Bode: Shqipëria përballoi me sukses krizën

Edhe pse viti 2011 ka qënë i vështirë për ekonominë shqiptare, Shqipëria arriti ta përballojë me sukses krizën financiare. Ndërsa ka bërë analizën e punës për vitin 2011, Bode ka vlerësuar performancën e institucioneve në realizimin e buxhetit dhe planit të shpenzimeve.
“Buxheti i viti 2011 reflektoi objektivat e programuara duke mos çuar në rritjen e borxhit dhe deficitit publik” theksoi Bode. Sipas tij trendi i të ardhurave në buxhet ka shënuar rritje për vitin 2011 ndërsa shtoi se ka pasur rënie të borxhit publik. “Borxhi publik nuk është rritur. 58.9% është niveli për vitin 2011, kemi trend për ta ulur më tej. Borxhi publik në vitin 2013 do të shkojë në nivelin e 2007-2008”, tha më tej ai.
Gjithashtu ministri Bode theksoi se pushteti vendor duhet të rrisë aktivitetin dhe menaxhimin ekonomik. “Performanca fiskale e pushtetit vendor duhet të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme në mënyrë që qytetarët të përfitojë”, tha Bode.
Ministri u shpreh se gjatë këtij viti i është kushtuar rëndësi nga ana e qeverisë edhe shtresave sociale me probleme ekonomike dhe ndihmës së familjeve në nevojë. Ai u shpreh se fondet e shpenzimeve sociale janë rritur disa herë edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.