Fratini prezanton planet për kontroll elektronik të kufijve të BE-së
Instalimi i këtij sistemi ka të bëjë me regjistrimin e të dhënave biometrike. Sistemi do të ndihmojë edhe në hetimin e atyre që qëndrojnë ilegalisht në një vend
Kushdo që dëshiron të hyjë apo të dalë nga territori i Bashkimit Europian tashmë do të kontrollohet nga një sistem elektronik. Komisionari për politikën e brendshme të BE-së, Franko Fratini, ka bërë të ditur se për të luftuar emigrimin ilegal në kufi po planifikohet pajisja elektronike e sistemeve të mbrojtjes kufitare. Instalimi i një sistemi për hyrje-daljet do të bëjë të mundur që të mbahen të dhënat e secilit, duke përfshirë këtu edhe regjistrimin e shenjave të gishtërinjve dhe të dhënat biometrike, të cilat do të ruhen në formë elektronike, ku do të theksohet edhe kohëzgjatja e vizës së udhëtarit. Më pas këto të dhëna do të shkëmbehen nga 1800 pikat kufitare të Bashkimit Europian. Fratini është shprehur se i gjithë ky sistem do të vihet në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. “Ne duhet të jemi më rigorozë kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve të BE-së dhe të kujdesemi që njerëzit e nderuar, të cilët vijnë në Bashkimin Europian, t’i shijojnë përparësitë e bujarisë”, - ka theksuar ai. Ky sistem i ri elektronik për hyrje-daljet e qytetarëve të huaj në BE lehtëson edhe procedurën e hetimit të atyre që pas skadimit të vizës nuk janë larguar nga Bashkimi Europian, por vazhdojnë të qëndrojnë në ilegalitet dhe punojnë pa dokumente. Sipas të dhënave të BE-së, vetëm në vitin 2006 janë arrestuar rreth gjysmë milioni njerëz. Në Bruksel mendohet se kjo shifër duhet të jetë shumë më e madhe. Megjithatë, deri tani emigrantët ilegalë janë kapur vetëm gjatë kontrolleve rutinë. Me sistemin e ri elektronik përgjegjësitë në selinë qendrore të BE-së premtojnë një kuotë më të lartë të suksesit gjatë ndjekjes së personave ilegalë. “Ky është një projekt shumë ambicioz. Ne provojmë të fusim në përdorim teknologjinë më të re për të penguar udhëtimin e kriminelëve dhe personave të dyshimtë”, - është shprehur komisionari Fratini. Dy elemente të tjera të strategjisë së re për mbrojtjen kufitare janë zgjerimi i Agjencisë europiane për mbrojtjen kufitare “Frontex” si dhe instalimi i një sistem të ri vëzhgues satelitor me emrin “Eurosur”. Ky sistem pritet të instalohet para së gjithash në kufijtë jugorë dhe lindorë të BE-së. Sistemi i ri i kontrollit kufitar është shumë i ngjashëm me sistemin e SHBA-ve, i cili është vendosur pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001. Kontrollet e kufijve në të gjithë botën nuk janë asnjëherë një akt mirëpritje i përzemërt, por shumë më tepër shprehje e një lloj mosbesimi kundrejt vizitorit dhe një akt izolimi. Që tani, dhënia e vizave me kontrollet në kufi dhe ato në doganë nuk janë procedura dinjitoze për vizitorët e BE-së. Dallimi kryesor ndërmjet një pasaporte udhëtimi biometrike dhe një pasaporte të zakonshme është që ato biometrike janë më të vështira të falsifikohen. Me anë të saj, dokumenti dhe zotëruesi i tij lidhen më ngushtë me njëri-tjetrin. Pra pasaporta biometrike e përmbush veçanërisht mirë qëllimin.
15 Shkurt 2008