Bode: Shqipëria mbeti jashtë vorbullës së krizës globale financiare
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka theksuar ditën e djeshme se Shqipëria mbeti jashtë vorbullës së krizës globale ekonomike dhe financiare. Sipas numrit një të financave, vendi ynë ka pasur për vitin 2009 një rritje ekonomike prej 3 për qind dhe një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga FMN. Gjatë konferencës së përbashkët me përfaqësuesin e FMN, Gervin Bell dhe
Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ministri Bode, theksoi se Shqipëria gjatë vitit 2009, ka pasur rritjen ekonomike më të madhe në Evropë, ndërkohë që ajo ishte e përfshirë nga kriza. Më vjen mirë që FMN konstaton faktin që gjatë vitit 2009 situata u menaxhua me sukses me masa të përshtatshme, me stimuj fiskalë dhe buxhetorë, që mundësuan një rritje ekonomike 3 % tashmë e konfirmuar dhe që rezulton ndër më të lartat në të gjithë Evropën e që përbën një bazë të mirë për program ambicioz në vitet në vijim, deklaroi ministri Bode përkrah përfaqësuesit të misionit të FMN-së, Gervin Bell dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Në konferencën e përbashkët, ministri i Financave Ridvan Bode, konfirmoi se pas goditjeve të forta, ekonomia botërore po rikthehet në rritjen e saj më të moderuar se para krizës. Ai shtoi se duhet të ndërtohen themele më të sigurta ekonomike, në mënyrë që ekonomia botërore e pas krizës të jetë më e sigurt. Në këto kushte, për zhvillimin e ekonomisë reale duhet t'i rikthehemi themeleve më të shëndosha për të mundësuar një perspektive më të sigurt, si dhe të rivendosim një ekuilibër të ri në parametrat me të përshtatshme, pasi bota e pas krizës nuk është më e njëjtë, deklaroi ministri Bode. Ai ndal edhe tek shkurtimi i shpenzimeve publike, sugjerim ky i dhënë edhe nga përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ministri i Financave informoi se për vitin 2010 shpenzimet publike janë ulur me 330 miliard lekë. Bode theksoi se këto shkurtime në buxhet për shpenzimet publike, ende nuk janë shpërndarë nëpër ministrit përkatëse. Për 2010 është fjala pikërisht për këtë shkurtim, rreth 330 miliardë lekë të shpenzimeve të buxhetit, që tashmë janë të shkurtuara. Në kuptimin që janë të paalokuara, të pashpërndara nëpër ministri. Dhe që ne do të presim nivelin më të përshtatshëm kur tendencat të jenë konsoliduar të vitit në vijim, pra mund të jetë rreth verës që të marrim veprimin ligjor, tha Ridvan Bode, ministri i Financave. Përsa i përket amnistisë fiskale, ministri Bode u shpreh se ende jemi në fazën e dëgjimit të kërkesave të biznesit, pasi kjo është një iniciativë e tij dhe jo e qeverisë. Ajo që mund të them është se do të jetë një hap që do të dëmtojë sa më pak psikologjinë e korrektësinë në pagimin e taksave, tha Bode. Ministri i Financave theksoi se amnistia fiskale është një nismë e bizneseve dhe jo e qeverisë. Ai siguroi se amnistia fiskale do të bëhet në mënyrë të tillë që të mos dëmtohet korrektesa në pagimin e taksave. Është kërkesë që vijnë nga komuniteti i biznesit, nuk ka qenë nismë e qeverisë, por do të bëjmë një amnisti fiskale e cila të dëmtojë sa më pak psikologjinë e korrektësisë në pagimin e taksave, u shpreh ministri i Financave Ridvan Bode. Një nga shqetësimet e FMN për amnistinë fiskale është pikërisht krijimi i një moskorrektese në pagimin e taksave nga bizneset. Ndonëse pa një skenar të mirë përcaktuar Fondi i ka rekomanduar qeverisë që të ulë deficitin fiskal për këtë vit në tre për qind të prodhimit kombëtar. Shtrëngim buxhetor është kërkuar edhe në vitet në vijim. Fondi Monetar Ndërkombëtar, i ka bërë apel qeverisë Shqiptare që të ul deficitin buxhetor dhe shpenzimet publike, por një gjë e tillë të ndodh pa ulur investimet. Qeveria tashmë ka marrë në konsideratë propozimin e FMN për të ulur deficitin buxhetor dhe shpenzimet publike. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri i Financave Ridvan Bode, i cili garantoi se qeveria është e vendosur për të ndjekur një politikë të ashpër për të ulur deficitin buxhetor. Gjithashtu Bode njoftoi se qeveria ka ulur ndjeshëm shpenzimet për administratën publike.
Rritja 3%
Më vjen mirë që FMN konstaton faktin që gjatë vitit 2009 situata u menaxhua me sukses me masa të përshtatshme, me stimuj fiskalë dhe buxhetorë, që mundësuan një rritje ekonomike 3 % tashmë e konfirmuar dhe që rezulton ndër më të lartat në të gjithë Evropën e që përbën një bazë të mirë për program ambicioz në vitet në vijim.
Shkurtimet
Për 2010 është fjala pikërisht për këtë shkurtim, rreth 330 miliardë lekë të shpenzimeve të buxhetit, që tashmë janë të shkurtuara. Në kuptimin që janë të paalokuara, të pashpërndara nëpër ministri.
Ekuilibrat
Në këto kushte, për zhvillimin e ekonomisë reale duhet t'i rikthehemi themeleve më të shëndosha për të mundësuar një perspektive më të sigurt, si dhe të rivendosim një ekuilibër të ri në parametrat me të përshtatshme, pasi bota e pas krizës nuk është më e njëjtë.
Denisa PLAKA