E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indeksi i Lirise Ekonomike 2012 publikohen te dhenat nga Fondacioni Heritage

Liria ekonomike në Shqipëri është rritur ndjeshëm përgjatë viti 2011. Në raportin më të fundit të Fondacionit Heritage, mbi “Indeksin e Lirisë Ekonomike për vitin 2012”, vendi ynë renditet mes 26 vendeve në Europë, për lirinë ekonomike mbi mesataren botërore dhe në kategorinë “shumë të lartë”. Niveli i lirisë në zhvillimin e sektorëve ekonomikë ka shkuar 1,1 pikë më lartë se viti 2010, mbi të gjitha thuhet në raport, falë përmirësimeve të regjistruara në luftën kundër korrupsionit dhe në lirinë e të bërit biznes. Më tej në raport vlerësohen masat e marra nga qeveria shqiptare në ndihmë të bisnesit. Së pari lexohet në raport, vendi ka ushtruar një presion fiskal të konkurrueshëm, një taksë të ulët me 10% mbi biznesin dhe mbi të gjitha vendi ka përjetuar një rritje të fortë ekonomike e cila ka kontribuar në reduktimin e varfërisë dhe papunësisë. Efikasiteti i sistemit rregullator shkruhet në raport është lehtësuar nga një thjeshtim i mëtejshëm i procedurave të të bërit biznes. Gjithashtu flitet edhe për një rritje të investimeve të huaja direkte gjatë viteve të fundit.
Përsa u takon tarifave doganore të tregtisë, mesatarja qëndron në 5,1%. Gjithashtu raportohet se në Shqipëri, kërkesat për marrjen e një licence janë të ulëta, qeveria nuk ka vendosur taksa mbi eksportet. Kompanitë e huaja dhe kombëtare janë trajtuar në të njëjtën mënyrë përpara ligjit. Pjesa më e madhe e bankave në vend janë të huaja, por sistemi bankar ka përfituar një konkurrueshëmri të lartë.
Në raportin e “Heritage”, Shqipëria për këtë vit është ngjitur me 13 vende më lartë se viti i kaluar, duke lënë pas kështu shumë vende të botës, Europës dhe Ballkanit. Këtë vit, Franca, Italia, Portugalia, Bullgaria, Rumania, Turqia, Sllovenia Mali i Zi, por edhe disa prej vendeve me ekonomi emergjente si Brazili apo Rusia, klasifikohen poshtë mesatares botrërore.
Në pesë vendet e para nga 179 vendet e marra në studim, klasifikohet Hong Kongu, Singapori, Australia, Zelanda e re dhe Zvicera.
Indeksi i Lirisë Ekonomike, publikohet çdo fillim viti nga kompania prestigjoze e kërkimeve ekonomike amerikane “Heritage Foundation”, në bashkëpunim me të përditshmen “The Wall Street Journal”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›