E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, katër skenarët e mundshëm të negociatave

Analiza

Më i mundshmi, hapje selektive të kutive, balancë institucionesh, por jo zgjedhje
Formula e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri. Kjo është enigma mbi të cilën më së shumti po diskutohet në prag të takimit që pritet të thërrasë kreu i shtetit, Bamir Topi, me partitë politike. Në korridoret e diplomacisë perëndimore në Tiranë, ashtu sikurse në tryezat konfidenciale të dy partive kryesore kanë filluar të artikulohen përmbajtjet e atyre çka mund të cilësohen skenarë të kapërcimit të ngërçit politik. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka konfirmuar se ka gati një paketë propozimesh konkrete për dy aktorët kryesorë, Sali Berisha dhe Edi Rama. Ndonëse jo zyrtarisht, ekzistojnë hamendësimet e para të asaj çka mund të përbëjë thelbin e marrëveshjes.
Skenari 1
Në deklarimet publike mazhoranca dhe Kryeministri janë shprehur qartazi se nuk tolerojnë në kërkesën për hapjen e kutive të votimit. Nga ana tjetër, opozita e ka vendosur si kusht të panegociueshëm kërkesën për të hapur këto kuti. Opsioni që më së shumti qarkullon është i një kompromisi, që në vetvete do të ishte zgjidhje e mesme në kërkesat e dy palëve. Ky skenar parashikon hetim parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, përfshi kutitë në ato raste kur çmohet e nevojshme, por në mënyrë selektive. Objekt i konsensusit mund të jetë vendosja e një balance në disa institucione kushtetuese. Mund të ndiqet një proces balancues për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Avokatin e Popullit, SHISH-in apo Kontrollin e Lartë të Shtetit. Pika e tretë e kompromisit mund të përbëjë konsensusin për reformën parlamentare në përputhje me rekomandimet e progres-raportit të Komisionit Europian. Kjo nënkupton transparencë mbi buxhetin, kontroll kushtetues mbi qeverinë, paritet mbi drejtimin e komisioneve parlamentare dhe autonomi financiare. Ajo çka duket se nuk ka nevojë për konsensus në çdo lloj skenari është reforma elektorale që në thelb ka depolitizimin e komisionerëve. Me qëllim që të garantojnë pranimin e kësaj formule nga Kryeministri Sali Berisha, ndërkombëtarët mund t’i vendosin kusht kreut të opozitës që të mos kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Skenari 2
Formula e dytë ndryshon nga skenari i parë për objektin kryesor të debatit, kutitë e votimit. Sipas këtij opsioni, mundet që të mos ketë hapje të kutive të votimit as në mënyrë selektive, por vetëm hetim parlamentar dhe vënie para përgjegjësie të atyre që gjenden me shkelje procedurale. Si këmbim i tërheqjes dhe thyerjes së bojkotit, opozitës mund t’i jepet aksesi në institucionet kushtetuese, por nuk përjashtohet mundësia e një pakti për Presidentin, në një kohë kur mandati i Bamir Topit mbaron në korrik të vitit 2012. Në këtë mënyrë opozita mund të kishte një arsye për t’u rikthyer në Kuvend, teksa Kryeministri Sali Berisha do të realizonte premtimin e tij për të mos u tërhequr nga qëndrimi mbi moshapjen e kutive të votimit.
Skenari 3
Formula e tretë parashikon që mazhoranca të mos lëshojë pe në qëndrimin e saj për moshapjen e kutive. Njëkohësisht opozita mund të mos tërhiqet nga kërkesat dhe protestat e saj popullore. Në një situatë të tillë, Kryeministri Sali Berisha mund të preferojë që të kalojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, çka do ta bënte të panevojshëm hetimin parlamentar mbi procesin e 28 qershorit. Me këtë variant, Berisha do të mund të shkonte në votime me kauzën e mbrojtjes së Kushtetutës, diçka që ai e ka përdorur shumë në qëndrimin refuzues ndaj hapjes së kutive. Kjo skemë mund të kërkonte një qeveri tranzitore, ose një pakt vetëm për reformën elektorale që do të çonte në zgjedhje.
Skenari 4
Sipas kësaj skeme, tryeza e negociatave nuk do të përfshinte hapjen e kutive të votimit, por as kalimin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Kryeministri mund të shfrytëzojë përçarjen e Partisë Socialiste dhe grupit të saj parlamentar, duke realizuar kuorumin e nevojshëm për realizimin e reformave kushtetuese. Në një situatë të tillë strategjia politike e Partisë Socialiste do të rezultonte e dështuar. Ashtu sikurse tentativa ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi që do të linte dy palët e kënaqura në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›