Rama-Berisha, pakt për drejtësinë
Kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama u shprehën dje në distancë për bashkëpunim
Reforma në drejtësi, PS e PD shprehen dakord
Rama: "Është koha për të miratuar së bashku një marrëveshje historike mbipartizane për drejtësinë"
TIRANË- Afrimi i datës së mbajtjes së Samitit të Bukureshtit, ka bërë që partitë shqiptare të lënë mënjanë luftën e tyre të zakonshme politike dhe të angazhohen për të arritur një konsensus të gjerë për realizimin e reformave, si një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të mos humbasë ftesën për t'u bërë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Dy forcat e mëdha politike, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë mundur dje të kanalizojnë qëndrimet e tyre drejt arritjes së një marrëveshjeje të madhe, me qëllim vënien në jetë të bashkëpunimit për realizimin e atyre detyrimeve që lindin për të marrë këtë ftesë. Kreu socialist Edi Rama dhe kryeministri Sali Berisha kanë konfirmuar dje në distancë vullnetin e tyre për të kontribuar me të gjitha kapacitetet dhe brenda një kohe të shkurtër, për të kthyer në hapa konkrete deklaratat e tyre për reforma konsensuale. Kryesocialisti Edi Rama edhe një herë në emër të forcës që ai drejton ka ofruar të gjithë mbështetjen për realizimin e një pakti kombëtar, kryesisht për reformën në drejtësi. "Është koha që përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në të dyja krahët, të angazhohen për të formuluar e miratuar së bashku një marrëveshje historike mbipartizane për drejtësinë në Shqipëri. Për këtë ne propozojmë formulimin dhe miratimin e një pakti kombëtar për drejtësinë, i cili duhet të njihet nga të gjithë si një udhërrëfyes strategjik për raportet mes politikës dhe drejtësisë, pavarësisht nga rotacioni demokratik mes maxhorancës dhe opozitës",- deklaroi dje kreu i socialistëve Edi Rama. E menjëhershme ka qenë përgjigja e liderit të mazhorancës, kryeministrit Sali Berisha, i cili në ditën e hapjes së sesionit të ri parlamentar ka konfirmuar gjithë vullnetin e tij, për të dhënë gjithë mbështetjen që konsensusi të kthehet në veprime konkrete. Ndërkohë që, ndryshe nga demokratët, socialistët duket se janë më konkretë në propozimet e tyre. Kështu, kryesocialistit Edi Rama, i vetëdijshëm se reforma në drejtësi nuk mund të realizohet e plotë në të gjitha detajet e saj brenda periudhës së prillit, kur dhe pritet të mbahet Samiti i Bukureshtit, ka propozuar që pjesë e paktit mbarëpolitik duhet të jetë angazhimi që kjo reformë të realizohet në tre faza. Konkretisht, sipas selisë rozë, pakti kombëtar për drejtësinë duhet të përcaktojë qartë objektivat dhe angazhimet e klasës politike shqiptare në raport me sistemin e drejtësisë, ku çdo parti shqiptare duhet ta njohë këtë pakt si detyrim për realizimin e një pjese të reformës në kohë afatshkurtër, brenda prillit, dhe pjesa që mbetet në dy faza të mëvonshme, afatmesme dhe afatgjatë.Gjithashtu ky pakt duhet të garantojë konsolidimin e sistemit të drejtësisë nëpërmjet garancisë që të gjitha forcat politike shqiptare do të japin përmes këtij pakti, për një pushtet gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe të efektshëm në të gjitha aspektet e organizimit, të funksionimit dhe të administrimit të tij. "Ky pakt duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, së bashku me një plan veprimi afatshkurtër deri në muajin prill, afatmesëm dhe afatgjatë, i cili duhet të jetë një orë e më parë në tryezën e Komisionit të Ligjeve, për të orientuar punën e tij të çdo dite të javës, deri në prill. Më pas, të çdo muaji në vazhdim, për të plotësuar objektivat afatmesme dhe afatgjatë",- u shpreh kryesocialisti Rama. Kreu socialist ka deklaruar gjithashtu se PS ka përfunduar paketën e propozimeve të saj për reformën në drejtësi, paketë e cila do të vihet në dispozicion të reformës, menjëherë pasi forcat politike të nënshkruajnë paktin e propozuar dje.
"Është koha që përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në të dyja krahët, të angazhohen për të formuluar e miratuar së bashku një marrëveshje historike mbipartizane për drejtësinë në Shqipëri. Për këtë ne propozojmë formulimin dhe miratimin e një pakti kombëtar për drejtësinë, i cili duhet të njihet nga të gjithë si një udhërrëfyes strategjik për raportet mes politikës dhe drejtësisë, pavarësisht nga rotacioni demokratik mes maxhorancës dhe opozitës".
Kryeministri shpreh gatishmërinë për bashkëpunim
Berisha: Reformat, jetike për vendin
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka shprehur dje gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar lidhur me reformat, për të përshpejtuar ecurinë e tyre, sidomos për ato reforma që lidhen me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit. Duke iu drejtuar deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, në nisje të sesionit të ri parlamentar, kreu i mazhorancës ka ftuar të gjitha forcat politike në vend, që të bëjnë çdo përpjekje për të gjetur kompromisin përsa i përket reformave, sidomos për atë në drejtësi dhe zgjedhore. "Fryma e bashkëpunimit duhet të vazhdojë. Ftoj forcat politike të bëjnë çdo përpjekje, për të gjetur kompromisin, për të përshpejtuar punën e nisur, që është e lidhur me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO",- u shpreh Kryeministri, duke theksuar se reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore kanë një rëndësi jetike për vendin tonë. Sipas tij, reforma zgjedhore konsolidon mekanizmin themelor të shoqërisë të lirë, që janë zgjedhjet e lira, dhe reforma në drejtësi, sistemin ose pushtetin, që është jetik dhe vendimtar për garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Duke kërkuar që fryma e bashkëpunimit për kompletimin e të gjithë reformave duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, Kryeministri u shpreh se, është në detyrimin e qeverisë dhe të gjithë forcave politike, që çdo ditë të shënohen hapa konkrete deri në zhvillimin e Samitit të Bukureshtit.
Rezoluta e PS për reformat merr votat e gjithë deputetëve të Kuvendit
Kuvend, miratohet rezoluta e PS
TIRANË- Projektrezoluta e paraqitur nga Partia Socialiste për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ka marrë miratimin e Kuvendit. Pas diskutimit dhe miratimit në Komisionin e Jashtëm, Kuvendi votoi dje në seancë plenare këtë projektrezolutë, e depozituar nga grupi parlamentar i PS-së që në ditët e para të muajit janar. Ashtu siç edhe pritej, kjo projektrezolutë për anëtarësimin në NATO është votuar me konsensus nga të dyja palët e politikës, si nga opozita, ashtu edhe nga mazhoranca, duke marrë votat pro të mbi 100 deputetëve. E vendosur nga Konferenca e Kryetarëve për t'u miratuar që në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, për këtë rezolutë nuk ka pasur asnjë deklaratë kundër dhe miratimi i saj ka kaluar pa asnjë debat. Në këtë rezolutë shprehet fakti se, ftesa e shumëpritur për anëtarësim në NATO kërkon angazhimin e pandërprerë të të gjitha forcave politike dhe ndërgjegjshmëria se kjo përbën një sfidë të vështirë e të përbashkët, në kushtet kur kërkohet thellimi i reformave, duke nisur që nga reforma zgjedhore dhe ajo e drejtësisë, si dy hapa kuptimplotë drejt realizimit të standardeve. Gjithashtu, në rezolutë shprehet domosdoshmëria për kapërcimin e një periudhë historike konfliktualiteti të vazhdueshëm politik dhe të afirmimit të vullnetit të mirë, për të krijuar një klimë besimi e bashkëpunimi mes forcave politike. Ndër të tjera, rezoluta thekson angazhimin e të gjitha forcave politike me të gjitha kapacitetet, për të ndihmuar në realizimin e reformës në drejtësi, si dhe të reformës zgjedhore; shpreh gatishmërinë për të mbështetur çdo nismë që përshpejton hapat integrues në NATO dhe inkurajimi për të gjithë ushtarakët që të angazhohen pa rezerva për të përmbushur në çdo detaj, detyrimet e procesit integrues në NATO. Pas diskutimit në Komisionin e Jashtëm, projektrezolutës së paraqitur nga PS-ja iu shtuan disa paragrafë, në të cilat shprehej mbështetja dërrmuese e popullit shqiptar për anëtarësimin në NATO; vlerësohen arritjet që ka pasur procesi në gjithë ecurinë e vetë; si dhe shprehet mirënjohja për ato që ka bërë NATO, për ecurinë e strukturave ushtarake të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në këtë strukturë.