E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jave vendimtare per forcimin e euros

Banka Qëndrore Europiane rikthehet në qendër të vëmendjes botërore dhe java e re do të jetë vendimtare për planin kundër rritjes së kostove të borxhit në tregun e bonove qeveritare të vendeve të Eurozonës. Presidenti i bankës Mario Draghi pritet të bindë tregjet për forcimin e euros dhe kreun e bankës qëndrore gjermane. Në këshillin drejtues të bankës duket se është krijuar një maxhorancë e fortë në favor të blerjes së bonove sovrane. Por mbi këtë çështje Draghi ka mbështetjen jo vetëm të politikbërësve europianë të kryesuar nga presidenti i KE-së Jose Manuel Barroso, por edhe të Shtëpisë së Bardhë, FMN dhe Rezervës Federale. Presidenti Ben Brnanke ka marrë masa të tjera për të krijuar një front atlantik kundër krizës dhe u ka bërë thirrje kolegëve europianë të vijojnë me iniciativa të reja për zgjidhjen e krizës. Edhe sekretari i përgjithshëm i OECD Angel Gurria ka deklaruar se është e nevojshme që BQE tu jap sinjale të besueshme tregjeve dhe të blejë bono për të ndihmuar në reduktimin e borxhit publik të Spanjës dhe Italisë sa më shpejt të jetë e mundur. Mendoj se BQE është fuqia e zjarrtë, mendoj se ka aftësinë për të bërë presion mbi tregjet dhe të thotë se po, ne ia dalim, u ka thënë Gurria gazetarëve në një konferencë në Slloveni. Banka Qëndrore duhet të blejë sa më parë bonot e Italisë dhe Spanjës duke theksuar se këto dy vende kanë mbetur nën presionin e tregjeve pavarësisht masave të marra për rregullim të financave publike. Euro nuk duhet të jetë në rrezik ka thënë sekretari i përgjithshëm i OECD-së dhe instituti i Frankfurtit duhet të bëjë më shumë pasi mekanizmat e shpëtimit nuk janë të mjaftueshëm. Për Angel Gurrian asnjë vend nuk mund ta lerë euron dhe asnjë nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë. Duke filluar nga dita e hënë e deri në fundjavë guvernatori i BQE Draghi do të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh, por më i vështirë pritet të jetë ai me presidentin e Bundesbank, Jens Veidman, i cili ka deklaruar se nëse Draghi merr vendimin se do të blejë bono qeveritare do të japë dorëheqjen nga posti i tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›