E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsultimet në shkolla, vetëm një orë në ditë

Mësuesit do të punojnë rreth pesë orë më shumë se zakonisht.

Ata do të jenë të detyruar që të punojnë me nxënësit një orë mbi normën e orëve të mësimit, përcaktuar sipas udhëzimeve të vitit shkollor dy muaj më parë. Kjo për shkak të një udhëzimi të ri të ministrit të Arsimit. Sipas ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, mësuesit do të zhvillojnë çdo ditë nga një orë shtesë, ku do të konsultojnë me nxënësit që kanë vështirësi në lëndë të caktuara. Rakordimin se si do të zhvillohen këto konsultime do ta kryejë drejtoria e shkollës, duke parë kërkesat, duke u konsultuar me mësuesit e duke krijuar grupet e nxënësve të cilët kanë nevoja për konsultime, përveç orëve të përcaktuara të mësimit.

Megjithëse kjo ka krijuar reagimet e para në radhët e mësuesve, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit nuk do të ketë shpërblim apo shtesë page për mësuesit që do të kryejnë konsultat.

Ata do të vazhdojnë të paguhen njësoj si në të kaluarën, pavarësisht se do të kryejnë pesë orë mësim mbi normën e zakonshme. Konsultat në shkollë nuk do të jenë çrrënjosëse të konsultave private, por sipas Ministrisë së Arsimit kjo është një nismë e cila do të minimizojë "modën" e kurseve private. Në të tilla kushte, kur shkolla ofron konsulta falas, edhe prindërit do t‘i drejtojnë fëmijët e tyre për të përfituar nga orët shtesë në shkollë, sesa nga kurset me pagesë.

Pak ditë më parë, ministri Tafaj u sugjeroi mësuesve dhe strukturave të arsimit të mesëm të kujdesen për nxënësit, duke ofruar edhe aktivitete sportive, shkencore, artistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›