E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi i Qendrës Gani Bobi, PD përsëri forcë e parë politike

Rikonfirmohet prirja e sondazhit për një mbështetje të kursit reformator të kabinetit “Berisha”. Ende pa u shpallur konfigurimi i koalicioneve, ku PD ka një numër më të madh aleatësh, PD siguron mbështetjen e thuajse gjysmës së elektoratit shqiptar

Sondazhi i dytë i zhvilluar nga Qendra “Gani Bobi”, tregon edhe njëherë se Partia Demokratike mbetet forca e parë politike që votohet në masë nga popullsia, duke lënë përsëri pas Partinë Socialiste. Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në muajt shkurt-mars, Partia Demokratike do të ishte fituese me 45.6 të votave, të cilat duke i përllogaritur në mandate deputetësh, PD siguron 66 deputetë, ndërsa Partia Socialiste do të siguronte 42.5 % të votave, konvertuar në mandate deputetësh PS siguron 62 deputetë, ndërsa LSI së bashku me PSV’91 me 6.2% të votave sigurojnë 5 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkaq, 7 mandate deputetësh janë të diskutueshme se kujt force politike do ti përkasin.

Për sa u takon partive të tjera politike, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, sipas sondazhit të Qendrës Gani Bobi, G99 do të merrte 2.3 %, për PBDNJ 1.1%, 1% për PR dhe 1.3% partitë e tjera. Gjithashtu, sipas sondazhit, shqiptarët kanë respektin më të lartë nga liderët e djathtë për Kryeministrin Sali Berisha me 42.8 %, ndërkohë që lista ndiqet nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli me 39.4 % dhe ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha me 33.5 %. Ndërkohë që në sondazh është votuar edhe presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili është përfshirë si lider i djathtë, dhe gëzon respektin e 69.3%, të pjesëmarrësve në sondazh. 

Në krahun e majtë, vihet re një respekt në ulje për kryetarin Partisë Socialiste Edi Rama me vetëm 55.1%, ndërkohë që i pari renditet Pandeli Majko me 56.3%, ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta ka marrë 27.1% të votave. Ish kreu i PS-së, Fatos Nano ka marrë 29.8% të votave. 

Pjesëmarrja në zgjedhje

Sipas Qendrës së sondazheve Gani Bobi, pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë 76%. Të pavendosur përllogariten rreth 9 %, ndërkohë që 15 % deklarojnë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Pjesa e pakuadruar se për kë do të votojnë është vetëm në kufijtë e 9% -shit, gjë e cila nuk ndikon tablonë politike të zgjedhjeve të 28 qershorit.  

Problemet e vendit

Duke iu referuar problemeve kryesore të vendit, 35 % e qytetarëve mendojnë se ekonomia përbën kryesoren. 26.9 e tyre mendojnë se punësimi mbetet problemi kryesor. Ndërkohë që për korrupsionin si problem kryesore dhe standardin jetësor, mendojnë përkatësisht 12.6% dhe 10.5%

Renditja e Partive në rang vendi

PD- 45.6%

PS- 42.5%

LSI- 5.8%

G99-2.3 %

PBDNJ-1.1%

PR-1%

Të tjera 1.3 %

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›