E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Gërdec i dytë në Gjirokastër, të largohet Bime

 

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, si akt i parë moral dhe politik për vazhdimin e zbardhjes së saj. Kërkesa u bë dje nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili, gjatë një konference për shtyp. "Dje, në Gjirokastër është konfirmuar një Gërdec i dytë tragjik dhe po aq i tmerrshëm. Sigurisht, që në këtë vend, ku përgjegjësitë janë të gjitha të rëna në tokë, në këtë ngjarje që ka një vendndodhje konkrete dhe përgjegjësi konkrete, përgjegjësi i parë, është ai që drejton pushtetin lokal, kryetari i Bashkisë, Flamur Bime dhe dorëheqja e menjëhershme, ku çdo sekondë e mosdhënies së kësaj dorëheqje është një dëm i pallogaritshëm moral dhe politik, do të ishte vetëm hapi i parë, përtej përgjegjësive të tjera ligjore, të cilave duhet t'i shkohet deri në fund, për të dhënë më në fund mesazhin, që në këtë vend përgjegjësit dhe fajet e tyre marrin ndëshkimin e merituar", tha Vasili. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së u shpreh, se kjo ngjarje është rezultat i korrupsionit në pushtetin lokal, që pasqyrohet në të gjithë vendin. "Ne jemi të indinjuar, ashtu sikurse të gjithë shqiptarët, për këtë tragjedi të tmerrshme të prodhuar nga korrupsioni, tashmë konsensual PS-PD, i cili gjallon në pushtetin aktual dhe mbrohet nga qeveria e Sali Berishës, për hir të atyre aferave ndërtimore dhe politike, të cilët ashtu sikurse shembën themelet e shtetit, që është Kushtetuta, po shembin edhe pallatet, banesat e qytetarëve dhe abuzivizmi dhe arroganca korruptive, tashmë me dy autorë, Rama dhe Berisha, po merr jetë njerëzish, duke destabilizuar dhe duke bërë që njerëzit të jetojnë me peshën e gërdecave të njëpasnjëshëm", tha Vasili. LSI shprehu dhe ngushëllimet e saj ndaj viktimave të kësaj tragjedie. "LSI është mjaft e tronditur, ashtu siç janë të gjithë qytetarët shqiptarë, lidhur me tragjedinë e ndodhur në qytetin e Gjirokastrës. Publikisht, shumë sinqerisht dhe me dhimbje të madhe i shpreh ngushëllimet familjes së viktimës, e cila u nxor pa jetë nga rrënojat e pallatit të shembur", u shpreh Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›