E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refreni "reformë", nevojë apo komardare shpëtimi?

Ngjarja e Gërdecit duket të jetë emblema e dështimit të ngrehinës shtetërore shqiptare. Bashkë me tymin e shpërthimit në qiell avulloi edhe ajo pak substancë që e mbante gjallë frymën e "demokracisë berishiane" të ngritur mbi sloganin "Me duar të pastra". E njëjta gjë mund të thuhet edhe për produktin e reformave, që me tone të larta kishin reklamuar përmirësimin e situatës së sigurisë në vend. Të gjithë janë tashmë të bindur që kjo ngjarje e rëndë erdhi si pasojë e veprimtarisë së paligjshme të organeve shtetërore, me një sfond të pastër korruptiv, që duket se përfshin të gjitha nivelet administrative dhe politike.

E ndodhur përballë kësaj situate, çdo qeveri e përgjegjshme, e cila ka dështuar në elementin më thelbësor të pushtetit publik, ofrimin e sigurisë publike, do të dorëhiqej dhe më pas, ngrehinës politiko-shtetërore i duhet nxjerrë mësim se çfarë nuk shkoi dhe pse ndodhi një ngjarje e tillë.

Në kohën kur publiku shqiptar i goditur direkt nga aktiviteti i paligjshëm i qeverisë së vet, kërkon që kjo e fundit të marrë përgjegjësitë e saj, Kryeministri i vendit po e shfrytëzon këtë situatë për të kryer reforma në sistemin delikat të sigurisë. Në pamje të parë duket sikur një gjë e tillë është normale. Kemi të bëjmë me një dështim të plotë të sistemit të sigurisë shqiptare, një dështim që më tepër strategjik duket neglizhencë e çdo institucioni të sigurisë kombëtare ose jo, në ushtrimin e funksioneve të veta. Por kur fijet e origjinës së problemit të çojnë në nivelet më të larta politike, një iniciativë e tillë publike shihet me dyshim.

Duket sikur ngjarja e Gërdecit nga dita e gjyqit të madh përpara opinionit publik shqiptar po shfrytëzohet për të kryer reforma të mbrapshta në funksion të interesave politike para-elektorale sesa forcimit të institucioneve të sigurisë. E thënë ndryshe të shtihet në dorë dhe të pastrohet çdo institucion i sigurisë, duke iu nënshtruar tani përfundimisht jo më ekzekutivit ku ato bëjnë pjesë, por personalisht Kryeministrit, i cili, me sa duket, është personi i vetëm i "painformuar" në historinë e Gërdecit. Një iniciativë e tillë është jo vetëm dyshuese, por edhe e pamoralshme, për aq kohë sa përgjegjësia politike e ligjore nuk ka dalë sheshit. Pasi lëshoi çdo bashkëpunëtor dhe shpërndau çdo përgjegjësi, kërkesa për reformë është e vetmja rrugëdalje për të larguar vëmendjen nga përgjegjësitë. Qeverisë më parë i takon të nxjerrë përgjegjësitë për atë që ndodhi se sa të kërkojë menjëherë fajtorë kudo, por vetëm jo te vetja. Të paktën nga të gjitha të dhënat e bëra publike duket që, krahas neglizhencës së institucioneve të shtetit, neglizhenca më e madhe qëndron te vetë Kryeministri Berisha.

Askush nuk mund të argumentojë se Vendimi i Këshillit të Ministrave që i hapi rrugë kontraktimit pa konkurrim të një aktiviteti që nuk është bërë më parë në Shqipëri, është vepër e institucioneve të sigurisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendndodhjen e poligonit, vetëm 10 kilometra nga Tirana, e cila është një zgjedhje e mirëfilltë e një procesi administrativ, se sa ndonjë vepër e konspiracionit kriminal dhe që ka kaluar pa u vënë re nga institucionet e sigurisë. Për të mos folur këtu për kontratën publike, zbatimin e saj, eksportin e armatimit apo atyre të demontuar që nuk janë vepër ilegale, por e autorizuar me akte juridike të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Kryeministri ynë. Për ironi, ky i fundit nga një njohës deri në detaj të situatës menjëherë, pasi ndodhi ngjarja e Gërdecit, duke na servirur lajme në fillim për çmontimin në kuadër të NATO-s, më pas ekspertizën amerikane apo rolin vetëm të transportit që kishte Ministria e Mbrojtjes në të, na del se paska qenë i gënjyer nga vartësit në çdo gjë dhe se institucionet e sigurisë kombëtare nuk e kishin paralajmëruar në kohë.

Pak njerëz mund ta besojnë këtë alibi të radhës, sidomos nga një Kryeministër që gjithmonë i është shitur shqiptarëve se di çdo gjë dhe drejton me dorë të hekurt. Pa përmendur këtu që në këtë poligon punonin edhe të afërm të tij, apo se edhe djali i tij ishte akuzuar, mbase dhe pa të drejtë për lidhje me kontrabandën e armëve me dy personazhet kryesore të lidhura me çështjen e Gërdecit. Një reagim normal nga ana e Kryeministrit, të paktën do të ishte kërkimi i informacionit nga çdo shërbim i specializuar nën varësinë e tij se kush po mundohej të përfshinte në një histori trafiku djalin e tij, e kështu natyrshëm emrat e personazheve Pinari e Delijorgji do ta kishin çuar edhe në Gërdec, apo në atë që po ndodhte aty. Kur ai nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, të bën të mendosh që edhe institucionet e sigurisë dhe informacionit nuk kanë dashur ta shqetësojnë shefin e tyre, pasi pa dashje mund të shkelnin në kallo dhe ta pësonin si ai mesazheri që vritej nga mbreti për lajmin e keq që i sillte këtij të fundit. Ineficenca në institucionet e sigurisë më tepër vjen nga absorbimi si duhet i frymës se qeverisjes "Berisha", që duart e pastra nuk i ka për të gjithë, porse lëvizja e tyre kontrollohet vetëm nga shefi i qeverisë, kur urdhëron ai dhe vetëm për këdo që do ai.

Tani që ngjarja e Gërdecit mori këto përmasa dhe qeverisja e zotit "Berisha" del zbuluar para opinionit publik si e vetmja përgjegjëse për çka ndodhi, ky i fundit po kërkon përsëri të shpërndajë apo tresë përgjegjësitë në kuadër të reformave. Refreni reformë e thellë nuk është gjë tjetër veç një eufemizëm i dëshirës për të hedhur lumin edhe kësaj radhe.

Në një shoqëri demokratike do të ishte tallje që të propozohen reforma të thella në politikën publike dhe në institucionet e sigurisë, pa kërkuar më parë zbardhjen e së vërtetës dhe marrjen e përgjegjësive nga shkaktarët e ngjarjes, që në rastin në fjalë qëlloi të jetë qeveria "Berisha". Si e tillë, kjo qeveri nuk mund të ketë legjitimitetin moral për të ndërmarrë reforma të tilla, kur është vetë pjesë e problemit. E vetmja gjë e moralshme që i ka mbetur është të japë dorëheqjen dhe t‘i hapë rrugë hetimit, në mënyrë që përgjegjësitë të dalin në mënyrë të qartë dhe përfundimtare. Vetëm atëherë mund të nxirren konkluzione për çka nuk shkoi mirë dhe ku e si duhet ndërhyrë. Në të kundërtën, pa nxjerrë përgjegjësitë politike e ligjore nga një qeveri që e ka shkaktuar vetë problemin, çdo reformë që mund të ndërmerret nuk ka gjasa të garantojë që ngjarje të tilla nuk do përsëriten më në të ardhmen. Refreni reformë nuk mund të jetë komardarja e radhës në detin e përgjegjësive që rrjedhin nga "Gërdecgate".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›