E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Të rishikohet ligji i gjobave

Ministri i Financave ka pranuar t‘i rikthehet edhe një herë nga e para shqyrtimit të neneve, që flasin për mënyrën e apelimit të biznesit ndaj vendimeve të administratës tatimore. Sipas ministrit Bode, nëse kërkohet me ngulm heqja e parapagimit të gjobës në masën 15 për qind, kjo mund të arrihet, por me një kusht: të hiqet shkalla e apelimit në gjykatë.

Propozimi

Komisionet Parlamentare të Ligjit dhe Ekonomisë ishin mbledhur dje për të diskutuar rreth variantit përfundimtar të projektligjit "Për procedurat tatimore dhe administratën tatimore", ku i pranishëm ishte ministri Bode dhe specialistë nga dikasteri i financave. Pasi dëgjuan përmbajtjen e ligjit dhe çfarë parashikon ai në raport me biznesin dhe administratën tatimore, anëtarët e dy komisioneve kërkuan sqarime më të hollësishme, lidhur me disa nene të tij. Deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, kërkoi nga ministri sqarime rreth vendosjes së parapagimit në masën 15 për qind të gjobës nga biznesi, në çastin kur e shikon të arsyeshme apelimin e vendimit të tatimorit. "Vendosja e kësaj mase ka shkaktuar debat të fortë publik me grupet e interesit, pasi ata janë kundër këtij veprimi. Në këtë mënyrë, unë mendoj se pas një diskutimi të ri, të hiqet masa e pagimit 15 për qind, por vendimi administrativ të mos shkojë për apelim në gjykatë". Miratimi i kësaj alternative të re kërkon vullnetin e të gjitha forcave politike, por mbi të gjitha kërkon mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, vijoi më tej ministri. Sipas tij, vendimi administrativ i Drejtorisë së Apelimit në Tatim-Taksa nuk ka pse të shkojë për apelim në gjykatë dhe këtë shembull e japin vendet e tjera. "Administrata tatimore po vuan nga borxhet që biznesi i ka asaj, pasi të gjitha vendimet bien poshtë nëpër gjykata. Vetëm nga viti 2000 e këtej është shtuar numri i subjekteve që i detyrohen administratës tatimore dhe po nga kjo periudhë rreth tetë subjekte të mëdha po zhvillojnë procese gjyqësore me radhë për të shtyrë detyrimin. Kështu nuk mund të vazhdohet më. Gjykatat janë bërë palë me biznesin në kurriz të qeverisë. Ju kërkoni të luftojmë monopolet, kur nga ana tjetër vendimet e Autoritetit të Konkurrencës po bien gjithnjë poshtë nga vendimet e gjykatave, pas ankimimit të bërë nga bizneset. E njëjta situatë ndodhet dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes, vendimet e së cilës nuk janë zbatuar asnjëherë, pasi biznesi e ka fituar të drejtën në gjykatë. Për mendimin tim, gjykata nuk duhet të përfshihet në këtë proces dhe kjo zgjidhet duke ndërmarrë një reformë të fortë".

Ligji

I konsideruar nga Kryeministri Berisha si "Kushtetuta" e tatimorëve, ligji i ri "Për procedurat tatimore" ka pësuar ndryshime rrënjësore, i konceptuar sipas modeleve më të mira të Bashkimit Evropian. Ligji është unifikuar nga shkrirja e disa ligjeve të tjera, në mënyrë që bizneset dhe administrata t‘i kenë të përmbledhura të gjitha në një të vetëm. Të tjera ndryshime në kuadër të raportit biznes-tatime, konsistojnë në shkrirjen e Komisionit të Apelimit në Ministrinë e Financave, i cili, sipas dispozitave, duhet të mbyllë funksionin dy muaj pas miratimit të ligjit. Ndryshe nga sa ishte premtuar, në këtë ligj nuk flitet aspak për krijimin e Gjykatës Administrative, i cili do të shërbente për gjykimin e vendimeve të marra nga administrata tatimore ndaj biznesit, por edhe nëse këta të fundit i shkaktojnë dëm shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›