Zbulohen 71 kg drogë, ikin autorët
GJIROKASTER - Rreth 71 kg marijuanë e destinuar për tregun grek, është sekuestruar nga policia mesnatën e të martës. Tre persona ende të paidentifikuar nga uniformat blu, pasi kanë pikasur se po ndiqeshin nga policia kanë braktisur mallin, duke u larguar në drejtim të paditur. Gjithçka ka ndodhur në kufirin e gjelbër në afërsi të Tri Urave në Përmet. Burimet zyrtare policore pohuan se, efektivat e saj kishin dijeni për transportimin e lëndës narkotike, e cila ishte siguruar në Gjirokastër. Ajo do të shkonte në drejtim të Përmetit e mandej drejt Greqisë, duke përdorur aksin rrugor Gjirokastër-Përmet-Leskovik. Tre persona janë parë në orët e natës teksa po transportonin sasinë narkotike me tri çanta të mëdha shpine përmes kodrave, shumë pranë kufirit të gjelbër mes Çarshovës-Tre Urave dhe Leskovikut. Me të rënë në gjurmët e tyre, uniformat blu kanë organizuar ndjekjen në distancë. Mirëpo personat misteriozë kanë konstatuar menjëherë policinë dhe në moment braktisën çantat në tokë dhe duke përfituar nga terreni mjaft i vështirë malor dhe errësira, mundën të largoheshin. Brenda tri çantave të shpinës ndodheshin 71 kg marijuanë. Policia po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.