E Diel, 1 Nëntor 2026

Tranzicioni, një histori me ndërkombëtarë

Mark Marku 

Ambasada e SHBA-së, përfaqësia e OSBE-së dhe Këshilli i Evropës kanë reaguar shumë ashpër para dhe pas miratimit të ligjit për dosjet. Ky reagim e ka kaluar në plan të dytë miratimin e ligjit, pasi vetë reagimi është shndërruar në një argument politik, i cili është përfshirë menjëherë në agjendën e ditës. Si asnjëherë tjetër, opinioni publik është i ndarë në lidhje me këtë ndërhyrje: nga njëra anë, ajo pjesë e opinionit publik e ndikuar nga opozita që e përshëndet qëndrimin e faktorit ndërkombëtar dhe ...e akuzon qeverinë se po prish marrëdhëniet me perëndimin; nga ana tjetër, ajo pjesë e opinionit publik që mbështet shumicën (kryesisht pjesa e të persekutuarve të regjimit) që e konsideron të ekzagjeruar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe, madje si pa të drejtë, pasi ndërhyn në disfavor të viktimave të regjimit komunist. Pavarësisht qëndrimit të palëve, një gjë është lehtësisht e verifikueshme: faktori ndërkombëtar është, si prej vitesh, pala e tretë e procesit politik në Shqipëri. Ai ka marrë përsipër të luajë rolin e arbitrit në jetën politike shqiptare, rol ky që pritej të dobësohej me forcimin e demokracisë dhe të faktorit politik shqiptar. Por ka ndodhur e kundërta: ai vetëm sa është forcuar.
Legjitimiteti i cunguar
i faktorit shqiptar
Rasti i ligjit për dosjet është vetëm njëri nga shembujt e legjitimiteti të cunguar të faktorit shqiptar. Ligji u miratua nga Parlamenti shqiptar, Parlament ky i dalë nga zgjedhje të lira dhe të pakundërshtuara nga asnjëra prej palëve. Ligji u miratua nga shumica e këtij Parlamenti dhe sipas procedurave të rregullta. Një pjesë e faktorit ndërkombëtar e konsideroi votimin e Parlamentit si “jo dinjitoz”, gjë kjo shumë fyese për një institucion të tillë si Parlamenti. Ligji mund të ishte miratuar me konsensus dhe kjo do të ishte normale. Ligji mund të diskutohet, pasurohet, përmirësohet dhe mund të bëhet më i mirë në bashkëpunim me opozitën dhe faktorin ndërkombëtar dhe kjo duhet të ndodhë. Një shumicë tjetër mund ta ndryshojë atë dhe kjo do të ishte prapë normale. Siç vërente me të drejtë H. Çili në këtë gazetë dje, miratimi i projektit ishte një proces normal politik shqiptar dhe i tillë duhej të mbetej. Gjithçka në këtë sens do të ishte normale. Por anormale është që Parlamentit shqiptar të mos i njihet e drejta për të bërë një ligj. Anormale është që një zyrtar i huaj të fyejë një institucion të zgjedhur nga populli. Kjo ndodhi. Kjo ka ndodhur dhe herë të tjera. Jemi para një paradoksi demokratik. Ligji akuzohet se shkel të drejtat e njeriut, se shkel Kushtetutën, se dëmton demokracinë. Por a nuk është gjithashtu një dëm i madh për demokracinë mosrespektimi i organeve të zgjedhura nga populli? A nuk është një dëm i madh për demokracinë kur ky vullnet zëvendësohet me vullnetin e përfaqësive të huaja në Tiranë.
Natyrisht faktori politik shqiptar është vetë përgjegjës për mungesën e legjitimitetit të tij. Ky faktor nuk ka ditur të bëjë asnjëherë zgjedhje të rregullta dhe nuk ka rënë asnjëherë dakord për rregullat e lojës. Kjo e ka cenuar rëndë bazën e legjitimitetit të tij. Kjo e ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e palës së tretë (faktorit ndërkombëtar), pasi ky faktor në shumë raste ka garantuar demokracinë në vend. Shkallë-shkallë, edhe (dhe kryesisht) me ndihmën e faktorit ndërkombëtar vendi ka shkuar drejt konsolidimit të demokracisë dhe dy zgjedhjet e fundit, ato legjislative të 2005-ës dhe zgjedhjet lokale të 2007-ës janë treguesit e këtij konsolidimi. Pikërisht kjo duhej të shërbente si një pikë kthese edhe në balancën e pushtetit: ai duhet të përcaktohet më shumë nga vullneti i votuesve se sa nga vullneti i faktorit ndërkombëtar. Kjo do të sillte më shumë përgjegjësi dhe një marrëdhënie më të drejtë mes votuesve dhe të zgjedhurve. Ndodh e kundërta. Faktori ndërkombëtar vazhdon të ketë një ndikim shumë të madh në vendimmarrje dhe rrjedhimisht edhe në orientimin e votuesve. Kështu ajo që në shumë raste ka shërbyer si garanci e demokracisë, po shndërrohet pak nga pak në një deformim të demokracisë.
Mbështetja ndërkombëtare rrit parazitizmin politik të faktorit shqiptar
Kjo e ka bërë aktorin politik shqiptar të jetë jo vetëm tërësisht i kontrolluar nga faktori ndërkombëtar, por edhe shumës parazit. Për të nuk kanë rëndësi platformat, reformat, rezultatet, përfaqësimi, rëndësi ka vetëm çfarë thonë ambasadat e huaja në Tiranë dhe kancelaritë e vendeve që ato përfaqësojnë. Sapo kundërshtari bën një gabim, pala tjetër rend nëpër dyert e ambasadave perëndimore njësoj siç rendnin udhëheqësit komunistë dikur në dyert e ambasadës ruse. Njësoj si paraardhësit e tyre komunistë, ata e shikojnë fatin e tyre të varur tërësisht prej këtyre ambasadave. Nëse dyert e tyre hapen, do të thotë se hapen edhe dyert e pushtetit, nëse jo pushteti mbetet një ëndërr e largët.
Kjo mënyrë të menduari bie në sy edhe në debatin e këtyre ditëve. Mjaft të shikosh titujt e gazetave apo deklaratat e përfaqësuesve politikë. Të gjithë kundërshtarët politikë dhe mediatikë të Berishës thërrasin “prishjen” ose “ftohjen” e madhe mes Berishës dhe perëndimorëve. Pas kësaj dihet vjen embargo, pas kësaj lufta për rrëzimin e këtij nga pushteti dhe ... Ky mentalitet i pengon ata të mendojnë edhe të kundërtën p.sh., që perëndimorët edhe pse janë kundër qeverisë në një rast siç është ligji për dosjet nuk të shpallin armik, siç të shpallnin dikur rusët, por vazhdojnë negocimin, bashkëpunimin e pse jo edhe mbështetjen. Por kjo mendohet vetëm për ata që nuk i konsiderojnë perëndimorët si rusët. Të tjerët në vend që t’i përkushtohen kontakteve me elektoratin, i përkushtohen zbërthimit të alegorisë së përrallave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›