Rreziku nga “zgjedhjet” brenda PD
Me zgjedhjet e fundit brenda PD, të gjitha strukturat e saj po ndërtohen nga lart-poshtë, tamam si në partitë komuniste apo fashiste. Kjo po rrezikon të gjithë Shqipërinë. Na qahen shumë miq të vjetër e të rinj - kanë shpresë se mos nëpërmjet shkrimeve tek Gazeta Shqiptare, bëhet publike situata skandaloze në partinë berishiste, dhe dikush luan vendit. A thua?! Duhet të ndërhyjnë urgjentisht organet shtetërore të mbrojtjes së ligjit, sepse brenda PD nuk ka forca që ta ndalojnë instalimin e një totalitarizmi ekstrem.
Shkelja e ligjit
Ligji shqiptar (ligji nr. 8580, datë 17.2.2000, “Për Partitë Politike”, neni 7) përcakton sa vijon: “Ndalohet kur: [...] organizimi i brendshëm [i partisë-sh. i.] është në kundërshtim me parimet demokratike [...]: ndërtimi nga poshtë lart i partisë, zgjedhjet e brendshme demokratike për forumet e partisë, e drejta e shprehjes së mendimit nga çdo anëtar, [...] e drejta e çdo anëtari për të zgjedhur e për t'u zgjedhur.”
Këto muajt e zgjedhjeve të kryetarëve të PD të “grupseksioneve”, apo qendrave administrative të vendit, ligji është shkelur në të gjitha çështjet e cituara më lart, ku më kryesorja është “ndërtimi nga poshtë lart i partisë”. Kandidaturave të dala nga baza, u kanë rënë kryq ata “lart”, “grupi i punës”. Kanë dërguar për “t’u votuar në bazë”, persona të tjerë.
Shumicën e kandidaturave të ardhura nga lart, nuk i duan në bazë, sepse ose janë njerëz me para të pista (drejtues ndërmarrjesh e institucionesh, që njihen si hajdutë tenderësh), ose, në rastin më të mirë, nuk i duan sepse janë biznesmenë pa asnjë kontribut politik në PD, ose bile dhe me lidhje me partitë kundërshtare të PD: e duan PD-në thjesht për ta mjelë. Që “të votohet poshtë” kandidatura e duhur, ajo shoqërohet me një kandidaturë të dytë, që është dhe më e keqe se e para, me synim që ajo e dyta të mos marrë asnjë votë. Kështu edhe plotësohet farsa e “konkurrencës me dy a më shumë kandidatura”, edhe sigurohet që të votohet kandidatura e parë, sepse votohet për të keqen më të vogël.
* * *
Mbyllja e zgjedhjeve në parti bëhet si gjithnjë, me zgjedhjen e kryetarëve të rretheve apo të kryeqytetit. Këtu “grupi i punës” nuk ekziston, pasi i vetmi që vendos është vetëm e vetëm zoti Berisha, kryetari i madh - po, po, i vetmi, sepse kryesia e PD ka vite që nuk mblidhet. E Ai e dërgon në bazë kandidaturën e përzgjedhur, vetëm disa orë para votimit, shumë-shumë një ditë para, që baza të mos ketë kohë fare të kthjellohet nga e papritura.
Ai do të jetë “1000%” i sigurt që do të dalë fituese kandidatura e caktuar nga Ai, kështu që nuk do t’i japë as kohën minimale bazës të reagojë, të rigrupohet së paku për zgjedhjen në mes kandidaturave që i ka servirur po vetë Ai. Jo, sepse edhe këtu, ka vetëm një kandidaturë të vërtetë që duhet të fitojë, ndërsa e dyta e të tjerat pas saj janë kot, fasadë demokracie (farsë) - duhet që “fituesi” të jetë krejt i vetëdijshëm se postin e ka arritur vetëm e vetëm se ka dashur Ai, dhe jo se ka marrë vetë ndonjë votë. Natyrisht që ndërkohë aparati policor brenda partisë bën punën e vet, që delegatët në konferencën e rrethit, të votojnë sipas porosisë së Njëshit.
Përfundimisht, në PD aktuale është zhdukur mundësia e dikurshme, që mendimi i bazës të mund të konkretizohet në një person që ajo e pëlqen. Sado i përkrahur të jetë dikush në bazë, ai është një hiç para vullnetit të Atij, të njëshit lart, të Berishës. E kjo është thjeshtë fundi i minimumit të demokracisë brenda partisë, pra fundi i ndërtimit të partisë nga poshtë lart.
Kultura e totalitarizmit
Sa shpjeguam më lart, tashmë është bërë kulturë e PD. Fryma e diktatit nga lart poshtë është sanksionuar edhe në statutin e partisë. Që aty kërkohet “përzgjedhja e kandidaturave” nga organet më të larta të partisë.
Ka shumë militantë të PD, që dhe e përligjin të gjithë këtë, duke e justifikuar me gjoja nevojën e sigurimit të pastërtisë së partisë, duke shmangur zënien e posteve në parti “nga njerëz me vese”. Sipas këtyre, “ai lart” qenka “i ndershmi e i zgjuari i partisë”, ai e siguruaka pastërtinë. Kurse poshtë në bazë qenka vulgu, qenkan “mashtruesit ose budallenjtë”.
Natyrisht që nuk bëhet fjalë për kontrollin demokratik nga lart poshtë, që do të duhej, në fund të fundit, që ai t’i nënshtrohesh aprovimit nga poshtë, duke e bindur bazën se aksh person vërtet nuk është i përshtatshëm etj. Ndërkohë dihet se kjo që po ngjet, është thjesht diktat, pa dhënë fare shpjegime: “do të zgjidhet filani se s’bën”.
Informacioni për këtë sulm policor brenda PD, na vjen nga shumë vende të Shqipërisë -“të zgjedhurit” kudo i tregojnë me gisht, për keq. Natyrisht ka ndonjë përjashtim të rrallë, kur kanë arritur të zgjidhen edhe njerëz me integritet, por këto raste janë shumë të pakta.
Forcimi i regjimit policor
Vërtet që ka vite që kështu i ka pasur hallet partia berishiste (PD aktuale), por sivjet sëmundja ka marrë përmasa të papara: të gjithë po “zgjidhen” me emërim.
Dikush thotë se Berisha po përgatitet të dalë në opozitë, dhe prandaj po e “ristrukturon partinë” që të vazhdojë ta zgjedhë për jetë, edhe pas disfatës së 28 qershorit 2009, edhe në opozitë.
Në variantin e daljes në opozitë, e humbjes së zgjedhjeve, partia do të dojë para për t’u mbajtur. Kur je në opozitë, e ke më vështirë ta vjedhësh shtetin, siç e ke vjedhur kur ke qenë në qeveri - është vjedhje shteti edhe të futësh militantë idiotë në të gjitha hallkat e shtetit, apo të shëtisësh funksionarët e partisë anë e mbanë vendit e botës me paratë e shtetit, apo të bësh fushatën propagandistike të partisë me paratë e shtetit etj. etj. Prandaj po futen kaq shumë parellinjtë në funksione në PD, sepse ata do të jenë që do ta mbajnë me para PD (udhëheqësin e klanin e tij): një dorë lan tjetrën: partia mbron parellinjtë, kurse ata mbajnë me pará partinë.
Kaq për variantin me Berishën në opozitë pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Por ka dhe më keq: Berisha prapë në qeveri.
Për variantin “Berisha prapë në qeveri”, duhen vjedhur zgjedhjet. Kjo strukturë policore brenda PD, e ndihmon shumë vjedhjen e votave më 28 qershor. Kësaj here duket se organet shtetërore do ta kenë vështirë për të vjedhur zgjedhjet, sepse do të jemi anëtarë të NATO-s, dhe të huajt do të na kontrollojnë më shumë. Prandaj dhe po kujdesohen për vjedhjen e zgjedhjeve jashtë strukturave shtetërore, duke hyrë me para e me mashtrim, direkt në parti e pastaj dhe “në popull”.
Në popullin tonë plot me halle e pa tradita lirie, ka shumë që e shesin votën. Sa turp do të jetë për vendin tonë nëse zgjedhësit thyhen e Berisha arrin prapë të vijë në qeveri.
Rreziku për Shqipërinë
Kjo që po ngjet brenda PD, përbën një rrezik të madh për vetë fatet e vendit. Në botën demokratike, janë partitë politike që ndërtojnë parlamentin (Kuvendi) dhe qeverinë. Mendoni se çfarë Kuvendi e çfarë qeverie mund të pritet nga një parti e tillë, që shkel demokracinë e brendshme. Tashmë është krijuar një ushtri brenda partisë, e përbërë nga komandantë të emëruar nga lart. Asaj vetëm armët i mungojnë, së paku hë për hë, që të sulet e të shkatërrojë çdo arritje demokratike në vend. “Komandantët” e emëruar nga lart e përçojnë pa asnjë skrupull, pa asnjë lëkundje, çdo urdhër që jepet nga i pari i partisë.
Nuk ka mbetur as edhe ndonjë fije rezistencë demokratike nga poshtë: njerëzit e bazës janë të zhgënjyer e pa shpresë se mund ta ndalojnë këtë që po ngjet: po mësohen me të keqen, duke e pranuar si të pashmangshme dot. Por ka dhe shumë që e përkrahin, duke u bërë pjesë e degjenerimit politik, siç ka dhe militantë që i duan të mirën vendit dhe PD, qoftë në mënyrën e tyre.
Ka shumë militantë të ndershëm të PD, që po turfullojnë, jo vetëm se ndjehen të nëpërkëmbur, por edhe sepse nuk kanë ku të drejtohen për t’u ankuar. Nga dëshpërimi kalojnë dhe në budallallëqe: “Berisha nuk di gjë se ç’po bëhet”, nuk po arrijnë ta takojnë që “ai të vërë në vend demokracinë”. Të gjorët militantë, janë tamam si enveristët naivë vaktit, që mendonin se “uji rrjedh i pastër nga lart”, se “shoku Enver nuk di gjë”, se po ta dinte... Nejse, është e kotë të harxhosh frymë që t’i bindësh berishistët naivë se arkitekti i kthimit të PD në këtë farë partie, është vetë Sali Berisha, dhe se ata më poshtë, ata në “grupet e punës” janë thjesht ca vasalë të tij, që veçse po bëjnë pikërisht atë që u urdhëron ai.
Zbatimit i ligjit me detyrim
Nuk ka forca brenda partisë berishiste për të rregulluar situatën, për të shmangur rrezikun që po i kanoset Shqipërisë. Prandaj duhet të ndërhyjnë organet e ngarkuara me zbatimin e ligjit. Ne mendojmë se me situatën e brendshme në PD, duhet të fillojë të merret urgjentisht prokuroria: të kërkohet zbatimi i ligjit - cili organ tjetër është i ngarkuar me kontrollin e zbatimit të ligjit për partitë politike, dhe me detyrimin e zbatimit të tij?!
Kur ligji nuk zbatohet me dëshirë, shteti duhet të detyrojë zbatimin e tij me dhunën e ligjit.
* Botuar në “Gazeta Shqiptare”, 27.3.2009