Letër e hapur ; Dy vjet në pritje të drejtësisë
Nga Pajazit Nushi*
Z. Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës, z. Hashi Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Ramë Manaj, zëvendëskryeministër, z. Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër, znj. Nekibe Kelmendi, ministre e Drejtësisë, z. Zenun Pajaziti, ministër i Punëve të Brendshme, z. Sheremet Ahmeti, drejtor i përgjithshëm i Policisë, z. Yves De Kermabon, z. Pieter Feith, z. Lamberto Zanier, Zyrës Rumune në Prishtinë, Ambasadës Amerikane në Prishtinë Ambasadës Franceze në Prishtinë, Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Ambasadës Angleze në Prishtinë, Amnesty International, Human Rights Watch, International Helsinki Federation For Human Rights, të gjitha mediave vendore, Të nderuar, më 10 shkurt 2009 bëhen dy vjet nga demonstrata që kishte organizuar lëvizja “Vetëvendosje” për të kundërshtuar planin e Ahtisarit. Atë ditë protestuesit kishin ardhur nga Kosova dhe vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët (Lugina e Preshevës, Maqedonia, Mali i Zi dhe Republika e Shqipërisë). Organizatorët e protestës kishin paralajmëruar se protesta do të jetë paqësore dhe kishin siguruar për mbarëvajtjen e saj. Protestës i ishte bashkangjitur edhe zoti Adem Demaçi, kryetar nderi i KMDLNJ-së dhe fitues i çmimit “Saharov”, ndryshe, luftëtar i njohur dhe i dëshmuar për të drejtat politike dhe civile, jo vetëm të shqiptarëve, por për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë nacionale të tyre. Kjo vetvetiu nënkuptonte karakterin paqësor të protestave. Zhvillimin e protestës, që nga fillimi e derisa ka përfunduar, e kanë monitoruar aktivistët e KMDLNJ-së, organizatë me përvojë 19-vjeçare (që vepron nga 14 dhjetori 1989) në monitorimin, përparimin, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. KMDLNJ-ja ka qenë e vetmja OJQ për të drejtat e njeriut që ka monitoruar protestat. Drejtuesit e KMDLNJ-së i kishin përcjellë Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK-së) informacionin e marrë nga organizatori për karakterin paqësor të protestave dhe kërkesën që të zvogëlohet dukshëm numri i policëve në rrugë, të largohen pengesat që ishin vendosur nga policia dhe të mos pengohen protestuesit në parakalimin e tyre gjatë trajektores së planifikuar në mënyrë që protesta të përfundojë në mënyrë paqësore. Mirëpo, policia ndërkombëtare e UNMIK-ut ka ndërhyrë kundër protestuesve me një brutalitet të pakuptueshëm, të paarsyeshëm dhe të panevojshëm. Ndërhyrjes së policisë i ka paraprirë një fushatë paragjykuese e mediave, elektronike dhe të shkruara, se protestat do të jenë të dhunshme, shkatërrimtare etj. Edhe sektori joqeveritar ka qenë i instrumentalizuar dhe i kërcënuar nga zyrat e huaja diplomatike në Kosovë (donatorët më të mëdhenj dhe donatorë potencialë) si edhe nga institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Gjatë ndërhyrjes së policisë janë vrarë dy protestues (Mon Balaj, i cili është qëlluar në kokë nga prapa, me plumb gome me afat të skaduar dhe Arben Xheladini, i qëlluar gjithashtu me plumba gome me afat të skaduar në ballë, nga një distancë e vogël dhe jo në vetëmbrojtje nga policia e UNMIK-ut e që kësaj i jep karakter të ekzekutimit gjakftohtë). Rëndë dhe lehtë janë lënduar mbi 80 protestues, ndërsa janë arrestuar 17 protestues. Albin Kurti është arrestuar të njëjtën ditë. KMDLNJ-ja tërheq vërejtjen se edhe pas dy viteve asnjëherë nuk janë bërë hetime me të vërtetë të pavarura për këtë rast. Një komision i udhëhequr nga një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut e që në të njëjtën kohë ishte edhe prokuror ndërkombëtar, z. Robert Din, ka konstatuar se dhuna e përdorur nga policia kundër protestuesve paqësorë ka qenë e tepruar dhe e evitueshme. - Janë përdorur plumba gome me afat (12 vjet) të skaduar në kundërshtim të plotë me rregullat për përdorimin e tyre. - Policët rumunë të UNMIK-ut, ndonëse fajësia e tyre ka qenë e pakontestueshme, janë larguar nga Kosova më 27 mars 2007. Autoritetet ndërkombëtare dhe vendore nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar largimin e tyre nga Kosova, pa përfunduar hetimet. - Nuk janë zhvilluar hetimet ndaj askujt, as për përgjegjësi politike apo penale, as ndaj përgjegjësve ndërkombëtarë e as ndaj atyre vendorë! - Largimi i ish-ministrit për Punë të Brendshme të Kosovës, z. Fatmir Rexhepi, është bërë jo për shkak të përgjegjësisë, por për shkak të moszhvillimit të hetimeve. - Largimi i ish-komisionarit të policisë së UNMIK-ut, Stephan Curtis, është bërë që ai të shpëtohet nga përgjegjësia objektive dhe subjektive. - Albin Kurti është mbajtur një vit, qoftë në burg, qoftë në arrest shtëpiak. Rasti i tij nuk është i mbyllur. – Rasti i ndërhyrjes brutale të policisë së UNMIK-ut ndaj protestuesve paqësorë edhe më tutje ka përpjekje të heshtet. Duke u nisur nga gjitha këto KMDLNJ-ja kërkon nga autoritetet relevante: • Që të formohet një komision i pavarur i cili do të bënte hetimin e rastit në mënyrë të paanshme. • Të kërkohet nga autoritetet rumune të mundësohet hetimi i policëve rumunë të dyshuar për vrasjen e protestuesve paqësorë. • Të formohet një komision parlamentar në Republikën e Kosovës i cili do të trajtonte këtë rast. • Të kërkohet nga autoritetet angleze që të hetohet z. Stephan Curtis dhe nga autoritetet amerikane të hetohet z. Steven Schook. • Në rast të mosgatishmërisë për bashkëpunim (pengimit të hetimeve) duhet të kërkohet që Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të merret me rastin në fjalë. • Që EULEX-i ta ketë si prioritet këtë rast. Në këtë rast janë shkelur dispozitat themelore të dokumenteve ndërkombëtare, siç janë: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike si edhe Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore me të cilat garantohet e drejta për jetë, ndalohen burgimet dhe paraburgimet arbitrare, ndalohet tortura dhe trajtimi çnjerëzor dhe mbrohet liria e mendimit, shprehjes së mendimit dhe mostrazimit për shkak të mendimit si dhe e drejta për organizim dhe protestë paqësore. KMDLNJ-ja përkujton se neni 19 i Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut garanton të drejtën e fjalës së lirë, lirinë e shprehjes dhe të organizimit. Në këtë rast janë shkelur neni 2 (3), neni 6 (1), neni 9, neni 10 (1,2) neni 14, neni 19 (1,2) e sidomos neni 21 i Paktit Ndërkombëtarë Për Të Drejtat Civile dhe Politike dhe neni 2 (1), neni 6 dhe neni 10 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore.
*Akademik, kryetar i KMDLNJ-së