Protestat antishqiptare në Himarë,mbërrin dosja në Gjykatën e Lartë
TIRANE – Mbërrin në Gjykatën e Lartë procesi në ngarkim të pesë himarjotëve të dënuar nga dy shkallët e para të gjyqësorit në Vlorë për “thirrje për urrejtje nacionale” dhe “poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”, vepra penale të kryera në bashkëpunim. Dosja në ngarkim të të dënuarve me nga tre vjet burg secili: Vangjel Kolila, Koço Llazari, Sofika Rapo, Alfred Beleri dhe Angjello Kokaveshi, nisi të shqyrtohej nga një kolegj penal i Gjykatës i së Lartë, por kryerja e procedurave të njoftimit u bë shkak që seanca të shtyhej. Pesë të dënuarit në mungesë, kanë arritur t’iu shpëtojnë prangave pasi u larguan menjëherë pas protestave të dhunshme të 12 tetorit 2003 në qytetin e Himarës. Këta janë gjetur fajtorë nga gjykata se kanë drejtuar një turmë rreth 90 vetë, të mbërritur me autobusë nga Greqia ku demonstruan se ishin grekë dhe se kërkonin largimin e shqiptarëve nga ky qytet. Më parë këta kishin marrë të njëjtit dënime nga Gjykata e Vlorës, por për arsye procedurale Apeli i këtij qyteti e ktheu çështjen për rigjykim. Sipas gjykatës, më 12 tetor 2003, pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve lokale në Himarë Fshat dhe para godinës së Bashkisë së qytetit të dënuarit kanë organizuar një manifestim. Ata kanë hedhur parulla antishqiptare dhe antikombëtare, pro greke dhe vorioepirote, duke krijuar incidente të shumta, duke nxitur urrejtjen nacionale, duke nxitur përkrahësit të kryejnë veprime të paligjshme dhe arbitrare. “Me sjelljet dhe veprimet e tyre duke injoruar flamurin shqiptar dhe himnin kombëtar e duke ngritur flamurin grek e kënduar himnin grek, duke e konsideruar Himaren si tokë greke dhe duke njohur vetëm qeverinë greke, kanë poshtëruar botërisht dhe nëpërmjet shkrimeve, publikimeve në gazetë Republikën e Shqipërisë dhe rendin kushtetues të saj”, pohon gjykata në vendim. fa.ma.