Këshilli i Sigurimit, seancë urgjente për Kosovën me kërkesën e Serbisë
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur dje me kërkesën e Serbisë për një seancë urgjente me dyer të mbyllura për Kosovën. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, përfaqësoi vendin e tij me një përpjekje të minutës së fundit për të penguar pavarësinë e Kosovës, që pritet të shpallet brenda disa ditësh.
Serbia në këtë seancë shprehu shqetësimet e saj lidhur me synimin e Kosovës për të shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Ndërsa Rusia ka përsëritur pikëpamjen e saj se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga ana e Kosovës do të ishte shkelje e Rezolutës 1244. Serbia e kishte kërkuar seancën urgjente përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit të Sigurimit të martën, ku shprehej qëndrimi se shpallja e njëanshme e pavarësisë do të përbënte një shkelje të Rezolutës 1244 dhe dhunim të tërësisë territoriale të Serbisë dhe do të vinte në rrezik ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Rusia, nga ana e saj, në një letër ku mbështetej kërkesa e Serbisë, e kërkoi takimin për të shqyrtuar “zhvillimet e rrezikshme në Kosovë” nga “aktivitetet përgatitore” për shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se problemi i Kosovës ka dalë nga axhenda e OKB-së dhe zgjidhja për statusin e Kosovës do të kërkohet jashtë saj. Thaçi tha se Kosova do të bëjë hapat e saj në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.
“Ju e dini që çështja e statusit politik të Kosovës ka dalë nga godina e OKB-së, por pretendimet tona, zotimet si institucione të Kosovës janë që të bashkëpunojmë sa më ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Sa i përket statusit, gjithçka është e përfunduar dhe pretendimi ynë është që në të ardhmen e afërt të jemi pjesë OKB-së”, - është shprehur kryeministri kosovar, Hashim Thaçi.
15 Shkurt 2008