E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët shqiptarë kanë mundësi për të bërë një kapërcim cilësor

Doktori italian Vinçenco Pomo, i cili asistoi një ditë më parë në transplantin e parë të veshkës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, thotë në një intervistë se “mjekët shqiptarë verifikuan konkretisht se i kanë mundësitë për të bërë një kapërcim cilësor”. Përgjegjës i projektit INTERREG 3 mes Shqipërisë dhe Italisë, në kuadër të të cilit realizohet dhe transplanti falas për pacientët e sëmurë nga veshkat në vendin tonë, ai thotë se në QSUT ka parë një sallë operacioni në kushte optimale, me infermierë të shkëlqyer, me ndihmës të shkëlqyer. “Dua të them “ju lumtë” që të gjithëve”, thotë ndër të tjera doktor Pomo.         

Doktor, ku konsiston ky bashkëpunim italo-shqiptar në fushën e shëndetësisë?

 Ky projekt përfshin në gamën e vet disa aktivitete, atë të parandalimit të tumoreve të sferës gjenitale femërore, organizimit të një observatori epidemiologjik, si dhe nisjes së një projekti për transplantimin e organeve nga dhurues të gjallë në Shqipëri. Këtij të fundit po i festojmë tashmë suksesin, sepse ka qenë, siç e thashë më parë, një sukses si nga pikëpamja e bashkëpunimit mes mjekëve italianë e shqiptarë, një sukses organizimi, sepse pas një tranplanti qëndron një aktivitet klinik dhe një organizim shumë i madh e kompleks. Në kuadrin e projekti Interreg kemi pajisur me aparatura laboratorin e ekzaminimit të indeve, çka është një aktivitet që mundëson kryerjen e transplanteve, është një aktivitet i fshehtë, që nuk duket, por është themelor për kryerjen e një transplanti. Po ashtu kemi realizuar specializimin e mjekëve. Mjekët shqiptarë kanë ardhur në Itali dhe kanë frekuentuar klinikat tona, institutet tona ku transplantet kryhen prej disa vitesh. 

Në Pulia Njësia e Transplantologjisë Puljeze festoi pak javë më parë transplantin e 1000-të, duke qenë kështu një prej njësive më të njohura, më me ekspertizë ndër njësitë transplatologjike në Itali, me rezultate të nivelit evropian. Ne e kemi thelluar këtë bashkëpunim me mjekët shqiptarë, të cilët duhet ta them kanë demonstruar entuziazëm të madh e kompetencë të lartë. Mundëm të shihnim se mjekët shqiptarë janë shumë të përgatitur, ndaj ishte shumë e thjeshtë si për ta, ashtu edhe për ne të arrinim një nivel optimal të përgatitjes klinike. Në të njëjtën kohë duhet të them se ishte themelore bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë, me doktor Bardhi Spahinë, drejtorin e përgjithshëm, i cili bashkë me mua ka kontrolluar dhe ka shoqëruar çdo hap të këtij projekti. Dhe suksesi i transplantit të parë të veshkës në QSUT është suksesi i shumë njerëzve; i atyre që janë kujdesur për organizimin, i atyre që kanë realizuar transferimin e pajisjeve në Shqipëri, atyre që kanë krijuar grupin e punës, atyre që realizuan transplantin. Dhe këtu nuk flas vetëm për kirurgët. Pashë një sallë operacioni në kushte optimale, me infermierë të shkëlqyer, me ndihmës të shkëlqyer. Dua të them “ju lumtë” që të gjithëve.

Ky bashkëpunim që prej tre vitesh sot kulmoi me transplantin e parë. Ç’do të thotë kjo për të ardhmen në këtë fushë?

Për të ardhmen nënkupton transplantin e veshkave, transplantin në përgjithësi dhe atë të veshkave në veçanti, pasi ajo që mjekët e QSUT-së tashmë e kanë realizuar nënkupton një ndryshim mentaliteti. Nënkupton që mjekët dhe sistemi shëndetësor verifikuan konkretisht se i kanë mundësitë për të bërë një kapërcim cilësor. Prandaj është e rëndësishme nga pikëpamja kulturore, përveç pacientes e cila bëri një transplant dhe do të ketë një jetë shumë më të pavarur e të favorshme, krahasuar me atë të periudhës së sëmundjes së saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›