E Diel, 1 Nëntor 2026

Paratë nën jastëk

Autori i Lajmit: Fatos Cocoli
Paratë e mbajtura nga shqiptarët jashtë kanaleve bankare janë quajtur rëndom nga ne të gjithë “paratë e sëndukut” apo ato “të jastëkut”. Problemi me to është se nuk dihet asnjëherë se sa janë. Mund të maten në mënyrë të tërthortë, me afërsi. Dhjetë vite më parë paratë në duart e shtetasve të këtij vendi përbënin mbi 60 përqind të parave në qarkullim. Tani kohët kanë ndryshuar, megjithatë llogaritet që afro gjysëm miliardi euro janë ende në duart e qytetarëve dhe fshatarëve shqiptarë ende të pavendosur se çdo të bëjnë me to. T i vendosin si depozita ndër banka, shumë syresh kanë ende frikë. Ka kaluar ai shqetësim i madh i muajve shtator apo tetor të këtij viti, kur mendohej se bankat edhe mund të falimentonin. Bankat tashmë kanë rifituar drejtpeshimin kudo në botë dhe me të, edhe besimin e qytetarëve. Pyetja e sikletshme “a do të falimentojë banka ku kam kursimet?” tani nuk bëhet më jo vetëm në Shqipëri jo e jo, por as edhe në SHBA apo vendet e Evropës Perëndimore. Të gjitha bankat janë të sigurta dhe kjo është e vërtetë si drita e diellit. Po pse? Sepse bankat janë shpëtuar në botën perëndimore, prandaj dhe filialet e tyre janë po aq të sigurta edhe tek ne. SHBA ndërhynë me një paketë ndihme prej 700 miliardë dollarësh, duke siguruar para të thata për bankat në nevojë. Pesëmbëdhjetë shtetet e eurozonës dhe Britania e Madhe vendosën 2.3 trilion(mijë miliardë) dollarë në formë garancish dhë ndihme emergjence për të ndihmuar bankat qe kane, duke shtetëzuar disa prej tyre. Edhe pse bankat ishin zanafilla e krizës dhe investimet “toksike”(helmuese) të bankave investuese sollën gjëmën, sërish SHBA dhe vendet evropianoperëndimore kuptuan se po të linin të binin bankat një nga një, kriza do të gëlltiste të gjitha ekonomitë e zhvilluara. Po tek ne, ku bankat janë të sigurta, si mund të mbrohemi nga kriza dhe shvlerësimi i monedhës? Ministri ynë i Financave Bode jep një zgjidhje për paratë që i mbajmë ende në xhepa, apo nën jastek. “Nëse do të ketë zhvlerësim”, deklaroi dje Bode,” atë do ta pësojë më shumë qytetari që i ka futur paratë nën jastëk dhe jo ai që i ka në banka”. E thënë ndryshe, kjo përbën një thirrje të fortë për t u dhënë para bankave, për t i futur paratë “e jastëkut” në qarkullimin monetar dhe ekonomik të vendit. Mirë, nësë njerëzit e pavendosur me paratë e bijve emigrantë apo me ato të qerasë së ndonjë prone ndër duar, vendosin më së fundmi t i fusin nëpër banka, atëhere në cilën bankë? Ka shumë mundësi zgjedhjeje në të 14 bankat tregtare të vendit për të vendosur paratë. Gjithashtu një mundësi e mirë dhe e leverdisshme(ofron deri në tetë përqind interes vjetor për depozitë) është blerja e bonove të thesarit të shtetit shqiptar. Guvernatori i bankës sonë qëndrore, Ardian Fullani deklaroi pak ditë më parë se takon në kohën e ankandit rreth 200 qytetarë që si individë marrin pjesë në ankandet dhe blejnë bonot e thesarit. Deri tani, në mbi një dhjetëvjeçar funksionimi të sportelit të bonove në Bankën e Shqipërisë, të gjithë ata që kanë blerë kanë dalë të kënaqur e të fituar nga ky investim. Ndoshta edhe pse në gjithë këta vite leku shqiptar ka qenë i qëndrueshëm dhe i shëndoshë. Pyetja me vlerë një milion dollarë(apo euro) që bëhet është nëse leku, në kushtet e krizës financiare globale do të vijojë të ketë qëndrueshmërinë e treguar deri tani. Janë të gjitha gjasat që atë të vijojë ta ketë. Jo vetëm për miliardat e Berluskonit apo të energjisë mbi lumin Devoll nga kompanitë austriake apo norvegjeze, që po i vijnë vendit. Por nga ai gjykim që njëlloj sikurse duhet ta bëjmë ne, e kanë bërë pak javë më parë ekonomistët dhe studjuesit kroatë. Kroacia(njëlloj si dhe ne) ka një sistem të shëndoshë bankar, që nuk ka kaluar në aventura për investime toksike(në tregun sekondar të kapitaleve, duke blerë kredi të hipotekuara, etj.). Po njësoj si ne, Kroacia ka një sektor turizmi në bum të mirëfilltë dhe një industri ndërtimi që rritet si në ethe. Qeveria zbaton politika të shëndosha makroekonomike dhe investuesit e huaj e preferojnë dhe e pëlqejnë Kroacinë. Mund të thuhet pa frikë se vendi ynë i ngjan shumë këtij vendi fqinj kaq piktoresk e interesant. Me një monedhë vendase(krunan) të fortë. Nuk ka pse të mos i ngjajë krunas edhe leku ynë. Kështu që është koha të largojmë paratë nga jastëku dhe t i vendosim në bankat tregtare apo pranë Bankës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë ndihmojmë veten (marrim interesat përkatëse), por edhe vendin që ta kalojë pa shumë pasoja krizën.
Fatos Çoçoli

Ky lajm është publikuar: 26/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›