Bode: Rritja e lirisë ekonomike, nxitje për investitorët e huaj
Ministri i Financave vlerëson raportin e Heritage Raporti i bërë publik pak ditë më parë nga fondacioni Heritage, e ka renditur Shqipërinë në vendin e 53 në botë për liritë ekonomike. Ministri i Financave, Ridvan Bode gjatë një konferencë për shtyp ka komentuar raportin mbi liritë ekonomike të publikuar nga fondacioni Heritage dhe gazeta Wall Street Journal. Vendi ynë renditet një ndër tre vendet më të zhvilluara të rajonit, tha kreu i financave. Ai e ka konsideruar atë pozitiv për Shqipërinë megjithëse ka pranuar se lufta
kundër korrupsionit do të kërkojë kohë dhe nuk është e varur vetëm nga qeveria. Në raportin mbi liritë ekonomike për vitin 2009, Shqipëria renditet në vendin e 53 nga 188 vende në listë. Krahasuar me një vit më parë vendi ynë ka shënuar një përmirësim prej 9 shkallësh, veçanërisht përsa i përket lirive fiskale, atyre të tregtisë dhe lirisë për të investuar, u shpreh kreu i financave. Ministri Bode tha se renditja e raportit të Fondacionit Heritage për lirinë ekonomike në Shqipëri, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë shqiptare për vitin 2010 e më tej. Të gjitha këto zhvillime janë arritur brenda një viti dhe kjo si rezultat i ligjeve të miratuara dhe masave të tjera të marra nga qeveria që synon ta kthejë Shqipërinë në një vend atraktiv për biznesin e huaj, vijoi ministri Bode. Raporti i FH, theksonte se në vitin 2009 Shqipëria ka pasur një përmirësim të dukshëm në aspektin e lirisë ekonomike duke u renditur mes vendeve më të lira në botë. Ministri i Financave, Bode e shikon këtë raport si një element nxitës për investimet e huaja në Shqipëri. Ai theksoi se pavarësisht raportit të nxjerrë nga Heritage për korrupsionin e lartë, problemi i pronave dhe vështirësitë në tregun e punës, ato nuk e mbajnë shumë larg Shqipërinë nga mesatarja e vendeve të botës. Kjo sipas tij tregon se Shqipëria ka bërë një progres të madh gjatë vitit 2009 në aspektin e luftës kundër korrupsionit dhe krijimin e kushteve të lirisë ekonomike në masën 34 për qind. Sipas Ministrit reformat e ndërmarra nga qeveria kanë sjellë përmirësim edhe në kriterin e të drejtës së pronësisë dhe mbrojtjes së saj si dhe në të drejtën e punës. Vitet e fundit Shqipëria ka hequr barrën administrative për bizneset e reja duke krijuar Zyrën Kombëtare të Regjistrimit e cila realizon regjistrimin e bizneseve në kushte bashkëkohore brenda 24 orëve me taksa në minimum. Çështja e pronës, çështja e korrupsionit dhe tregu i punës janë nën mesataren e të gjithë globit. Korrupsioni ka treguesit e vetë të matjes dhe të vlerësimit. Ajo që është pozitive është progresi i bërë, ky është një proces që do të vazhdojë gjatë. Reformat i takojnë qeverisë por jo vetëm qeverisë , i takojnë edhe institucioneve të tjera, theksoi ministri Bode. Ndër të tjera ai tha se nisur nga nevoja për para, qeveria shqiptare ka dalë sërish në tregun ndërkombëtar për të marrë hua, kësaj radhe në shumën 300 milion euro, shifra më e madhe kjo që është marrë në vitet e fundit. Kjo shumë do të përdoret për financimin e deficitit të buxhetit 2010. Bode u shpreh se deri tani kanë shfaqur interes kompani prestigjoze ndërkombëtare. Sipas tij këtij viti qeveria ka dalë në tregun ndërkombëtarë të bonove. 200 milion euro nga ky borxh do të shkojnë për të mbyllur kredinë sindikatë të marrë një vit më parë nga qeveria në kulmin e krizës ekonomike. Huaja u mor me norma të larta interesi që shkonin deri në 13 për qind. Pjesa tjetër e shumës do të përdoret për investime publike. Kredia pritet të bëhet efektive gjatë muajve të pranverës, theksoi Bode. Gjithashtu edhe për këshilltaren e kryeministrit për ekonominë 7 nga 10 treguesit e marrë në konsideratë janë mbi mesataren botërore, pasqyrë kjo e reformave shumëplanësh të ndërmarra nga qeveria në përmirësimin e klimës së biznesit. Këshilltarja e kryeministrit Suzana Guxholli, theksoi një ditë më parë se Shqipëria është një nga vendet me zhvillim më të madh ekonomik. Edhe për ish ministrin e Financave, Anastas Angjeli, ky raport është një hap përpara për ekonominë shqiptare. Mungesa e opozitës në zgjidhjen e ngërçit ligjor për disa reforma ekonomike sipas ekspertëve është një prej shkaqeve që ka sjellë rënie në 3 tregues të raportit.Taulant Halili
Last Updated on E Premte, 22 Janar 2010 22:32