E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikimi, Evropa Qendrore e Lindore 2% rritje ekonomike

12/01/2012  Zhvillimet reflektojnë lëkundjet në eurozonë

Vetëm 2 për qind parashikohet të jetë rritja ekonomike në Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL) për vitin 2012, ndërsa eurozona do të përballet me rënie ekonomike prej -0.1%. Ky është parashikimi që bën Raiffeisen Research, njësia në Raiffeisen Bank International, që merret me analizat dhe studimet e tregut ndërkombëtar. Sipas analistëve, Austria pritet të shënojë një rënie të GDP-së me 0.5%, ndërsa kriza e borxhit në eurozonë do të vazhdojë ndikimin e saj negativ të përkohshëm mbi tregjet e kapitaleve. “Evropa Qendrore dhe Lindore (EQL) mbetet nën formulën magjike të krizës së borxhit në Eurozonë. Kjo rritje që ne kemi parashikuar për EQL për këtë vit duhet parë në krahasim me rënien prej -1 për qind që ne parashikojmë për Eurozonën”, - thotë Peter Brezinschek, drejtor i Raiffeisen Research. Analistët e Raiffeisen Research parashikojnë që efektet negative, si rezultat i lidhjeve të forta të tregtisë së huaj me Eurozonën do të shprehen më shumë në Evropën Qendrore (EQ), për të cilën analistët presin një rritje rajonale të GDP me 0.5 për qind dhe në Evropën Juglindore (EJ), për të cilën parashikojnë që do të shënojë një normë rritjeje prej 0.4 për qind. Për sa i përket vendeve të Konfederatës së Shteteve të Pavarura (CIS), Raiffeisen Research e ka lënë të pandryshuar parashikimin ekzistues të rritjes së GDP-së për 2012 me 3.1 për qind. Me përjashtimin e dukshëm të Polonisë (ku pritet një rritje e GDP me 2.2 për qind), parashikimi i analistëve të Raiffeisen Research për rritjen ekonomike bie poshtë për të gjitha vendet e Evropës Qendrore, duke përfshirë edhe Austrinë (-0.5 për qind). Brezinschek parashikon që fokusi i fortë i ekonomive rajonale ndaj ekonomisë gjermane, masat e nevojshme për konsolidimin e buxhetit, si dhe kreditimi i kujdesshëm janë faktorët kryesorë që do të çojnë në një 6-mujor të parë të dobët të 2012. Megjithatë, drejtori i Raiffeisen Research, Brezinschek është më optimist për 6-mujorin e dytë të vitit. “Një vështrim më i ngushtë në parashikimin tonë për GDP në Evropën Qendrore dhe Lindore bën të qartë që trendi negativ për gjysmën e parë të 2012-ës duhet të kompensohet nga një zhvillim më i mirë në gjysmën e dytë të vitit. Kjo pikëpamje është në një linjë me performancën që pritet në Eurozonë”,- thotë Brezinschek.

Inflacioni

Piku i inflacionit është arritur në shumicën e vendeve të rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore. Uljet në normat e interesit që BQE parashikon të bëjë, si dhe mundësia e një asistence për volume të larta likuiditeti, mund të çojnë normat afatshkurtra të Euribor nën normat e interesit kryesor gjysmën e parë të 2012-ës. Në rastin e normave të inflacionit të zbehta, edhe kjo mund të çojë në ulje të normave të interesit nga Polonia në Rumani, përveç Hungarisë ku parashikohet që Banka Qendrore të stabilizojë kursin e këmbimit, me norma të larta interesi.

Monedhat

Tensioni i përsëritur që e ka prejardhjen nga kriza e borxhit do të ushtrojë presion shtesë mbi monedhat e Evropës Qendrore dhe Lindore në tremujorin e parë të vitit 2012. “Vetëm pasi gjendja ekonomike dhe financiare e tregut është përmirësuar në pjesën e dytë të vitit ne presim që monedhat e EQL të rriten gradualisht”,- shprehet Brezinschek. "Kjo vlen edhe për rublën ruse, e cila ka qenë tradicionalisht e dobët në krahasim me dollarin gjatë gjysmës së parë të vitit",- shton ai.

Tregjet e kapitalit

Vështirësi të reja në tremujorin e parë të vitit 2012 për tregjet e kapitalit. “Tregjet që kanë pasur një performancë të mirë në fillim të vitit 2011-ës kanë humbur shumë terren në tremujorin e katërt, tregjet me performancë më të dobët në fillim të vitit 2011 janë stabilizuar më vonë",- analizon Brezinchek. Ai parashikon mundësi të mëdha rënieje në fillim të vitit 2012, veçanërisht në bursë në Hungari, Republikën Çeke dhe tregjet e Ballkanit. Situata relativisht e qëndrueshme në Poloni dhe Rusi gjithashtu duhet të pasqyrohet në humbje, për shkak të uljes së çmimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›