E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode kundër, Alibeaj pro

18/02/2009  Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë, debate në Komisionin e Ligjeve

Kuvendi ai delegon çështjen Këshillit të Ministrave. Propozimet shtesë të Ministrisë së Drejtësisë

Ministria e Financave është deklaruar kundër propozimit të deputetit të PD-së Astrit Bushati për zgjerimin e përfituesve nga ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë dhe shtyrjen deri në korrik 2009 të afatit të paraqitjes së kërkesave. Sipas drejtoreshës për buxhetin pranë këtij dikasteri Mimoza Dhëmbi, pranimi i këtyre ndryshimeve do të thotë shtyrje në kohë të procesit të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. Ndërsa përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë Marsida Xhaferllari është deklaruar pro ndryshmeve, duke paraqitur edhe rregullimet përkatëse. Deri më 19 dhjetor 2008 pranë Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur gjithsej 17 579 kërkesa për dëmshpërblim financiar dhe pas këtij afati 665 kërkesa. Përballë komenteve të dy përfaqësueseve të ministrive, Komisioni i Ligjeve, ku u prezantuan vlerësimet përkatëse, vendosi dërgimin e projektligjit në qeveri me qëllim rakordimin e propozimeve.

Rrëzimi

Sipas Dhëmbit, iniciativa e deputetit Bushati ndërpret procesin e dëmshpërblimit dhe e shtyn atë të paktën një vit. “Nëse zgjatet afati, do të zgjatet edhe shqyrtimi i dosjeve, që detyrimisht kërkon një periudhë kohe për rivlerësimin e tyre. Referuar disa kritereve bazë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, në buxhet kemi vendosur një shumë prej 2 miliardë lekësh, që ndahet në mënyrë të barabartë mes gjithë të dënuarve. Në këtë mënyrë, ne duhet të presim sa të mblidhen kërkesat edhe 6 muaj të tjerë, që të vlerësohen dosjet dhe pastaj të ndahet shpërblimi, afat i cili ndoshta mund të kalojë edhe vitin buxhetor. Pra, të ngelet pa u përdorur”, - tha përfaqësuesja e Ministrisë së Financave. Ndërsa ajo e Ministrisë së Drejtësisë paraqiti statistika rreth propozimeve dhe ndikimit që ato mund të kenë në ligjin aktual. Xhaferllari tha se në Ministrinë e Drejtësisë janë depozituar rreth 50 kërkesa nga ish-të dënuarit për veprat penale që propozohen të shtohen dhe rreth 460 kërkesa nga shtetas (motra, vëllai, nipi apo mbesa) që nuk i përkasin rrethit të familjarëve të përcaktuar në ligjin aktual. Këto kërkesa, sipas saj, janë trajtuar me njoftimin negativ. “Nëse çmohet i arsyeshëm zgjerimi i përfituesve, atëherë duhet përcaktuar si detyrim për kërkuesit paraqitja e dokumentacionit nga gjendja civile, që provon të gjithë trungun familjar të gjallë të ish-të dënuarit deri në radhën e tretë të trashëgimtarëve. Dëshmia e trashëgimisë si dokument zëvendësues nuk mund të përdoret, pasi trashëgimtarët ligjorë, sipas Kodit Civil, janë të afërmit deri në shkallën e gjashtë”, - tha ajo.

Propozimet e Alibeajt

Në vijim, ministri i Drejtësisë sugjeroi shtimin në projektligj të një dispozite tranzitore për rregullimin e statusit të kërkesave të paraqitura nga kërkuesit pranë Ministrisë dhe të trajtuara me “njoftim negativ” për shkak të llojit të dënimit apo të lidhjes familjare, shkaqe të cilat do të ndryshojnë me këtë projektligj. Lidhur me dy situata problematike të nxjerra në pah nga zbatimi i ligjit për dëmshpërblimin financiar të të ekzekutuarve pa gjyq, Ministria e Drejtësisë propozon të shtohet dëmshpërblimi financiar edhe për këtë kategori. Për këtë ajo sugjeron të shfrytëzohet nenit 2 i ligjit bazë, që lejon ndërmarrjen e nismave të njëkohshme ose të mëvonshme ligjore apo administrative, të cilat i shërbejnë rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj shtrese apo krijimit të kushteve favorizuese për riintegrimin shoqëror të tyre. Lidhur me dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba, ajo sugjeron që dokumentacioni i kërkuar nga ligji aktual “vendim administrativ politik internimi që tregon edhe veprën penale politike”, të thjeshtohet duke u zëvendësuar me “akt administrativ apo dokument zyrtar që provon internimin në kamp me rrethim me tela me gjemba”.

Ministria e Drejtësisë

“Zgjerimi i përfituesve deri në këtë radhë trashëgimie (siç parashikon Bushati) jep pasoja edhe te masa e dëmshpërblimit që do të përfitojë secili prej tyre. Në këtë pikë duhet theksuar se nga rezultatet e deritanishme të Ministrisë së Drejtësisë masa mesatare e dëmshpërblimit varion nga 5 në 6 milionë lekë dhe kësaj mase i zbriten përfitimet e mëparshme të marra nga ish-i dënuari politik, që variojnë mesatarisht 1 deri në 2 milionë lekë.”

Ministria e Financave

“Kur është vendosur masa e dëmshpërblimit, është mbajtur parasysh familja në rrethin e parë të trashëgimtarëve të saj. Kështu që zgjerimi i kësaj liste ndryshon koston financiare, gjë që sjell efekte suplementare për Buxhetin e Shtetit. Gjithashtu ligji përcakton që brenda 15 marsit duhet të paraqitet fatura përfundimtare financiare. Edhe kjo dispozitë nuk zbatohet, pasi duhet të vendoset një tjetër afat dhe procesi të nisë nga fillimi.”

Vendimi i komisionit

Deputetët e komisionit, përfaqësues të të dyja palëve, kërkuan kthimin në qeveri të projektit, duke kërkuar rakordimin e propozimeve të nismëtarit me ato të ministrive. I propozuar nga republikani Arian Madhi, kërkesa u mbështet edhe nga deputeti i PS-së Bashkim Fino. “Mendimet kanë probleme si nga pikëpamja procedurale, ashtu dhe nga ana financiare. Çështja të ritrajtohet dhe të merret mendimi i qeverisë se ç’mund të bëhet më tej”, - tha ai.

Majko replikon me Rusmalin

Kryetari i Komisionit të ligjeve Ilir Rusmali ka debatuar për anën procedurale të projektligjit me deputetin e PS-së Pandeli Majko. Ky i fundit ka hyrë në opinione për projektin, ndërkohë që duhej të jepte mendim vetëm për kthimin ose jo në qeveri të tij. “Nuk shoh asgjë të keqe që Parlamenti të kalojë këtë projekt. Se ku do t’i gjejë paratë kjo qeveri apo ajo tjetra, nuk i takon asnjërës prej dy ministrive. Jam kundër kthimit të ligjit në qeveri”, - tha Majko, me gjithë përpjekjet e kryetarit Rusmali për t’ia ndërprerë fjalën. “Nuk po respektoni autoritetin e kryetarit dhe komisionit, nuk është e shijshme për një ish-kryeministër të sillet kështu”, - tha Rusmali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›