rastin e dy vjetorit të krijimit të kësaj strukture pranë Prokurorisë së Tiranës, Bode u shpreh se qeveria ka si objektiv të saj përmirësimin thelbësor të shërbimeve ndaj qytetarëve, shërbime të cilat mbështeten përmes një programi ambicioz të investimeve publike, intensifikim dhe garantim të rritjes ekonomike. "Në këtë kuadër organizimi i këtij komisioni të përbashkët hetimor ka luajtur një rol të rëndësishëm për të dekurajuar veprimtarinë joligjore të agjentëve ekonomikë dhe çdo aktivitet kriminal në fushën e ekonomisë", vijoi Bode. Sipas tij, angazhimi i administratës fiskale, reformat e ndërmarra në fushën fiskale, kanë mundësuar që të arrihet ky objektiv përmes një politike që ka synuar uljen thelbësore të taksave. "Shqipëria në harkun e tre viteve ka ulur më shumë se dy herë barrën e taksave mbi ekonominë, mbi biznesin për të krijuar në ekonominë shqiptare një ambient inkurajues për rritjen e investimeve direkte në ekonomi, të huaja dhe të brendshme", theksoi ai. "Ne ulëm mbi dy herë nivelin e taksave dhe mundësuam që në 3 vite përmes dominimit mbi korrupsionin, informalitetit të përhapur dhe krimit ekonomik, të rrisim në buxhetin e shtetit, mbi 3 miliard dollarë, çka do të thotë më shumë se 1.5 herë niveli i buxhetit të vitit 2004", tha Bode. Duke u ndalur në hapat që pritet të ndërmerren në të ardhmen, Bode tha se MF-ja, po përgatit planin e saj për administrimin fiskal, i cili fokusohet në strukturimin tërësor të shërbimeve tatimore dhe doganore, informatizimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. Ai shtoi se po punohet edhe në drejtim të përmirësimit të sistemit apelues, me dy nivele administrative dhe gjyqësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›