Qeveria, plan fiskal për të ndaluar rënien e çmimeve
Fabiola Çela
Duket paradoksale, por është jetike për ekonominë e vendit. Qeveria pritet të marrë masa fiskale për të mos lejuar uljen e çmimeve në treg. I pyetur dje në konferencën për ecurinë e financave shqiptare gjatë vitit 2008, ministri Bode la të nënkuptohej pikërisht një ndërhyrje të tillë në treg. Bëhet fjalë në rast se Shqipëria do të kalojë në një situatë deflacioniste. E thënë ndryshe, në rast se inflacioni do të zbresë nën zero, pra çmimet e konsumit të ulen vazhdimisht. Në pamje të parë duket si situatë e vaforshme për konsumatorët, të cilët do të blejnë më lirë. Por medalja ka edhe anën tjetër negative, atë të mosprodhimit, ose mosinteresimit për të prodhuar, që çon menjëherë në papunësi. Kështu ulja e çmimeve nga kriza ekonomike në vendet e BE-së do të sjellë importe me çmime më të lira dhe një konkurrencë “vdekjeprurëse” për prodhuesit shqiptarë. Kjo do të detyrojë kompanitë shqiptare të shkojnë drejt falimentimit. Situata nuk është shumë teorike për Shqipërinë, pasi një fazë të tillë e kaloi edhe në vitet 2002, kur prodhimi shqiptar pati një tkurrje të rrezikshme. “Do vijojmë të jemi aktiv me instrumentet tona monetare dhe fiskalë për të qenë gjithmonë aktivë në ekonomi dhe për të mos kaluar në situatën deflacioniste, të cilën e ka provuar Shqipëria në 2002-shin dhe që çon në ndrydhje të ekonomisë, në rënie të saj. Ne do të përpiqemi që me instrumentet tona monetarë dhe fiskalë të mbetemi në të njëjtat parametra, me një inflacion sipas targeteve të vendosura 3% +/- 1. Do të jemi aktivë në këtë politikë”. Në politikat fiskale Shqipëria mund të përdorë rritjen e taksave të importit. Por kjo gjë nuk i lejohet si rezultat i marrëveshjeve për tregtinë e lirë që ka vendosur. Situata tjetër është mbajtja me detyrim e çmimeve në të njëjtin nivel si në këtë periudhë. Kjo do të thotë çmime reference dysheme për prodhimet që hidhen në treg. Një politikë të tillë qeveria e ka ndjekur edhe më parë, kur vendosi referenca për shkak të tatimeve për shumicën e prodhimeve në treg.
Çfarë masash janë marrë për të parandaluar prekjen nga kriza në vitit 2009?
Ne kemi deklaruar disa herë që janë një tërësi masash që ne kemi ndërmarrë për vitin 2009 për të qenë në krah të ekonomisë. Për çdo eventualitet të mundshëm të zhvillimeve në ekonomi, ne kemi rreth 2% të PBB–së, që janë rreth 20 miliardë lekë ose më shumë se 200 milionë dollarë kontigjencë për vitin 2009. Kjo për të parë muaj pas muaji zhvillimet në ekonomi dhe alokimin e kësaj kontigjence në ato sektorë, politika dhe investime që do të konsiderohen më efikase në raport me parandalimin e çdo efekti të krizës në ekonominë tonë. Së dyti, ne po bëjmë kujdes sikurse e thashë që të gjitha të ardhurat nga privatizimet t’i fusim në ekonomi gjatë vitit 2009 dhe sa më shpejt. Të ardhurat nga privatizimi i ARMO-s ne ende nuk i kemi përdorur në mënyrë të plotë, janë rreth 125 milionë euro në dispozicion, të cilat mund të preken në masën 5–10 milionë euro për vitin 2008 dhe gjithë pjesa tjetër do të destinohet për vitin 2009, për të vijuar mbështetjen e programit të investimeve publike, por edhe për të pakësuar borxhin publik, që do të thotë për të ulur kërkesën e qeverisë për para në treg. Po kështu do të përdoren dhe të ardhurat nga OSSH–ja, një pjesë e të cilave do të përdoret edhe për të rregulluar pozicionin financiar të KESH–it, të ardhurat nga privatizimi i INSIG–ut, nga privatizimi i AMC–së dhe të gjithë privatizimet e tjera që ne kemi përgatitur për t’i realizuar gjatë vitit 2009. Pra, mendoj që janë një tërësi masash nga ana e sigurisë që vetë buxheti të jetë faktor stabiliteti dhe nxitje për ekonominë, dhe nga ana tjetër ju e dini që kemi ndjekur dhe do të vazhdojmë të ndjekim një politikë për të mbajtur të lartë kërkesën në treg, për të mos pakësuar kërkesën konsumatore në treg për aq sa i takon punonjësve buxhetorë dhe gjithë shtresave që përfitojnë nga buxheti. Një politikë pagash e cila do të jetë në të njëjtat ritme sikurse dhe në vitin 2008, por me një avancim 2 muaj më parë, nga data 1 maj, që do të thotë një mundësi më e madhe për të futur një sasi më të madhe parash në duart e qytetarëve për të mbajtur të lartë kërkesën konsumatore. Këto janë 2 shtyllat mbi të cilat kemi ecur në raport me impaktet e mundshme të krizës financiare në ekonominë shqiptare.
Me gjithë masat e marra, sa rrezikohet Shqipëria nga kriza botërore?
Nuk rrezikohet dhe kjo jo sepse ekonomia shqiptare është shumë e fortë dhe nuk do t’ia dijë për zhvillimet në tregun botëror, por specifikat e ekonomisë shqiptare janë të tilla, që në këtë lloj krize që është përfshirë sot ekonomia botërore, që është krizë e besimit dhe e rënies së konsumit, për shumë motive Shqipëria ka për të mbetur jashtë influencës së kësaj krize, ose ka për t’u ndikuar në mënyrë tepër simbolike, që nuk do të jetë e dukshme dhe nuk do të japë ato pasoja që ka aktualisht në Perëndim, ku përballen jo me rritje, por me rënie të ekonomisë në të gjithë vendet e BE–së. Ne shpresojmë që vendi nga nisi kriza, SHBA të dalë shumë shpejt dhe sigurisht do të dalin të parët, sepse ata kanë tjetër sjellje ndaj konsumit dhe tjetër psikologji ndaj krizave dhe do të tërheqin shpejt drejt daljes së krizës edhe vendet e tjera. Shpresojmë që kriza të mos zgjasë më shumë se viti që vjen.
Sa rrezikon të ndikohet ekonomia reale e vendit nga deflacioni?
Sigurisht që kjo krizë çon në situata deflacioni dhe sot vendet më të mëdha prodhuese mund të preken. Ka tendenca të rënies së inflacionit në vendet e mëdha, sikurse e shihni ekonomia shqiptare performon në të njëjtat parametra. Ne shpresojmë që nuk do të jemi në një situatë deflacioniste në Shqipëri. Do vijojmë të jemi aktiv me instrumentet tona monetare dhe fiskale për të qenë gjithmonë aktivë në ekonomi dhe për të mos kaluar në situatën deflacioniste, të cilën e ka provuar Shqipëria në 2002-shin dhe që çon në ndrydhje të ekonomisë, në rënie të saj. Ne do të përpiqemi që me instrumentet tona monetare dhe fiskale të mbetemi në të njëjtat parametra, me një inflacion sipas targeteve të vendosura 3% +/- 1. Do të jemi aktivë në këtë politikë. Pse besoni se mbështetja e konsumatorit është zgjidhja më e mirë për t’u përballur me krizën? A është e arsyeshme të merret një kredi prej 300 milionë euro kur interesat në tregje janë të larta?
Këto janë disa standarde dhe kjo lloj krize këto ka si instrumente ndalje. Vjet, Banka e Shqipërisë veproi në drejtimin e duhur, u tha, sepse rriti interesat kur pati një rritje të çmimeve, por nuk ishte vetëm ky fakti që ne dolëm nga kriza e inflacionit. Shqipëria nuk kaloi 4.5 – 4.6% të nivelit të inflacionit, në një kohë kur vendet e tjera e kishin inflacionin dyshifror. Po ashtu edhe instrumentet që përdoren përballë një krize të këtij lloji janë të tilla, që duhet mbajtur lart kërkesa e konsumatorëve dhe mendojmë që nuk është fjala vetëm për konsumin privat, por edhe për konsumin publik dhe vende të tëra kanë filluar të mendojnë për të kaluar në situatë deficitare, sepse kanë qenë me suficit një pjesë e vendeve për të reaguar përballë kësaj krize. Ne nuk marrim në mënyrë suplementare 300 milionë euro nga tregu botëror, por zëvendësojmë atë shumë prej 300 milionë euro që kishim programuar të merrnim nga tregu i brendshëm dhe që ka norma më të larta interesi për ta marrë në tregun ndërkombëtar dhe me norma më të ulëta interesi. Kjo është një ndihmë shumë e madhe për ekonominë e vendit, sepse injekton para, kapacitete për të blerë në tregun botërore në një kohë kur paratë janë bërë të shtrenjta dhe të pakta në botë. Kjo është arsyeja që ne themi, kalimi nga borxhi i brendshëm te borxhi i jashtëm për një shumë prej 300 milionë eurosh që t’i çlirojmë ekonomisë shqiptare dhe bankave në Shqipëri 300 milionë euro që të përdoren për të kredituar biznesin.
A i ndikon të ardhurat rënia e çmimeve?
Sigurisht që ndikojnë dhe tani janë ndjerë pak, por sigurisht në një anë i humbet si të ardhura në buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër i fiton si të ardhura në buxhetin e konsumatorëve.