Bode bind BERZH-in për 50 milionë euro
Kredia
Për dy ditë radhazi, Ministria e Financave zhvilloi negociata me BERZH-in, rreth kredisë 50 milionë euro, e cila do të financojë rrjetin rrugor. Pas diskutimeve dyditore rreth kushteve të kredisë e procedurave të zbatimit të projektit, u firmosën minutat e negocimit. Kredia në shumën prej 50 milionë euro pritet të bëhet efektive pas miratimit final në Bordin e BERZH dhe ratifikimit në Parlamentin Shqiptar rreth muajit maj të këtij viti. Kredia prej 50 milionë eurosh nga BERZH është pjesë e një projekti të koordinuar prej 137 milionë eurosh që do të mbështesin projektin e qeverisë shqiptare “Rrugët Dytësore e Lokale”, i cili është në zbatim që prej vitit 2008. Projekti do të jetë bashkëfinancim me një tjetër kredi nga Banka Europiane e Investimeve me po 50 milionë euro dhe me grante të Bashkimit Europian nga IPA 2010 e 2011 me shumën prej 33 milionë euro. Një grant prej 4 milionë euro nga “Western Balkan Investment Framework” do të mbulojë kosto të tjera të lidhura me projektin si projektim-supervizion, asistencë teknike etj. Rreth 650 km rrugë dytësore e lokale parashikohet të rindërtohen nga ky projekt gjatë 5 viteve të ardhshme. Projekti “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, është një bashkëfinancim i Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë dhe po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një vlerë të përafërt prej 400 milionë dollarësh. Aktualisht janë në proces implementimi 210 km rrugë rajonale dhe lokale, ndërkohë që gjatë vitit 2010, parashikohet që të jenë rehabilituar apo të jenë nën rikonstruksion 340 km rrugë. Janë hartuar projektet teknike dhe dokumentacionet për prokurimin e 400 km, si dhe është përfunduar me sukses inventarizimi i 3500 km rrugë rajonale dhe lokale duke ndërtuar një program që do të ndihmojë veçanërisht në prioritizimin e investimeve bazuar në kritere objektive teknike.
#