E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmoi Presidencën, mbetet në burg Fejzaj

"Kam qenë i survejuar dhe për mua është përgatitur një dosje, ndaj kam kërkuar që të takoj Presidentin për të sqaruar këtë problem". Me këto fjalë mësohet se ka justifikuar veprimin e tij Mevlan Fejzaj, i cili tri ditë më parë ka goditur me makinën e tij portën e jashtme të Presidencës. Dje gjatë seancës për shqyrtimin e masës së sigurisë, 50-vjeçari është mbrojtur nga një avokate e caktuar kryesisht nga gjykata. Ai është përpjekur të sqarojë rrethanat që e çuan në veprimin e tij, por nuk duket se ja ka arritur. Ka folur për survejim, por pa specifikuar te kush dyshonte, apo se çfarë lidhjeje kishte kjo me Presidentin. Prokurori i çështjes ka kërkuar burg pa afat për të pandehurin, i cili akuzohet për "shkatërrim të pronës me mjete të tjera", si dhe "prishje të qetësisë publike". Avokatja mbrojtëse, nga ana e saj, kërkoi një masë më të butë për Fejzajn, por gjykata ka vendosur që 50-vjeçari të qëndrojë në burg deri në përfundim të procesit hetimor dhe atij gjyqësor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›