Vithkuq, Blushi: Është shumë pak 2 mijë lekë për të hequr Sali Berishën
Deputetët e PS, Ben Blushi, Alfred Dalipi dhe Nënsekretari për koordinimin në PS Arben Ahmetaj kanë qenë në Vithkuq të Korçës. Gjatë takimeve me banorët atje, Dalipi e Ahmetaj kanë folur për programin e ri qeverisës të PS, i cili nuk është një listë dëshirash të parealizueshme. Ne do të bëjmë gjithçka që do të premtojmë. Prioritet në Programin tonë qeverisës do të jetë lufta me varfërinë e pamundësinë e jetesës me punë të ndershme në zonat rurale të vendit, thanë drejtuesit e lartë të PS, sipas të cilëve ngritja e një ministrie të Zhvillimit Rural do ti japë një tjetër frymëmarrje fermerit shqiptar që sot është ndër të vetmit në Europë, që nuk ka asnjë përkrahje financiare nga shteti, nuk ka asnjë politikë mbështetëse dhe zhvilluese të tij.
Ndërkaq, Blushi u ka kërkuar hapur banorëve të Vithkuqit votën për PS, sepse kështu do të largohet nga pushteti Sali Berisha, i ciliësuar nga Blushi si turbullues i jetës së shqiptarëve. Nuk mund të rritemi, të bëhemi burra dhe të plakemi me Sali Berishën, sepse u bë 20 vjet që turbullon jetët tona. U bënë 20 vjet, që qoftë në pushtet, qoftë në opozitë e turbullon Shqipërinë, nuk i jep asgjë dhe gjithmonë ikën duke bërë dëm. Këtë radhë nuk do ta lejojmë të na bëjë dëm, nuk do ta lejojmë që të marrë me vete në pensionin e tij, shpresën tonë për një Shqipëri evropiane, është shprehur Blushi, duke bërë u thirrje banorëve të Vithkuqit që të shkojnë në votime më 28 qershor, për të ndryshuar Shqipërinë, për të ndryshuar cilësinë e jetës, për të hapur më në fund një faqe evropiane për Shqipërinë, por edhe për ti dhënë fund pushtetit së Berishës. Më 28 qershor, pa dyshim do të jetë një ditë ndarjeje, do të jetë një ditë divorci i madh me një politikë që në 20 vjet nuk i dha popullit atë që meritonte, në 20 vjet nuk i dha shqiptarëve rrugën e duhur. Në rreth 20 vjet rruga drejt Evropës u bllokua, edhe sot është e bllokuar sepse qeverisemi keq, nga një qeveri e korruptuar, nga një njeri që nuk ka çfarë i thotë popullit të vet dhe nuk ka çfarë ti thotë Evropës në emrin tonë, apeloi deputeti socialist, Ben Blushi. Nga ana tjetër, Blushi nuk ka harruar tu bëjë thirrje këtyre banorëve që qoftë edhe duke sakrifikuar, të afrohen pranë zyrave të aplikimit për kartat e identitetit dhe ti tërheqin ato, sepse sipas tij ai vlen që me 200 lekë të hiqet Berisha nga pushteti. Ju kërkoj të gjithëve, bëni një sakrificë të vogël për të shkuar dhe për të marrë letërnjoftimin, sepse 2 mijë lekë të vjetra për të hequr qafe Sali Berishën është shumë pak. 2 mijë lekë për të votuar kundër kësaj qeverie është shumë pak. Kushdo që ka 2 mijë lekë, mund ta heqë Sali Berishën nga pushteti. Kushdo që ka 2 mijë lekë të vjetra duhet të vijë me ne në 28 qershor dhe të votojë për të ndryshuar qeverinë e Shqipërisë, kërkoi Blushi nga banorët e Vithkuqit.