Spahiu, Elbasan: Reformat e qeverisjes së djathtë, të dukshme
Në turin e takimeve me zgjedhësit për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, kryetari i PLL-së, Ekrem Spahiu ka zhvilluar një takim në komunën Gostimë, të rrethit Elbasan. Duke folur për qeverisjen katërvjeçare Spahiu u shpreh se arritjet e kësaj maxhorance janë të dukshme duke filluar nga proceset integruese të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike, për të vazhduar me reformat e ndërmarra, rritjen ekonomike, investimet gjithnjë e në rritje në infrastrukturë, paga, pensione, etj.
Gjatë fjalës së tij, Spahiu u tha të pranishmëve se kjo maxhorancë nuk e kërkon votën thjesht për ato që ka bërë gjatë këtyre viteve dhe premtimet e mbajtura, por e kërkon për ato çfarë do të bëjë në dobi të shqiptarëve gjatë mandatit të ardhshëm 2009-2013. Duke vijuar më tej Spahiu vlerësoi maksimalisht dhe u shpreh entuziast për dorëzimin zyrtarisht prej kryeministrit Berisha më datë 28 prill 2009 të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian .