Energjia, ERT-ja merr vendimin sot për rritjen e çmimit
Enti Rregullator i Energjisë pritet që sot të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë kohë më parë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për rritjen e çmimit të energjisë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Burime pranë ERT-së bëjnë të ditur për gazetën se, “çmimi i energjisë nga marsi 2008 do të jetë rreth 15-20 për qind më i shtrenjtë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve”. Po sipas të njëjtave burime mësohet se, “skema e tarifave të çmimeve të energjisë do të ndahet me dy nivele, i pari mund të qëndrojë i pandryshuar dhe i dyti do të kapet nga rritja e re”. Por ajo çka është e re në këtë fakt është se ndryshe nga sa ishte premtuar nga KESH-i dhe qeveria, niveli i parë ndarës i konsumit të energjisë nuk do të jetë 400 kilovat/orë në muaj, sa ishte premtuar, por vetëm 300 kilovat/orë. Kjo masë, ndryshe nga niveli i mëparshëm, pritet të prekë direkt xhepat e konsumatorëve shqiptarë, veçanërisht atyre familjarë, të cilët janë rënduar tepër nga rritja e madhe e çmimeve të kohëve të fundit. Rritja e re prek nivelin e parë ose të njohur si tavani me çmimin e pandryshuar të konsumit të energjisë, duke e bërë rritjen e çmimit edhe më të lartë. Kështu, sipas Entit, për të gjithë ata konsumatorë që do të konsumojnë energji mbi tavanin e parë prej 300 kilovat/orësh, çmimi për një kilovat/orë do të shkojë deri në 12 lekë/kilovatori, nga 7 lekë kilovati që është aktualisht. E thënë ndryshe, për një familje që konsumon rreth 300 kilovat/orë energji në një muaj, fatura nga 2520 lekë do të vijë 4320 lekë në muaj, kurse për ata që konsumojnë nën 250 kilovat/orë në muaj, çmimi i energjisë mendohet se do të mbetet i pandryshuar. Por të gjitha këto do të zyrtarizohen vetëm sot, pas mbledhjes së ERT-së, ndërsa do të hyjnë në fuqi që nga data 1 mars 2008.
15 Shkurt 2008