E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode dorëzon buxhetin në qeveri: 413 mld lekë

Pas shumë negociatash, më në fund Ministria e Financave i dorëzon qeverisë për miratim projektbuxhetin e vitit 2010. Ndryshe nga tri vitet e kaluara, shpenzimet parashikohen të jenë më të reduktuara, si pasojë e përfundimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Në total, projektbuxheti i hartuar nga Financat parashikohet të jetë rreth 413 miliardë lekë, rreth 13 miliardë lekë më shumë se suplementari i vitit 2009. Sa u takon të ardhurave, plani është për rreth 363 miliardë e 300 milionë lekë, me një rritje prej 11.4 për qind. Në këtë pikë, qeveria synon të mbajë një deficit buxhetor jo më të lartë se 3.5 për qind, megjithatë për ta ruajtur atë, janë vendosur rezervë rreth 7 miliardë lekë. Puna për hartimin e projektbuxhetit ka nisur që më 10 korrik 2009, me qëllim miratimin në qeveri në datën 25 tetor, kurse më 1 nëntor, të mbërrinte në Kuvend. Negociatat e vazhdueshme me aleatët në qeveri, të cilët kërkonin më tepër sesa ishte plani, solli vonesa në miratimin e projektit. Megjithatë, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në mbledhjen e radhës së qeverisë, e cila zhvillohet sot, pritet të miratohet projekti i Financave.

Të ardhurat

Në projektbuxhetin 2010, janë parashikuar rreth 363.3 miliardë lekë të ardhura, ku vetëm nga tatimet dhe doganat mundësohen 250.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12.6 për qind, krahasuar me 2009-n. TVSH do të jetë taksa me të ardhurat më të larta, rreth 129 miliardë lekë, ku pjesa dërrmuese do të mblidhet nga doganat. Në këtë plan, Ministria e Financave ka llogaritur edhe zgjerimin e bazës së taksapaguesve me TVSH, falë uljes së xhiros vjetore në 5 milionë lekë. Edhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore do të kenë rritje të ardhurash të konsiderueshme, në rreth 61.2 miliardë lekë. "Këtë parashikim e kemi bërë nisur nga rritja ekonomike, ulja e informalitetit, niveli i pagave dhe punësimi", arsyeton Ministria e Financave. Pothuajse për të gjitha taksat pritet rritje të ardhurash, përfshi edhe taksat e pushtetit lokal, ndërsa te taksat doganore që aplikohen për mallrat e BE-së, CEFTA-s dhe Turqisë, pritet ulje.

Shpenzimet

Ndryshe nga plani i mëparshëm, miratuar në korrik 2009, Ministria e Financave e ka ulur nivelin e buxhetit, me rreth 4 miliardë lekë, duke pranuar kufirin prej 413 miliardë lekësh. Rritja në total është rreth 3 për qind, shifër modeste nëse e krahasojmë me buxhetet e kaluara. Ministria sqaron se përfundimi i rrugës Rrëshen-Kalimash, ndikoi në zbutjen shpenzimeve. Sa u takon investimeve kemi ulje me rreth 10 miliardë lekë, kurse shpenzimet për mirëmbajtje dhe personel, janë rritur ndjeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›