E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode, gjysëm miliard dollarë plani antikrizë

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Financave Ridvan Bode doli në konferencë shtypi për të deklarur se të ardhurat nga privatizimet dhe fondi rezervë i qeverisë(i quajtur fondi i kontingjencës) do të jenë gati për t u përdorur për të parandaluar ose përballuar pasojat e mundshme të krizës së përgjithshme financiare që po kalon sot bota. Shqipëria, njëlloj si dhe Kroacia, nuk ka lëvizur për të rritur garancitë lidhur me depozitat e popullatës në bankat tregtare (lëvizje që e bënë të gjitha vendet evropianoperëndimore, me në krye Gjermaninë gjatë muajve shtator-tetor të këtij viti), duke e konsideruar të panevojshëm një hap të tillë. Bode theksoi se"Për çdo eventualitet të mundshëm të zhvillimeve në ekonomi ne kemi rreth 2% të Produktit Bruto të Brendshëm, që janë rreth 20 miliardë lekë, ose më shumë se 200 milionë USD kontigjencë për vitin 2009. Kjo për të parë muaj pas muaji zhvillimet në ekonomi dhe alokimin e kësaj kontigjence në ata sektorë, politika dhe investime që do të konsiderohen më efikase në raport me parandalimin e çdo efekti të krizës në ekonominë tonë. Ndërkaq, ne po bëjmë kujdes që të gjitha të ardhurat nga privatizimet t i fusim në ekonomi gjatë vitit 2009 dhe sa më shpejt". Nga privatizimet strategjike qeveria mendon të sigurojë 300 milionë dollarë. Kjo, ngaqë të ardhurat nga privatizimi i ARMO-s qeveria nuk i ka përdorur në mënyrë të plotë. Janë rreth 125 milionë euro në dispozicion, të cilat mund të preken në masën 5-10 milionë euro për vitin 2008 dhe gjithë pjesa tjetër do të destinohet për vitin 2009, për të vijuar mbështetjen e programit të investimeve publike, por edhe për të pakësuar borxhin publik. Po kështu do të përdoren dhe të ardhurat nga OSSH-ja, një pjesë e të cilave do të përdoren edhe për të rregulluar pozicionin financiar të KESH-it, të ardhurat nga privatizimi i INSIG-ut, nga privatizimi i AMC-së dhe të gjitha privatizimet e tjera që do të realizohen gjatë vitit 2009. I pyetur nga “Ballkan”, analisti Zef Preçi shprehet se një sasi e tillë parash, megjithëse e konsiderueshme dhe impresionuese, mund të mos mjaftojë. Në një nga studimet e tij, Prof. Dr. Shkelqim Cani ka përmendur se sipas studjuesit Friedman, çmim nobel për ekonominë, një vend ka nevojë për rreth 17 përqind të Produktit Bruto të Brendshëm kur ndodhet në një krizë financiare, për ta kaluar atë. Por analisti Mitro Çela mendon se Shqipëria nuk ndodhet në krizë financiare. “Ne nuk jemi në krizë. Janë të tjerët, vendet e tjera që ndodhen në këtë gjendje. Ne vetëm do të prekemi nga kjo krizë e të tjerëve”, përfundon ai. Çela gjykon se paratë e deklaruara nga ministri Bode janë një garanci serioze.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›