Misioni i BE-së do të vendoset në Kosovë të shtunën
Diplomatët europianë kanë bërë të ditur se Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë do të nisë ditën e shtunë. Ky lajm është bërë i ditur nga një rrjet interneti, i cili ka ekskluzivitetin e lajmeve të BE-së. Kështu, në Kosovë, gjatë fundjavës do të nisen 1800 gjyqtarë dhe forca policore. Diplomatët kanë konfirmuar për këtë rrjet të quajtur Euobesrver, se të 27 vendet e BE-së kanë vendosur, nëpërmjet një procedure të shkruar zyrtare, nisjen e misionit që duhet të përfundojë në mesnatën e së premtes, në mënyrë që forcat e këtij misioni të shtunën në mëngjes të jenë të pranishme në Kosovë. Ky veprim konsiderohet tepër i rëndësishëm, duke qenë se të dielën autoritetet kosovare pritet të shpallin pavarësinë. Shtete të ndryshme europiane kanë kërkuar që misioni të miratohet para kësaj dite dhe të mbikëqyrin gjithë procesin e njohjes së pavarësisë. “Të gjitha debatet lidhur me këtë vendim tashmë kanë marrë fund dhe misioni nis të shtunën, është shprehur një diplomat. Javën e kaluar Bashkimi Europian ka miratuar aksionin e përbashkët për ngritjen e misionit, që do të quhet Eulex, duke i dhënë fund misionit të OKB-së që është vendosur në Kosovë. Por Qiproja ka abstenuar vendimin duke i hapur rrugë misionit dhe duke mos e bllokuar atë. Diplomatët kanë deklaruar se misioni është i ligjshëm, duke u bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, e njëjta rezolutë që njohu administrimin e Kosovës nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999.
15 Shkurt 2008