E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët: Të shkarkohet Bollano

 

BLEDAR HOTI

Deputetët e Kuvendit kërkojnë që qeveria dhe Presidenti të shkarkojnë kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano, përndryshe do të nisin vetë protestat. Thirrja e Bollanos në adresë të Greqisë për mos ratifikimin e MSA-së për Shqipërinë ngjalli reagime të ashpra nga parlamentarët shqiptarë ka krijuar një lob deputetësh për shkarkimin e tij. Të djathtë dhe të majtë u bashkuan për të kundërshtuar me forcë deklaratën e Bollanos për t’i kërkuar Greqisë mos ratifikimin e MSA-së me Shqipërinë. Në seancën parlamentare kanë reaguar dy deputetët, Nikollaq Neranxi i LSI-së dhe Frrok Gjini i PDK-së. Ndërsa reagimet jashtë Kuvendit mbërritën dhe nga deputetët e dy forcave të mëdha politike. Deputetët i kërkuan ndjekjen penale të Bollanos, pasi ai ka shkelur Kushtetutën. Ndërsa deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi akuzoi Bollanon për abuzime të shumta me pronat në zonat që janë në territorin e Bashkisë së Himarës. “Në Himarë po grabiten me dokumente dhe vendime të AKKP-së tokat e himarjotëve të trashëguara në shekuj prej bijve të atij vendi. AKKP-ja është një fole e krimit makabër me pronat kombëtare në tërësi, si dhe me ato të himarjotëve dhe të Bregdetit jugor, në veçanti”, deklaroi Neranxi. Ai i propozoi këtij Kuvendi të ngrihet një komision hetimor parlamentar për verifikimin e korrupsionit dhe aferave të mëdha me tokat e Bregdetit të Jugut dhe sidomos në zonën e bashkisë së Himarës, ku përfshihen shtatë fshatra. “Personalisht u drejtohem autoriteteve të larta zyrtare të vendit të ushtrojnë autoritetin e tyre ligjor për kontrollimin e gjendjes dhe sidomos për zbardhjen e të vërtetave që lidhen me grabitjet e tokave dhe pronave të Himarës. I kërkoj KLSH-së dhe Prokurorisë të vënë në lëvizje procedurat e tyre hetimore dhe kontrolluese për të ndalur procesin e vjedhjes me dokumente të tokave, që sot njëzëri konsiderohen si mrekullia e nesërme e turizmit mesdhetar”, theksoi Neranxi. Ndërsa deputeti i PDK-së, Frrok Gjini, kërkoi që të reagojnë në mënyrë të menjëhershme Presidenti e Kryeministri. Ai kërkoi që Kuvendi të miratojë një rezolutë kundër qëndrimit antishqiptar të kryebashkiakut Bollano. “Së bashku me disa kolegë të djathtë deputetë, me në krye zotin Ngjela dhe disa të tjerë që të protestojmë përpara Bashkisë së Himarës për këtë veprim antishqiptar që po ndërmerr ky kryetar bashkie”, deklaroi Gjini. Ndërsa deputeti i djathtë, Ngjela u shpreh se, “Bollano do ta ketë pisk me qytetarët shqiptarët, pasi shteti ligjor nuk vepron në Shqipëri”. Ndërsa deputeti i PD-së, Bujar Leskaj u tha se, “shprehja klasike: ‘nacionalizimi është streha e fundit e maskarenjve’, mendoj se në rastin më të mirë i takon Bollanos dhe pasuesve të tij”. “Për mendimin tim personal është një mbeturinë, rudiment i së kaluarës, i qarqeve nacionaliste ekstremiste greke që nuk gjen terren në Shqipëri, në këtë klimë mjaft të mirë marrëdhëniesh miqësore. Mendoj që të gjithë duhet ta demaskojmë, por natyrisht dhe ne politikanët duhet të bëjmë edhe më shumë”, theksoi Leskaj i PD-së. Ndërsa deputeti i LSI-së, Pëllumbi Xhufi deklaroi se, “Bollano në mënyrë të përsëritur shkel Kushtetutën e Shqipërisë, shkel parimet bazë të Shqipërisë si një shtet unitar dhe ka bërë thirrje të hapur për copëtimin e Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë i ka hedhur benzinë zjarrit dhe nxit urrejtjen kombëtare. Të gjitha këto janë nene dhe përbëjnë vepra penale të parashikuara në Kushtetutën e Shqipërisë”.

Spartak Ngjela
Bollano është i lirë të drejtojë kujt të dojë si individ, por me shqiptarët do ta ketë pisk. E dyta, ka hyrë në një lojë të rrezikshme që ka një shekull, e cila ka krijuar reperkusione negative për njerëz të tillë. Kush e paguan atë është i detyruar ta zgjidhë shteti. Por nëse shteti nuk merr masa ndaj një brilanti të tillë politik, që s’kanë asnjë lidhje me historinë dhe me shtetin tonë, individët duhet t’ia tregojnë vendin. Dhe shumë shpejt do t’ia tregojnë. Po ai duhet shkarkuar, por ky që kemi nuk është kryeministri që punon për shqiptarët.

Nikollaq Neranxi
“Bollano, ky person politik është i mandatuari që po e le Himarën në terr dhe injorancë zhvillimi. Ky njeri nuk po kryen detyrën ligjore dhe unë në cilësinë e deputetit, e denoncoj atë dhe gjithë shpurën e njerëzve të tij se po troket ora të marrin ndëshkimin e fortë qytetar dhe ligjor. Personalisht i propozoj këtij Kuvendi të ngrihet një komision hetimor për verifikimin e korrupsionit dhe aferave të mëdha me tokat e Bregdetit të Jugut dhe sidomos në zonën e bashkisë së Himarës, ku përfshihen shtatë fshatra”.

Frrok Gjini
Duke qenë se Himara është simboli i rezistencës shqiptare, do t’i kërkoja Presidentit, në cilësinë e kryetarit të shtetit të mbajë një qëndrim për mbrojtjen e integritetit tokësor të vendit tonë. Kryeministri të shkëputet nga personi, i cili gjatë gjithë këtyre viteve shquhet për trazira gjatë zgjedhjeve lokale. Kuvendi të mbajë qëndrim me rezolutë. Së bashku me disa kolegë të djathtë deputetë, me në krye zotin Ngjela dhe disa të tjerë që të protestojmë përpara bashkisë së Himarës për këtë veprim antishqiptar që po ndërmerr ky kryetar bashkie”.

Bujar Leskaj
Deputeti i PD-së e cilëson Bollanon si një mbetje e së kaluarës të qarqeve nacionaliste. “Shprehja e dhënë: nacionalizimi është streha e fundit e maskarenjve, mendoj se në rastin më të mirë i takon Bollanos dhe pasuesve të tij. Për mendimin tim personal është një mbeturinë, rudiment i së kaluarës, i qarqeve nacionaliste ekstremiste greke që nuk gjen terren në Shqipëri, në këtë klimë mjaft mirë marrëdhëniesh miqësore. Mendoj që të gjithë ne si shoqëri duhet ta demaskojmë, por natyrisht dhe ne politikanët duhet të bëjmë edhe më shumë në këtë aspekt”, theksoi Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›