Meta me fasonët: Ja programi ynë për të ndihmuar biznesin
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka zhvilluar dje një vizitë në një nga industritë e prodhimit të veshjeve me material porositësi, apo sikurse njihen ndryshe industria e fasonëve. Pas bashkëbisedimit me punonjësit dhe njohjes nga afër me problemet që përballen aktualisht të tilla ndërmarrje, që punësojnë rreth 100 mijë shqiptarë, Meta u shpreh se, LSI është e vetmja parti që ka një program të qartë qeverisës për punësimin në vend. Kreu i LSI deklaroi edhe masat më të rëndësishme që forca e tij politike ka parashikuar për të ndihmuar këto biznese, që kanë të bëjnë me heqjen e tatim fitimit deri më 2010, dhe masa e dytë ka të bëjë me subvencionimin e sigurimeve shoqërore me 50 % deri në fund të vitit 2011.
Ne shprehim angazhimin tonë për ti mbështetur me politika konkrete, lehtësuese, dhe favorizuese të gjitha këto biznese në vendin tonë, së pari duke i përjashtuar nga tatim fitimi deri në fund të vitit 2010, dhe së dyti duke subvencionuar sigurimet shoqërore me 50 % deri në fund të vitit 2011, u shpreh Meta. Lideri i LSI theksoi se këto dy masa pa asnjë diskutim do të kontribuojnë që këto aktivitete, jo vetëm të mos bllokohen sikurse ka ndodhur deri tani, ku prej disa ditësh rreth 50 ndërmarrje të tilla kanë falimentuar, gjë që ka sjellë si pasojë largimin nga puna të rreth 11 mijë punonjësve shqiptarë. Me këtë rast Meta shprehu shqetësimin e tij, dhe të forcës politike që ai drejton, për mungesën e politikave lehtësuese nga ana e Qeverisë për të ndihmuar këtë industri tepër të rëndësishme sipas Metës, për ekonominë e vendit tonë. Ne jemi këtu për të shprehur angazhimin tonë shumë të qartë programor dhe qeverisës për të mbështetur në këtë kohë krize tepër kritike për tregjet evropiane ku këto prodhime shkojnë dhe janë të garantuara për tu shitur, pasi tani dimë që po bie kërkesa për këtë lloj prodhimi, vlerësoi Meta, sipas të cilit njëkohësisht kjo do të krijonte një garanci për të ruajtur tregjet që ne sot i kemi jashtë në Evropë.