E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009, 3.1 për qind

Kriza financiare botërore detyron qeverinë të tkurrë GDP me 35 miliardë lekë Kriza financiare që përfshiu botën, ka detyruar dhe qeverinë shqiptare që të pranojë prekjen. Pavarësisht shifrave të larta që dhe qeveria për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2009, shifrat e fundit tregojnë se ekonomia shqiptare ju është afruar shifrave të dhëna më parë nga FMN dhe Bankës Botërore. Qeveria është dorëzuar më në fund përballë presioneve të krizës globale duke pranuar zyrtarisht se rritja ekonomike për vitin 2009 do të jetë në nivelet më të ulëta.

Në vlerësimin më të fundit për gjendjen e ekonomisë Ministri i Financave Ridvan Bode, ka korrigjuar rritjen ekonomike për vitin 2009 duke e ulur atë në 3.1 për qind, plot 2.7 pikë përqindje më shumë se sa vlerësimet e muajit tetor. Sipas ministrit, Produkti i Brendshëm Bruto në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ka arritur në 1 bilion e 145 miliardë lekë, ndryshe nga vlerësimet e mëparshme kur pritej që GDP të arrinte në 1 bilion e 180 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2008, rritja ekonomike ka rënë me më shumë se 2 herë duke qenë për vitin 2009 më e ulëta e dhjetëvjeçarit të fundit. Vetëm nga kjo tkurrje ekonomia ka humbur më shumë se 35 miliardë lekë ose gati 400 milionë dollarë. Me vlerësimet e fundit, qeveria pas shumë  kundërshtimeve dhe debateve, i afrohet skenarëve të FMN-së dhe Bankës Botërore, të cilët kishin lajmëruar që më parë për një rritje ekonomike të ulët në vitin 2009, por që deri tani gjithmonë ishte hedhur poshtë nga qeveria. Nisur nga nevoja për para, qeveria shqiptare ka dalë sërish në tregun ndërkombëtar për të marrë hua, kësaj radhe në shumën 300 milionë euro, shifra më e madhe kjo që është marrë në vitet e fundit. Kjo shumë do të përdoret për financimin e deficitit të buxhetit 2010. Gjatë një konference për shtyp ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh se deri tani kanë shfaqur interes kompani prestigjoze ndërkombëtare. Sipas Ministrit të Financave, gjatë këtij viti qeveria ka dalë në tregun ndërkombëtar të bonove. Bode tha se 200 milionë euro nga ky borxh do të shkojnë për të mbyllur kredinë sindikatë të marrë një vit më parë nga qeveria në kulmin e krizës ekonomike. Konfirmohet se huaja u mor me norma të larta interesi që shkonin deri në 13 për qind, kurse behet e ditur se pjesa tjetër e shumës do të përdoret për investime publike. Bode tha se kredia pritet të bëhet efektive gjatë muajve të pranverës. Por megjithatë ministri ka deklaruar se qytetarët shqiptarë duhet të ngelen optimistë, pasi në raportin e fundi të nxjerrë nga Banka Botërore rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2010 do të jetë 3 për qind, e cila është dhe një nga rritjet një nga më të lartat në rajon. Ulja e rritjes ekonomike për vitin 2009, u vu re dy ditë më parë, ku specialistët e ekonomisë, gjatë rishikimit të buxhetit të vitit të shkuar theksuan se Ministria e Financave ka përllogaritur se të ardhurat e buxhetit për 2009 të jenë 6,2 miliardë lekë më të ulëta sesa buxheti i rishikuar. Ata thanë se kjo i dedikohet mosrealizimit, në mbledhjen e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore me 3,7 miliardë lekë si dhe në të ardhurat tatimore me 3,2 miliardë lekë. Akti normativ parashikon rritjen e shpenzimeve për asistencën sociale, shpenzimet e personelit për arsimtarët dhe policinë e burgjeve, si dhe rritjen e investimeve me financim të huaj. Me këto ndryshime defiçiti buxhetor mbetet brenda parametrave 4,6 për qind të prodhimit të brendshëm bruto pa përfshirë të ardhurat nga privatizimet e realizuara në 2009. gjithashtu Ministria e Financave deklaron se do të vazhdojë të ndjekë politikën e një qeverisje të vogël, ku do të vazhdojë të mbajë ende të ulëta shpenzimet administrative. Sipas Bodes, kjo lidhet dhe me premtimin paraelektoral të bërë nga kryeministri Berisha, për një qeveri të vogël.

Last Updated on E Marte, 26 Janar 2010 23:13

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›